I ftuar në studion e Wake Up mëngjesin e sotëm ka qenë Genc Përmeti, i cili foli jo pak lidhur me skandalet seksuale në Hollywood. Çështjet më të përfolura janë analizuar në një këndvështrim tjetër, bazuar edhe në një nga literaturat e shumta të shkruara për Hollywood-in. Në këtë të fundit, Genci ka shpjeguar se si në disa prej kapitujve shpjegohej qartë se para se të arrish në sheshin e xhirimit, duhet të kalosh fillimisht nga shtrati.
Megjithatë, në pak fjalë, këndvështrimi i Përmetit ishte ky: nëse aktoret që kanë ngritur akuza kundrejt Weinstein do të ishin aq të afta, nuk do i duhej të kryenin favore seksuale. Edhe pse përngjan si një gjykim më tepër prej moralisti, Genci i ka dhënë një shpjegim edhe këtij qendrimi. Ai ka shpjeguar se jo më larg se pesë vite më parë, Meryl Streep ka deklaruar se Harvey Weinstein është një perëndi, për aq kohë sa investimet e tij në industrinë hollivudiane janë të shumta.
Duke marrë parasysh se Streep është një nga artistet më aktive për sa i përket qendrimeve feministe, këndvështrimi i Përmetit bëhet i qendrueshëm për aq sa parashtroi për diskutim. Nuk la pa përmendur as të tjerë emra si Nicole Kidman apo Natalie Portman, talenti i së cilave nuk ka patur nevojë për ‘kalimin nga shtrati’. Nga ana tjetër, Genci bëri të ditur se një aktore si Gwyneth Paltrow e ka shijuar fillimisht famën, sidomos pas fitimit të një Oscar-i, ndërsa tani, që ky çmim ka ‘zënë pluhur’, artistja po tërheq vëmendjen e plotë mediatike nëpërmjet publikimit të skandaleve të tilla.
Në të njejtin aspekt u fol edhe për Angelina Jolie dhe të tjera aktore të kategorisë A që iu bashkangjitën çështjes së Weinstein, ndërsa Përmeti i ka quajtur krejt të papërfillshme të tjera hollivudiane që kanë rrëfyer historitë e tyre, duke i quajtur kështu ‘aspirante për aktore’. Edhe pse u ngacmua se po luante avokatin e djallit, Genci iu përmbajt deri në fund këndvështrimit të tij, ndërsa insistoi në faktin se të gjitha këto po vinin si pasojë e mungesës së vëmendjes së plotë mediatike nga ana e disa prej yjeve.



















