KreuBordo Men

Renato Mekolli: Umami??? Ua mami çfarë ushqimi!

Një shije as e ëmbël, as e kripur, as e athtë e as e hidhur, është ky kuptimi i emrit të restorantit më të ri ta hapur në Tiranë, Umami. Me humor masterchefi Renato Mekolli tregon se ky emër ka edhe një tjetër kuptim: Umami= Ua mami çfarë ushqimi! Renato Mekolli pas një karriere të sukseshme në Greqi si masterchef, në një prej restoranteve më të mira të Athinës, realizoi më në fund ëndrrën e tij të kahershme për të hapur restorantin e tij në vendlindje. I njohur për publikun nga programi Masterchef në Top Channel, Mekolli ka krijuar për pjesën më të madhe të publikut idenë e një shefi të rreptë, strikt e serioz. E kur bëhet fjala për punë Renato tregon për BORDO, se ashtu është edhe në realitet. Por përtej seriozitetit të punës, shefi i kuzhinës, gjatë kësaj interviste eksluzive për BORDO, tregoi se është një njeri me plot humor, i çiltër e me këmbë në tokë. 

Përshëndetje Renato. Sapo keni hapur restorantin tuaj në Tiranë. Si po ecën deri tani?

Përshëndetje. Po ecën shumë mirë që ditën e parë të hapjes së restorantit.

Pse vendosët të hapnit një restorant në Shqipëri?

Sepse ishte momenti i duhur në kohën e duhur. Tirana dhe Shqipëria ka vend për restorante të reja. Dhe pse jo mos të hapja restorantin tim në vendin tim. Nuk ka gjë më të bukur për nje chef që të ketë restorantin e tij, të publikoj librin e tij dhe të jetë pranë njerëzve me gatimin dhe përkushtimin për klientët.

Pse Umami? Çfarë do të thotë?

Umami sepse është emri që duhet të ishte. Është shija e pestë pas të ëmblës, të kripurës, të athtës dhe të hidhurës. Por nga ana tjetër është edhe një lojë që për ata që nuk e dinë kuptimin e emrit, u duket sikur thua:Ua mami çfarë ushqimi, çfarë restoranti! (qesh).

Si janë çmimet tek Umami? Cilët mund të jenë klientët tuaj, nisur nga çmimet? 

Cmimet tek umami janë fantastike, dhe çdo gjë gatuhet me vaj ulliri, si dhe çdo gjë përgatitet nga vet stafi i kuzhinës në restorat. Nga buka deri tek ëmbëlsirat nga pasta dhe deri tek tymosja e mishit ose të peshkut. Në restorant ka vend për të gjithë.

Çfarë gatimesh gjejmë aty?

Gatimet në restorant janë mesdhetare. Mish, peshk. Por sigurisht që këto do të ndryshojnë çdo muaj. Dhe me koncepte të ndryshme.

Pjata juaj e preferuar cila është?

Pjata ime e preferuar sado që është e vështirë të them. Sepse për mua janë si fëmijët e mi që nuk mundem t’i ndaj. Por do të them që pak më shumë është mushi i karameles me mollë të karamelizuar. Akullore kanelle dhe salcë karamel. Por sigurisht edhe gici i pjekur në temperaturë të ulët për 16 orë, me arrapash qepujka dhe fasule.

Pas hapjes së biznesit, kjo do të thotë që jeni kthyer përfundimisht në Shqipëri?

Jam kthyer, po. Por vazhdoj që të kem lidhjet e mia edhe me Greqinë. Pasi atje kam edhe shtëpinë time. Paguaj taksat dhe është pjesë e jetës time. Nuk është pak të jesh 20 vjet i rritur jashtë Shqipërisë.

Ju keni qenë shef kuzhine në Greqi, në një prej restotanteve më të mira atje. A ke bërë ndonjëherë ndonjë gafë në pjatën e dikujt.

Gafa jo. Por sigurisht që në presionin e punës ka edhe vonesa si edhe ngatërresa.  Klientët duhet të kuptojnë që nuk mund të vijnë të gjithë në orën 21:00 siç ndodh zakonisht në Shqipëri. Duam të hamë të gjithë shpejt dhe në të njëjtën orë. Kjo gjë është e pamundur.

Le të flasim pak për jetën personale. Për momentin Renato është në një lidhje?

Për momentin Renato është mirë. Kalon mirë është i qetë dhe më pëlqen.

Më të mira shqiptaret apo greket ;)?

Rëndësi ka njeriu jo se nga është.

A do të jeni më pjesë e “Master Chef”?

Këtë moment dua të përqendrohem në restorantin tim. Por sigurisht që më ka munguar masterchefi. Do të kthehem me kënaqësi kur të jetë gati. Dhe është ai emision që mua më mbush. Asnjë gjë tjetër në tv nuk më ka plotësuar dhe nuk më ka mbushur më shumë, sesa ajo që unë di më mirë, gatimin.

Marrëdhënia me vartësit e tu në restorant, janë ashtu siç ishin me konkurrentët në Master Chef. Dmth jeni i rreptë me ta?

Ka rreptësi sigurisht. Sepse klienti paguan, dhe do të haj mirë. Nuk i intereson se çfarë ndodh brenda kuzhinës. Dhe unë për këtë gjë nuk toleroj. Por sigurisht që jam edhe një chef i cili u plotëson të gjitha kushtet stafit, bëjmë humor qeshim dalim.

Renato cili ka qenë moment yt më i vështirë në jetë?

Nuk kam patur ndonjë moment të vështirë në jetë. Çdo gjë ka qenë normale.

Cili është motivi që të bën të ecësh përpara pavarësisht vështirësive që has në jetë?

Shijo jetën, buzëqesh, shiko punën tënde dhe qëllimin tënd, mos u merr me të tjerët se është kohë e humbur. Këto ndjek në jetën time, dhe sigurisht vetëm me energji pozitive.

E mendon ndonjëherë veten si baba? Kur mendon se do të krijosh familjen tënde?

Sigurisht që po. Por jam kaq i dhënë pas punës, dua vetëm të jem sa më lart dhe të bëj gjëra të ndryshme dhe të bukura. Këto gjëra nuk kanë kur, si dhe ku. Kur të vijë dhe kur të jetë momenti i duhur.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF