Djaloshi francez i cili e ringjalli shtëpinë e famshme franceze, duke i rikthyer asaj kuptimin e vërtetë të luksit dhe elegancës, përmes risive dhe tendencave
Sapo ka hapur Versajën e tij të vogël në Milano. Një dyqan i modës së lartë, në rrugën Montenapoleone, ku ka derdhur gjithë vizionin e tij, pa cënuar imazhin e markës që ai përfaqëson. Emri Oliver Rousteing lidhet fort pas markës Balmain, drejtor kreativ i së cilës u bë kur ishte vetëm 24 vjeç, duke projektuar një nga koleksionet më të bukura në sezonin e vitit 2011. Oliver Rousteing, ashtu si Pierre Balmain, markën e të cilit e transformoi 360 gradë, duke e nxjerrë nga pluhuri i harresës, është nga Franca, saktësisht nga Bordo. Brenda pak vitesh Oliver u kthye në djaloshin që rrëmbeu gjithë vëmendjen me talentin e tij, pasi la pas krahëve një eksperiencë dhe karrierë në heshtje pranë Roberto Cavalli. Kur vendosi të afrohet tek Balmain, ai e dinte shumë mirë se duhet të ruante filozofinë e linjës luksoze, por duke prezantuar stilin e një gruaje të fortë.
Ndryshe nga Pierre Balmain, i cili e krijoi shtëpinë e modës duke konkurruar fort Coco Chanel, djaloshi i talentuar duket se nuk ka asnjë kokurrent në krah, sepse ka një koncept krejt ndryshe për modën, elegancën dhe modernitetin…!
Si erdhi arredimi i butikut të Balmain në Milano?
Boutique është strukturuar si një hotel parizien: me holl, shkallët e nderit dhe me një kopsht dimëror. Kam zhvilluar paksa shijen klasike franceze me një prekje personale. Ky është vendi ideal ku ndërthuret tradita e haute couture me luksin dhe risitë e brezit tim. Si e përkufizon luksin një shtëpi mode si Balmain?
Fjala luks për mua ka ndryshuar patjetër përkufizimin e saj në vitet e fundit. Deri dje thuhej ‘vetëm luksi nuk shitet në internet’ ose ‘luks është të bësh sfilata private’. Për mua, luksi është më tepër një pikëpamje. Për mua luks, është të kesh një pikëpamje, të dish të komunikosh. Kjo sepse moda kohët e fundit kishte humbur qëllimin e saj: veshjen e klientit, i cili fundja është qëllimi i çdo stilisti. Për mua, ajo që mbetet e pandryshueshme, është kulti absolut i cilësisë. Por kjo nuk do të thotë që nuk duhet të argëtojmë konsumatorët, të flasim me ta. Kjo është arsyeja pse unë jam aq i dashur për mediat sociale. Moda ka ndryshuar, sepse duhet të ndryshojë me botën.
Dhe çfarë është moda sot?
Modë nuk është ajo çfarë vesh. Moda është vizion, më shumë sesa një koleksion. Cilësia mbetet një aset themelor, sepse pavarësisht se shumë njerëz besojnë te krijimet e mia, unë nuk dua të jem thjesht “cool”, por “i përjetshëm”. Nuk më pëlqen kafazi i trendeve. Mjafton të mendosh që tendenca zgjat 6 muaj, imagjino sa e mërzitshme bëhet në një vit. Trendet janë vdekja e modës, në ditët e sotme.
Po moda e djeshme?
Moda e djeshme më ka pëlqyer gjithmonë. Shikoj sfilatat nga Yves Saint Laurent tek Gianni Versace, nga Tom Ford tek Gucci. Miti im është Karl Lagerfeld. Tek Chanel kombinoi shijen e përjetshme, me perspektivën. Ai arrin të jetë gjithnjë parashikues i së ardhmes, pa harruar të shkuarën. Edhe unë përpiqem të jem ashtu: E adhuroj të kaluarën, e cila gjithmonë më frymëzon, por e jetoj të tashmen dhe mbështetem tek e ardhmja.
Si është gruaja Balmain?
Do të thosha një grua e fortë, shumë e sigurtë për veten, që guxon. Duket pikërisht ashtu siç dëshiron të jetë dhe nuk kujdeset për paragjykimet. Ashtu si unë …
Cilat janë gratë më elegante në botë?
Sinqerisht, fjala ‘elegante’ më shqetëson pak. Më duket e vjetëruar për të përshkruar modën time. Ashtu si shprehja ‘moderne’, e cila nuk përkufizon një person të veshur me plastikë, edhe një pallto gri nuk është e mjaftueshme për të qenë ‘elegante’. Ashtu si nuk mund të thuash që lakuriqësia të bën automatikisht ‘vulgare’, sepse mund të jeni e mbuluar nga koka deri te këmbët dhe të jeni super vulgare. Kam njohur shumë gra që më frymëzojnë, të cilat përmes stilit, kanë krijuar portretin e tyre
Ndonjë emër …
Sigurisht Brigitte Macron, e cila nuk ka frikë të gjykohet për shkak të gjatësisë së fundit. Dhe Rihanna, Beyoncé, Kim Kardashian dhe Cindy Craëford. Duke iu kthyer fjalimit të mësipërm, ka shumë marka që e konsiderojnë veten ‘elegante’, por që nuk kanë zhvilluar, për shembull, konceptin e diversitetit në imagjinatën e tyre, por sipas mendimit tim, ‘elegante’ nuk janë …
Cilat janë kritikat që ju lëndojnë më shumë?
Shpesh jam konsideruar i cekët, kokëbosh dhe vulgar. E gjej veten të trishtuar kur komentohem për argëtimet e mia, sepse dashuroj xixat, selfiet. E vërteta është se unë kurrë nuk kam pasur frikë të rrezikoj asgjë për të shprehur vizionin tim.