Mbrëmja e 17 dhjetorit në kryeqytet ju dedikua evenimentit të rëndësishëm të ndarjes së çmimeve nga Akademia Kult.
Mbrëmja Gala u mbajt në Sallën e Eventeve pranë Katedrales Ortodokse.
Këtë vit Kult mbushi 15 vjeç, ndaj organizatorët ishin kujdesur të realizonin një spektakël të kuruar në të gjitha detajet. Emrat më të spikatur dhe më elitarë, krijues dhe interpretues, shkrimtarë dhe përkthyes, regjisorë dhe aktorë, këngëtarë dhe muzikantë, balerinë dhe instrumentistë, artistë pamor, gazetarë dhe figura të ekranit përshkruan mbrëmjen e së martës tapetin e kuq të Çmimeve Kult.
Edicioni i 15-të pati 78 artistë të nominuar, për 13 Çmime të mëdha si dhe dy Çmime Speciale.
Aktorja Olta Daku rrëmbeu një prej çmimeve më të rëndësisshme të Akademisë Kult: Mono-Dramë/ Komedia e Vitit me “Shirli Valentina”, komedia e cila sa herë vjen në Teatër korr sukses të jashtëzakonshmë.
Shirli Valentina, vjen nga një aktore (Olta) që mishëron si humorin ashtu dhe ngrohtësinë, si vrullin ashtu dhe kurajon, si sarkazmën e po aq natyrshëm dhe autoironinë. Olta Daku përmes Shirlit fton për të besuar se nuk është asnjëherë shumë vonë për të realizuar ëndrrat.
Ndaj ky çmim vjen mëse i merituar për Olta Dakun, e cila ka mbushur sallat e teatrove sa herë që “Shirli Valentina” është rikthyer në skenë.



















