Sot përkujtohet 93-vjetori i lindjes i një prej xhevairëve të teatrit dhe kinemasë shqiptare, Sulejman Pitarkës. Ai numëron rreth 60 role në kinema e teatër. Filmi i parë i tij ka qenë “Debatik” me rolin e mësuesit, për të vijuar me rolin e Sokratit tek “Horizonte të hapura”, e deri tek karakteret e shkëlqyera si xha Avdiu tek “Gjeneral gramafoni”, gjenerali tek “Gunat përmbi tela”, Zheleznovi tek “Ballë për ballë”, e shumë të tjerë.
Gjatë karrierës së tij artistike, Pitarka është nderuar me shumë çmime dhe ka marrë titullin “Artist i popullit”. Vlerësimin e fundit si “aktori më i mirë” e mori vetëm pak muaj para se të ndërronte jetë për rolin e gjyshit në dramën “Pjata prej druri” me regji të Gëzim Kames.
