Marius Borg Høiby, djali i adoptuar i trashëgimtarit të fronit norvegjez, është arrestuar tri herë gjatë vitit të kaluar – në gusht, shtator dhe nëntor të 2024-s. Pas një hetimi që zgjati 10 muaj, policia norvegjeze ia ka dorëzuar çështjen prokurorisë, e cila do të vendosë nëse do të ngrejë akuza penale ndaj tij.
Avokati i Høiby-t, Petar Sekulic, ka deklaruar se klienti i tij i trajton akuzat me seriozitet, por mohon shumicën e tyre, veçanërisht ato që lidhen me dhunën dhe abuzimin seksual.
28-vjeçari, i cili nuk mban ndonjë titull mbretëror apo funksion zyrtar, ishte nën hetim që nga arrestimi i tij i parë më 4 gusht 2024, për dyshime mbi një sulm seksual. Ai është marrë disa herë në pyetje gjatë vjeshtës 2024 dhe pranverës 2025 dhe ka bashkëpunuar me autoritetet.
Sipas policisë, ndaj tij janë ngritur akuza për katër raste të sjelljes së pahijshme seksuale, një rast abuzimi në marrëdhënie dhe dy raste dhune fizike. Disa nga çështjet që përfshijnë vepra penale seksuale janë mbyllur për shkak të parashkrimit ose mungesës së provave.
“Numri i viktimave është dyshifror,” konfirmoi zëdhënësi i policisë, z. Kruszewski, pa dhënë detaje të mëtejshme.



















