KreuBordo Men

Massimo Palumbo, idealisti i fundit…

Nga Olsi Kolami

Mjeshtri i famshëm italian i dedikon një poemë muzikore heroit legjendar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Është e vështirë të flasësh për një figurë kaq komplekse dhe interesante siç është ajo e mjeshtrit Massimo Palumbo, një personalitet unik në kohët moderne. Ai është nga ata artistë më një karrierë të artë, për të cilën ka shkruar The New York Times, The Washington Post, Corriere Della Sera, Gramafon, Le Monde, El Pais, The Australian, ndaj për mua është një kënaqësi vetëm ta takoj.

Në vend që të rendis biografinë e tij artistike, mund të them këto fjalë: Pianist ekselent, dirigjent i madh, kompozitor gjenial, studiues i mirëfilltë i muzikës baroke dhe historisë antike dhe moderne, si të them: Një personazh që në çdo fushë nuk bie asnjëherë në banalitet.

I nderuar mjeshtër ju falënderoj për këtë takim duke ditur që ju jepni shumë pak intervista, në rradhë të parë dua t’ju pyes: Përse një poemë dedikuar Skënderbeut dhe në ç’mënyrë keni menduar ta kompozoni këtë pjesë?

Nëse më lejoni do ti përgjigjem në fillim pjesës së dytë të pyetjes tuaj: Të shkruash muzikë në ditët e sotme është si të krijosh diçka ku çdo gjë është krijuar më parë. Muzika kontenporane që do të thotë muzika që kompozohet sot, është kaq e pakuptueshme dhe e pa deshifrueshme saqë nuk është e mundur të gjykohet nëse është një muzikë e mirë ose jo, sepse jam ekstremisht i bindur që gjuha muzikore ka mbaruar me kohë. Kompozimet e mia janë një mënyrë kontemporane e të shkruarit e kuptueshme për publikun.

Kam zgjedhur figurën e Skënderbeut sepse heronjtë historikë më kanë magjepsur në të mirë e në të keqe me këmbënguljen për të çuar përpara idetë  e tyre…

A mund të na jepni më shumë detaje për këtë poemë e cila përfaqëson për ne shqiptarët një figurë legjendare?

Është një poemë për violinë soliste, orkestër harqesh dhe perkusione që është kompletuar tashmë dhe e titulluar “War Diary of Skanderberg”. Si shumë komandantë ose gjeneralë në antikitet siç ishte Aleksandri i Madh, Jul Cesari, De’Belluum Galico, etj, kam imagjinuar që edhe Skënderbeu mbante një Ditar të shkruar ose të menduar për gjithçka që ndodhte gjatë betejave dhe periudhave të paqes. Tema kryesore e pjesës është një dedikim në nder të origjinës kristiane në Shqipëri, dhe kjo më sjell në mendje meloditë Gregoriane të viteve 1100.

Përse violinën si instrument principal?

Sipas mendimit tim keni sot një violinist virtuoze, Suela Mullaj me origjinë shqiptare e nënshtetësi italiane e cila është konsideruar nga kritika ndërkombëtare një nga muzikantët më të vlerësuar të gjeneratës së saj dhe për mua është një nder që ajo pranoi të luajë këtë poemë. Kjo ishte dhe një nga arsyet për zgjedhjen time.

Ju e quani veten si idealisti i fundit…përse?

Është e vështirë për t’u shpjeguar…

Mund të provoni jam kureshtar..

Kam pasur gjithmonë respekt për muzikantët e lindur në fillimin e ’900-ës. Ata kishin një dashuri dhe respekt për muzikën që sot e shoh shumë rrallë tek të rinjtë, ndoshta për ndryshimet historike të asaj kohe, po të mendojmë dy luftrat botërore, të gjitha lëvizjet politike, zhvillimin teknologjik. Një det me emocione që artistët e asaj kohe e kanë jetuar, situata që muzikantët e ditëve të sotme nuk mund t’i njohin. Unë në një farë mënyre e ndjej që bëj pjesë në botën e  atyre artistëve megjithëse nuk e kam jetuar atë kohë.

Atëherë një muzikant duhet të vuajë për të luajtur ose kompozuar bukur?

Shikoni, muzika është e gjitha një paradoks. Muzika duke qenë arti më i menjëhershëm i tingullit njerëzor, për të përcjellë emocionet e paharrueshme, një përzierje të emocioneve të pakontrollueshme, duhet të kesh përjetuar si gëzimin ashtu dhe vuajtjen. I them shpesh profesorëve të orkestrës dhe studentëve gjatë masterklasave, për të luajtur bukur kompozitorë si: Brahms, Shumann ose Wagner duhet të kesh jetuar një jetë plot gëzime e lëndime, duhet të rritesh si njeri brenda vetes sepse muzika e këtyre gjenive të mëdhenj shpreh të mundurën e të pamundurën dhe nuk mund të luhen me maturitetin e duhur në moshën 20 vjeçare.

Në prodhimtarinë tuaj të gjerë diskografike, me më shume se 60 CD, me etiketa si: RCA, Chandos, Art’s, Fonit Cetra, etj, bie në sy emri i Nino Rotës, kompozitori i kolonës zanore “Kumbari” atëherë…, ju pëlqen muzika e filmit?

Po shumë. Është  e vetmja gjuhë muzikore në përputhje me ditët e sotme, por jo të gjithë kanë dijeni që kompozimet më të rëndësishme të Nino Rotës nuk janë pjesët e filmave, por muzika instrumentale. Nino Rota ka kompozuar simfoni, koncerte dhe unë kam pasur nderin të luaj dhe të regjistroj në rolin e pianistit për herë të parë në rang botëror koncertin e fundit për piano dhe orkestër të quajtur “Piccolo Mondo antico” për shtëpinë diskografike angleze Chandos.

Mjeshtër, a keni në projektet tuaja kompozime të tjera?

Po, janë 3 projekte ndër të cilat do të veçoja një Requiem i cili i dedikohet dy kullave binjake të rrëzuara në 11 Shtator dhe do të jetë gati për publikun në vitin 2021. Do të luhet me një Orkestër Simfonike, Kor madje do të përfshijë kitarë elektrike dhe bateri. Është një krijim kontemporan që ka ndër të tjera motivacione të muzikës rrok.

Po lidhja juaj me Shqipërinë?

Unë e kam njohur fillimisht përmes Sueles, por e kam njohur atë pastaj vetë, pak nga pak. Shqipëria ka shumë talente. Në vitin 2009, nisëm një projekt të madh me Orkestrën e RTSH-së për ti dhënë asaj një frymëmarrje të re, por brenda pak kohëve kuptova se ndoshte isha shumë idealist dhe koha është thesar i pa çmuar. Duke parë vështirësitë e realizimit të projektit tonë vazhdova rrugën time. Ëndrra e madhe për të ndërtuar një orkestër, si motrat e saj La Scala, Rai, Bayerischer Rundfunk, afrimi i kulturës evropiane mbeti thjesht mendim, por nuk do të thotë që në të ardhmen nuk do të vijmë për publikun dashamirës shqiptar…!

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF