KreuStil Jetese

Isida Mollaymeri: “Me këmbë në tokë…”

Zbuloni anën e panjohur të balerinës së TOB-it, si drejtuese e një linje kremrash për Ballkanin në profilin e një biznesmeneje, i cili po konsolidohet çdo ditë.  

 

Nga Olsi Kolami/ Foto: Fani Aliko

Arti i baletit është i bukur dhe komod, një ndjesi fluturake e cila e ka bërë të ndihet gjithnjë në qendër të vëmendjes, por së fundmi Isida Mollaymeri ka zbuluar se përfshirja në një biznes të vërtetë e bën të jetë me këmbë në tokë. Jo sepse bëhet fjalë për shifra dhe shitje, por sepse po investon në një sektor, i cili do të jetë pjesë e të ardhmes së saj, atëherë kur nuk do të ngjitet në skenë aq shpesh sa sot.

Si u gjende nga baleti në fushën e biznesit?

Kisha kohë që po merresha me organizimin e Panairit të Bukurisë, i cili organizohet në Maj, ndaj kam qenë në shumë panaire në Europë. Kur isha në Itali u afrova në stendën e Vagheggi dhe po interesohesha për linjën, e cila ishte shumë e pasur me produkte, në këtë moment mjeku që ka krijuar linjën, më sugjeroi që të marr Vagheggi në Shqipëri. Në fillim u stepa, pasi i shpjegova që jam balerinë por edhe që nuk kisha një buxhet për të blerë gjithë linjën, por ai më sugjeroi që të filloj, e më pas e shohim. E mora seriozisht, vendosa ta sjell në Shqipëri, edhe pse nuk e kisha menduar kurrë të kisha një biznes të tillë.

Nga balerinë, në biznesmene, si është ky ndryshim?

Deri tani isha mësuar vetëm të merrja duartrokitje nga puna ime, por me Vaghegi kuptova që shumë gjëra bëhen duke lëvizur dhe takuar njerëz. Është një eksperiencë e cila më ka rritur dhe kam njohur shumë njerëz. Biznesi më ka bërë të jem më me këmbë në tokë, të merrem me faturat, kontabilitetin, sepse janë pjesë e punës.

Për një artiste si ju, ka qenë më e lehtë për shitjet?

Sigurisht që ka qenë më e lehtë, sepse njerëzit më duan, por jo dhe aq e lehtë. Ndoshta sepse figura ime lidhet me aspektin natyral, edhe Vagheggi ka qenë me bazë bio, madje kam shkuar për të prezantuar Vagheggi, e bindur pasi produktet i kam provuar vetë më parë. Sepse nuk kam interes vetëm ta shesh, por që klientët të vijnë sërish, sepse është emri im në lojë dhe nuk doja të rrezikoja dhe të zhgënjeja njerëzit, edhe pse këto produkte vijnë pas një eksperience të gjatë suksesi në Itali.

Si funksionon shitja?

Shitja bëhet farë thjesht: duke porositur produktet përmes rrjeteve sociale ato vijnë direkt në shtëpi, po ashtu kam edhe një stendë pranë Coin.

Cilët ishin blerësit e parë, ishin miqtë?

Për hir të së vërtetës nuk ishin miqtë. Madje një mikeshë ma këshilloi që jo të gjithë ata që njihja do të blinin. Nuk u zhgënjeva, por vendosa që ata të vinin vetë. Shitjet nisën përmes rrjeteve sociale dhe më pas klientët u rikthyen sërish. Kjo më emocionon. Miqtë më kanë ndihmuar me përhapjen e rrjeteve sociale dhe kjo ka qenë një ndihmë e madhe, pasi blerësit vijnë përmes tyre. Aty e kuptova sesa të rëndësishme janë rrjetet sociale për të shitur dhe për të bërë marketing.

Sa je përfshirë për të njohur produktet dhe për t’i shitur ato?

Kam qenë pjesë e trajnimeve të organizuara nga Vagheggi, bashkë me doktoreshën  time, e cila u jep shpjegime më profesionale për blerësit, por unë jam fokusuar më shumë tek marketingu dhe rrugët si të ketë më shumë shitje.

Si e ndan kohën mes baletit dhe biznesit?

Në fillim nuk e kisha menduar që do të merrte kaq shumë kohë, por tani pasi mbaroj punë në Teatrin e Operas dhe Baletit fokusohem te biznesi, duke u marrë me porositë, dërgesat, preventivët, aq sa nuk kam kohë si dikur për të dalë mbrëmjeve. Organizoj kohën për porositë, në mënyrë që dërgesat të jenë sa më shpejt pranë klientëve.

A po të jep kënaqësi dhe shumë lekë?

Nuk mund të them shumë lekë, krahasuar me kohën që më merr. Por e rëndësishme është që jam fokusuar dhe po punoj, pavarësisht fitimeve, sepse është fillimi dhe nuk është që pres shumë, sepse është ende në hapat e para. Kam lënë pas dore shumë gjëra, por e vetmja nga e cila nuk kam hequr dorë është palestra.

E kishe menduar më parë një biznes të tillë?

Gjithmonë kam menduar që nuk dua ta shoh të ardhmen duke m’u dridhur këmbët në skenë, por asnjëherë një linjë kremrash, më shumë në linjën e modës dhe këpucëve. Por, jam shumë e lumtur që Vagheggi erdhi tek mua.

Çfarë ke zbuluar tek vetja gjatë kësaj periudhe?

Mënyra e menaxhimit dhe korrektesa: janë dy cilësi të cilat i njihja tek vetja, por shumë e rëndësishme në raport me njerëzit në biznes është se sado korrekte të jesh, duhet të jesh edhe fleksibël.

A ka ndonjë mik i cili ka këshilluar më shumë?

Mikesha ime Agnesa Vuthaj më ka këshilluar, që duhet të rrezikoj, të mos pres që fitimet do të vijnë menjëherë dhe të mos ndalem. Po e bëj çdo gjë me shumë kënaqësi dhe shpresoj në të ardhmen Vagheggi të punojë për mua dhe të jetë pjesë e jetës time.

Së fundmi jeni edhe pjesë e klinikës Anassa në Spitalin Amerikan?

Ndihem me shumë fat sepse produktet gjenden në klinikat më të mira të kryeqytetit, ndaj kur erdhi momenti që m’u ofrua për të qenë pjesë e Anassa, unë isha në fazën që po mendoja për promovimin dhe pranova menjëherë. Ndodhi kur të dyja palët po mendonim për një event, i cili u bë i përbashkët dhe të lidhesh emrin me një kompani të besueshme sa Spitali Amerikan, ky ishte momenti i duhur.

Si e mendon të ardhmen me Vagheggi?

Kam pak më shumë se një vit që po punoj dhe planet janë të shumta, por për momentin jam e fokusuar tek shitjet përmes rrjeteve sociale dhe që produktet të jenë në klinikat estetike. Në të ardhmen shpresoj të kemi një dyqan, që njerëzit të vijnë aty direkt. Aktualisht kam ekskluzivitetin e Vagheggi për Kosovën, Malin e Zi dhe Ballkanin. Jam e lumtur sepse është një zgjedhje që më bën të ndihem e lumtur…!

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF