KreuCelebrity

Belina Budini, sharmi i një gruaje në botën akademike

Nga Olsi Kolami

Vite më parë emrin e saj e lexoja bashkë me shkrimet në gazetën Shekulli, ku edhe ishim kolegë, ndërsa tani e gjeta të gdhendur krah derës së Departamentit të Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun në UET. Kurioz sesi arriti të ‘divorcohej’ nga gazetaria, për të qenë pjesë e auditorëve, Belina Budini, tani profesore e Asocuar dhe Doktore Shkencash, më shpjegon se nuk e pati dhe aq të vështirë.

Pas një karriere të gjatë në gazetari, i dedikoheni botës akademike, pse zgjodhët këtë të fundit?

Mjedisi mediatik dhe ai universitar takohen shpesh, edhe pse dallojnë shumë njëri nga tjetri. Nuk e kam humbur kontaktin me mediat, edhe pse universiteti zë pjesën më të madhe të angazhimeve të mia prej 10 vitesh. Vitet e mia si pedagoge dhe studiuese i tejkalojnë tanimë ato si gazetare, mirëpo përvoja në gazetari ka qenë e vyer për mua në drejtim të studimeve që kam kryer në të gjitha nivelet, që nga ai master, në doktoraturë dhe në botimet për fitimin e titullit profesore e asociuar. Duke qenë se mediat, komunikimi dhe marrëdhëniet publike janë fusha ime e studimit dhe e ekspertizës, më kanë shërbyer dhe më shërbejnë ende si subjekte për studim, reflektim dhe analizë kritike.

Çfarë ju mungon nga bota mediatike tani?

Duke qenë se këndvështrimi ose perspektiva prej nga i shoh mediat tani ka ndryshuar katërcipërisht, është jashtë përfytyrimit tim një rikthim në media. Zor se më merr malli për orët e gjata të punës apo presionin e përditshëm të informacionit, edhe pse kam pasur luksin të punoj për rubrika speciale, reportazhe dhe intervista, pra kryesisht në fushën e kulturës dhe të dijes, edhe gjatë përvojës sime si gazetare, duke gëzuar kështu shumë më tepër liri e frymëmarrje se kolegë të kronikës apo politikës. Të shkruarit përditë është ai që më mungon më tepër, duke qenë se teksti ka qenë gjithnjë shumë joshës për mua. Mbetet ende i tillë të kuptohemi, por më mungon lehtësia e të shkruarit në media, ndërsa teksti akademik ose studimor me të cilin merrem tani nuk e ka aq merakun e stilit dhe të ritmit, sikurse teksti i mirë në shtyp.

Sa e vështirë është karriera në botën akademike për një grua?

Universiteti në veçanti dhe mësimdhënia në përgjithësi duket si streha më e mirë për një grua nga pikëpamja e stilit të jetesës dhe në të vërtetë kështu është për sa u takon orareve, kalendarit dhe natyrës së marrëdhënieve profesionale e sociale. Mirëpo universiteti nuk ka qenë kaq mikpritës për gratë në perspektivë historike kudo në botë dhe karriera në universitet për gratë paraqet të njëjtat vështirësi si në të gjitha sferat e tjera jetësore, ndoshta edhe më tepër. Po kështu edhe në Shqipëri dhe sidomos për koleget gra që punojnë në universitetin shtetëror, ku klubi i burrave është edhe më dominant e të pakta janë gratë që mbajnë pozicione drejtuese. Fatmirësisht klima është e ndryshme në UET ku jam promovuar në rolin e drejtueses së departamentit kur anëtarësia mbizotërohej ende nga burrat. Aktualisht, në Departamentin e Komunikimit dhe të Marrëdhënieve Publike që drejtoj, rolet kyce mbahen nga gratë dhe atmosfera e përgjithshme është shumë mbështetëse.

Sa i rëndësishëm është imazhi i një gruaje në profesionin tuaj?

Të qenit grua, por sidomos të qenit ose të dukurit e re, rezulton të jetë ende pengesë për fat të keq, edhe në universitet. Në fakt,  aspekti më pengues në mjedisin akademik, në ndryshim nga ai mediatik, duket se është mosha. Të jesh i ri në universitet nuk shihet si avantazh sikurse në mjedise të tjera më dinamike sikurse janë mediat për shembull. Imazhi rinor bëhet kësisoj frenues në vend që të jetë nxitës dhe frymëzues. Kjo sa i përket anës burokratike ose formaliste të punës, por edhe për sa u përket promovimit me tituj dhe me grada shkencore, të cilat deri vonë kanë qenë thuajse të bllokuara për më të rinjtë, edhe pse mund të ishin ekselentë dhe të talentuar. Sa i përket punës me studentët, mund të them se imazhi rinor dhe si grua përbën një lehtësim në komunikimin më të hapur me ta si dhe në drejtim të efikasitetit të mësimdhënies. Auditoret e sotme studentore kërkojnë energji dhe ritëm, por edhe qasje të reja komunikative e pedagogjike dhe si të tilla janë bërë mjaft të dashura për mua.

Ka një teori që thotë: gruaja në karrierë nuk duhet të krijojë familje, për ju duket se ka funksionuar e kundërta?

Situatat e përmbysura janë jo vetëm më tërheqëse, por mua më duket se janë edhe më të jetueshme. Ky është rasti edhe me gratë që bëjnë njëkohësisht karrierë dhe fëmijë. Nuk ka pse të pranohen si të mirëqena klishetë e gruas që zgjedh karrierën duke sakrifikuar familjen apo anasjelltas. Të dyja janë jo vetëm të mundshme, por edhe më kuptimplota. Është shumë më e jetueshme qoftë karriera, qoftë familja, kur zhvillohen të dyja. Të paktën në rastin tim ardhja në jetë e secilit prej dy fëmijëve është shoqëruar me hapa përpara në aspektin profesional dhe nuk i kam parë si justifikim për vonesë apo shtyrje të karrierës. As karrierën nuk kam dashur ta bëj arsye apo justifikim për mungesën e përkushtimit ndaj familjes. Besoj që ja kam dalë t’i mbaj në ekuilibër të mjaftueshëm, pa ndonjë sakrificë madhore, kjo ndoshta edhe në sajë të temperamentit tim shumë të qetë dhe fleksibilitetit, pa qenë e fiskuar pas organizimit dhe planifikimit strikt që zakonisht predikohet si formulë suksesi. Lirshmëria dhe improvizimi i vazhdueshëm kanë qenë për mua më të rëndësishme sesa disiplina apo organizimi i lartë. Kalimi nga industria e informacionit tek ajo e dijes më ka vendosur ndoshta në situatë më të favorshme për të krijuar balancën e nevojshme, pa u dashur të sakrifikoj as karrierën për familjen dhe as familjen për karrierën dhe mbi të gjitha, pa u dashur të sakrifikoj veten. Nuk kam dashur të heq dorë nga kënaqësi dhe pasione të tilla si udhëtimet, leximet, të shkruarit apo kënaqësitë e tjera të vogla të jetës së përditshme. Ruajtja e këtyre ekuilibrave ka qenë edhe arsyeja pse u kam rezistuar tundimeve për të pranuar angazhime të tjera në politikë apo në media, fusha këto që, për hir të së vërtetës, të konsumojnë shumë më tepër.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF