“Nësë moda do të kishte qenë fe, Ana Wintour do të kishte qenë Papa” – thuhet mes rreshtave të librit “Djalli vishet me Prada”, të autores Lauren Weisberger. Një profil drejtuar shefes së saj, Anna Wintour. Nëse e keni parë The Devil Wears Prada me Meryl Streep dhe lexoni romanin në të cilin është bazuar filmi atëherë mund të keni dëgjuar për figurën reale që inspiroi këtë personazh.
Lajmi se kjo e fundit do të largohet nga ‘Vogue’, bëri xhiron në rrjet, duke zgjuar kërshërinë nëse kryeredaktorja më e famshme në botë, do të hiqte dorë nga titujt e fituar për 30 vjet në botën e modës. Anna Wintour është padyshim një nga personazhet më të njohur dhe influentë në industrinë e modës, falë pozicionit të saj si krye-redaktore e revistës Vogue në ShBA. Me pamjen e saj dalluese, flokët bob dhe sytë të mbuluar me syze të errëta, Wintour konsiderohet nga shtypi dhe kolegët e saj në industri si kampionia e stilit dhe bukurisë. Gjithsesi ajo edhe është kritikuar mbi personalitein e saj dhe strategjitë në biznes. Duaje ose urreje, por nuk mund ta mohosh se Wintour cilësohet si mbretëresha e fushës së modës.
Jeta e hershme
Wintour ka lindur në Londër më 3 Nëntor, 1949, nga nënë amerikane dhe baba anglez. Dashuria e saj për modën ishte e dukshme që në rininë e saj kur rebelohej ndaj uniformës së shkollës dhe lexonte shumë revista mode. Duket se karriera e saj si gazetare ishte gjenetike pasi i ati ishte redaktor i Evening Standard dhe madje ai i kishte thënë asaj se një ditë ajo do të bëhej kryeredaktore e Vogue. E vendosur për të realizuar ‘profecinë’ e të atit ajo aplikoi për punë në sektorin e modës pasi braktisi shkollën dhe filloi si asistente editoriale në disa revista në Londër.
E karakterizuar nga shija e hollë dhe organizimi i seancave fotografike inovative ajo i ngjiti shumë shpejt shkallët e karrierrës së saj duke kaluar në punë më të mira gjatë viteve. Në 1975 Winotour u vendos në New York si pjesë e planit për tu bërë kryeredaktorja e Vogue, por para kësaj ajo punoi si redaktore e modës në Harper’s Baazar dhe Revistën New York. Gradualisht ajo tërhoqi vëmendjen falë talentit të saj të jashtëzakonshëm në bashkëpunim me fotografët më të mirë të kohës, artistët e make-upit dhe stilistët e flokëve. Ëndrra e babait të saj u realizua më 1988 kur Conde Nast, shtëpia botuese e Vogue i ofroi pozicionin e kryeredaktores së Vogue. Vizioni i Wintour për Vogue ishte të eksploronte të ardhmen e modës dhe të edukonte lexuesit mbi tema me interes të modës. Puna e saj u vu re në nëntor të 1988-ës kur në kopertinën e Vogue u shfaq një modele që mbante veshur një xhaketë shumë të shtrenjtë të modës së lartë shoqëruar me një palë xhinse me çmim të përballueshëm. Që prej asaj kohe Vogue është rishpallur me statusin si pioner falë editorialeve madhështore dhe artikujve me vlerë që nuk botoheshin nëse nuk plotësonin standartet rigoroze të Wintour. Përveç detyrës si kryeredaktore, ndihmon dhe talentet e rinj në fushën e modës. Pavarësisht rëndësisë së saj në fushën e modes, Wintour nuk ishte e njohur derisa u publikua The Devil Wears Prada në 2003-shin e shkruar nga asistentja e saj Lauren Weisberger.
Pavarësisht pretendimeve të Weisberger se personazhi i Miranda Priestly, nuk bazohej te ish-shefja e saj, shumë njerëz pjesë apo jo, e industrisë së modës mendojnë se Wintour ishte inspirimi i romanit për personazhin kryesor antagonist duke marrë parasysh se personazhi kryesor është kryeredaktore e një reviste shumë të njohur mode. Kur në 2006-ën doli versioni film i librit, profili i Wintour u bë më publik saqë çdo njeri në New York e njeh tashmë kur ajo hyn në ndërtesat e Vogue. Duke përdorur filmin në avantazhin e saj ajo aprovoi një film-dokumentar të quajtur The September Issue drejtuar nga R.J Cutler. Cutler dhe ekipit të tij ju dha liri e plotë mbi jetën e Wintour, dhe jetës profesionale të drejtoreshës kreative të Vogue Grace Coddington dhe gjithashtu një pamje të prapaskenave mbi krijimin e numrit të ri të Shtatorit. Dokumentari pati shumë kritika, pasi ndihmoi në krijimin e një profili human të Wintour në sytë e publikut të gjerë dhe gjithashtu u vu në pah aftësia e saj si kryeredaktore dhe biznesmene.
Jeta personale
Nga martesa e parë e Wintour me psikiatrin e fëmijëve Dr. David Shaffer lindën dy fëmijë Charles dhe Katherine Shaffer. Pas divorcit nga Shaffer ajo është në një lidhje me biznesmenin e njohur Shelby Bryan. Wintour është filantropiste dhe administruese e Muzeut Metropolitan Të Artit ku kryen detyra organizative dhe Met Gala-në çdo vit. Jashtë sektorit të modës ajo është mbështetëse e shumë bamirësive si kërkimi mbi AIDS, dhe është përfshirë në
politikën Amerikane duke ndihmuar në fushatat elektorale të Barack Obamës dhe Hillary Clinton. Kontributet e Wintour në fushën e modës në shkallë globale i kanë mundësuar asaj një sërë arritjesh në karrierrë. Në krye qëndron caktimi i saj si drejtoresha artistike e Conde Nast në 2013-ën duke i dhënë përgjegjësi në menaxhimin e publikimeve të Vogue.
Një tjetër arritje është edhe vendimi i Muzeut Met Gala për të ndërtuar një godinë të quajtur: qendra e kostumeve Ana Wintour, në të cilën ndodhen koleksionet e Costume Institute financuar nga Lizzie dhe Jonathan Tisch. Arritja e saj më e fundit është caktimi Damme Comander of the Order nga mbretëresha Elizabeth II në 2017- ën. Edhe nëse do të largohet apo jo nga Vogue, emri i Ana Wintour, do të mbetet si një busull orientimi për modën, krijimtarinë e stilistëve të rinj e të vjetër, sepse ajo ka ditur të gdhendë profilin e saj me një intuitë të pagabueshme.