Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, i cili ka qenë mjaft aktiv në media gjatë periudhës së pandemisë, pohoi në lidhjen e fundit me Skype realizuar për Neës 24, se intensiteti i virusit ka rënë:“Numrat janë në ulje të qëndrueshme, grafiku ka oshilacione, por vijnë nga strategjia jonë që gjurmon rastet dhe kontaket e afërta. Pra kemi pasur diku 15 apo 5, por rastet përgjithësisht janë asimptomatikë. Historia jonë me COVID po shkon drejt mbylljes”, deklaroi ai.
Një lajm mjaft i mirë ky për shqiptarët, por kur situata qenka kështu, lind pyetja, përse zonat e kuqe po mbyllen në fundjavë? Pipero u shpreh se në fundjavë rritet rreziku nga grumbullimi i njerëzve ndërsa dha lajmin e mirë se nga fundi i këtij muaji do të hapen edhe fundjavat.
“Virusit nuk i shkojnë batuat, por në fundjavë ka rrezik për grumbullimin e njerëzve, shtohet rreziku për shtimin e numrave. E gjykoj të arsyeshme fundjavën më të shtrënguar, por them se ecuria e epidemisë më bën optimist se fundi i muajit do të jetë tërësisht i lirë. Do të sugjeroja që në fund të majit të hapeshin të gjitha zonat. Nga ekspozimi mund të fitojmë edhe më shumë imunitet…Besoj që në fund të majit të hapen edhe fundjava”, u shpreh ai.



















