Është çelur sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Ekspozita Agolliane”, një retrospektivë e shkrimeve të Dritëro Agollit(13 tetor 1931). I quajtur ndryshe edhe si “autori i popullit”, Agolli shënon plot 65 vjet krijimtari. Zanafillat e tij të hershme poetike përkojnë me vitin 1948, dhe më pas ai do të thellohej në zhanre e gjini të ndryshme. Prej fillimeve të tij, ditën e sotme, me rastin e 85 –vjetorit të shkrimtarit u ekspozua një nga poezitë e tij të para. Agolli ka qenë në klasë të shtatë dhe poezia është botuar në revistën “Letrari i ri”.
Në këtë poezi nuk mund të mos ndihet fryma komuniste që injektohej qysh në vegjëli, duke i shtyrë fëmijët t’i adhuronin udhëheqësit komunistë e t’u këndonin atyre lavde. Kështu edhe në këtë poezi të një prej shkrimtarëve tanë më të dashur, nuk mund të mos bjerë në sy se si një i ri në adoleshencën e hershme thur vargje të tilla si: “Enver-Stalin po bucet/ Prej Tirane gjer në det”. Edhe Agolli si shumë të rinj të tjerë duket se e ka pasur të pamundur t’i shpetojë kurthit të kohës, që i hidhte kthetrat në brendësi të intelektit të paraardhësve tanë pa kurrfarë dallimi.
Letrari i ri
15 shtator 1948
Prej Tirane gjer në det
Prej Tirane gjer në det.
Mina, kazma po bucet.
Shket vagoni plot me dhe
Se ndërtohet jetë e re.
Jetë e re e lumturisë
Me aksionin e rinisë.
Dhe të rinjtë me sytë si zjarr
Q’u shkëlqejnë porsi ar
Po sulmojnë me furi
Me guxim e trimëri
Me guxim për jetë të re
Shkrepin zjarr, porsi rrufe.
Enver-Stalin po bucet,
Prej Tirane gjer në det,
Edhe kazma ngulet thellë,
Tym i bardhë mbulon qiell
Tym i bardhë del atje
Se ndërrohet jetë e re
Det i bukur valëzon
Jetën e re po shikon
E përkulet nga gëzimi
Sepse zdritet nga agimi,
Nga agimi i Partisë
Dhe nga ylli i lirisë
Venë valët radhë-radhë,
Duan të thonë “Punë e mbarë”
Punë të mbarë moj rini
Që nuk trembesh kurrë ti,
Kurrë, kurrë nga armiku
Se ke gjoksin prej çelniku
Edhe kozma po vazhdon,
Ulet, ngrihet e gjëmon, ulet, ngrihet nga Rinia,
Të ndërtohet Shqipëria
Gjersa trenat në Shqipëri
Të kalojnë me krenari.
O mizor armik m’at anë
Që ke zemrën katran
Hidhi sytë o jetë e re
Si gjëmon sot në Shqipëri
Enver-Stalin e Parti
Dritëro Agolli
(Nxënës i shkollës shtatëvjeçare Bilisht)
Shënim…
Të inkurajohet edhe të ndihmohet zhvillimi i literaturës sonë, i thesarit, i fizkulturës, folklorit, zhvillimi i këtyre të bëhet në baza të drejta, të jetë i lidhur ngushtë me përpjekjet e aspiratat, perspektivën e ndritur të rrugës ku po ecën populli ynë… (Enver)



















