KreuCelebrity

Parashqevi Simaku në një foto të veçantë të vitit 1995

Ajo është një prej këngëtareve ikonë të viteve ’80-’90. Për brezin e ri emri i saj ndoshta nuk thotë shumë, por brezat e atyre viteve e kujtojnë me nostalgji portretin e ëmbël dhe zërin prej bilbili të vajzës së re nga Kavaja. Me një pasion të madh për muzikën dhe me talentin e një artisteje të madhe, Simaku do të kthehej në të këngëtaren e preferuar të shumë kompozitorëve asokohe. “E mrekullueshme! Ajo u bë shkak që unë të bëja disa këngë të zgjedhura për të. Parashqevija e këndonte muzikën e lehtë, a thua se ishte e specializuar për të, por ndërkohë të nesërmen ajo ta këndonte Qamilen (një këngë popullore), në një mënyrë që të rrënqethte mishin”, është shprehur në një intervistë kompozitori i madh Agim Krajka, disa vite më parë i pyetur në lidhje me këngëtaren Simaku. Ishte ëndrra amerikane ajo që e largoi artisten e madhe nga Shqipëria në vitin 1992. Me dëshirën e madhe për të vijuar përtej oqeanit karrierën e saj si këngëtare, por edhe për t’ju larguar një historie dashurie të pamundur, bukuroshja e skenës shqiptare, duket se ‘humbi’ në vorbullën e egër të tokës së premtuar. Pasi këndoi në disa lokale atje, nuk u dëgjua më asgjë për Parashqevinë e famshme të Shqipërisë. Thuhet se ajo kishte ëndrrë të madhe Hollywood-in, por duket se ‘ylli i humbur’ shqiptar, nuk arriti dot të çante në realitetin e egër të industrisë së shtëpisë më të madhe në botë të artistëve. Edhe pasi kanë kaluar rreth 20 vite nga ardhja e saj e fundit në Atdhe, për të marrë pjesë në Festivalin e Këngës, emri i saj ende përbën kërshëri për publikun shqiptar. Alda Bida, skenariste e njohur ka zbuluar një foto të rrallë të këngëtares shkrepur ne New York në vitin 1995. Ndërkohë që sot shumë pak dihet për ikonën e muzikës, ( përveç faktit që ajo jeton në Amerikë me familjen e saj), ajo do të mbetet artistja shumë dimensionale e Shqipërisë së atyre viteve.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF