Bevisi është një portret, ku në sfondin e përditshmërisë së tij nuk mungon asnjëherë biçikleta. I rritur në një familje e cila ka fiksuar imazhet dhe historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, fillimisht në celuloid nga i ati mjeshtri Besim Fusha, një dhunti e trashëguar, rritur e kultivuar edhe nga i vëllai i madh Albesi. Por, Bevisi këtë herë vendosi të flasë jo për fotografinë, por për “bashkëjetesën” e tij me biçikletën, udhëtimet që kanë pasur duke ecur në vende ta njohura, ose të pashkelura, aventurë e cila ka nisur qysh kur ishte ende fëmijë dhe vijon me të njëjtin intensitet edhe sot.
Bevis kur e kujton herën e parë kur ke nisur të pedalosh?
Dyrrotaku ka qenë gjithmonë një ndër tërheqjet fatale në fëmijërinë time. Në atë kohë, vitet 80-90, biçikletat ishin të rralla në lagjen time dhe thuajse të njëjta në pamje, në Tiranën e pakët për kohën mbizotëronin ato kineze, shqiptaret “Ylli”, vietnamezet dhe disa biçikleta franceze apo italiane që ne i quanim “të kursit” të cilat ishin më shumë si një objekt zbukurimi për atë që e kishte. Si një fëmijë kureshtar më pëlqente të shkëputesha nga rrethinat e territorit dhe të shkoja sa më larg me fuqitë e mia, pa ndonjë truk magjik, prandaj orientimi im ishin biçikletat e kursit të cilat as nuk i kisha pedaluar më parë.
Cila është ndjesia që të jep udhëtimi me biçikletë?
Është një vuajtje konstante që kërkon një fuqi të pashterur, por në aspektin njerëzor do ta përcaktoja si formën më superiore të lirisë, në gjendjen e saj më absolute. Forca, mundimi, harresa janë të gjithë faktorët që në mënyrë të pakuptueshme të shtyjnë të pedalosh përpara pa një destinacion final, vetëm me pikësynime të përcaktuara shpejt, ashtu si në një paralelizëm krahasues e gjitha ngjason me të njëjtën forcë jetësore që na sjell në jetë, në botën ku rrugëtimi ynë merr një drejtim të panjohur, rrugëtim i cili ka sprovat jetësore dhe gara të cilat duhet t’i fitosh. Është një luftë gravitacionale (qesh)
Nga rruga qytetase, si lindi ideja për të udhëtuar në shtigjet e pashkelura?
Në urbanizimin kaotik të viteve, dëshira për t’ju shmangur pluhurit dhe ndotjes ka qenë shkak i përhershëm për të më shtyrë përtej rrethinave të qytetit. Në fillimet e mia ngjitesha në kodrat e pabanuara afër Surrelit dhe shikoja Dajtin madhështor duke dëgjuar Enslaved në kufje “Frost”. Në vitet 90 këto dalje nuk ishin kompetitive, por eksploruese.
A ke pasur itinerare që i ke pasur qëllim dhe pas sa kohësh ke arritur në finish?
Jo nuk kam qëllime që zgjasin në kohë, pasi çdo rrugë që përcaktohet shkelet pas disa orësh dhe bëhet me një plan të shpejtë sulmi për të fituar KOM-in e rradhës. King of the Mountain, mbreti i malit është ikonë virtuale e përcaktuar nga aplikacioni i rrezikshëm Strava dhe shënon në tabelë kohën më të shpejtë të vendosur nga çdo çiklist në atë segment, shpesh janë segmente malore.
Cili ka qenë udhëtimi më i bukur dhe frymëzues që bën më shpesh dhe pse?
Ora e udhëtimit ka tik taku-n e saj në çdo moment, por mendimi që do të dal në momentin që mundem për një sulm të shpejtë 100 km distance apo për një ecje të ngadaltë 150 km është udhëtimi më i bukur, pjesa tjetër është ekzekutim në heshtje.
Po ndonjë nga i cili ke hequr dorë dhe pse?
Nuk heqim dorë nga asnjë garë e pa nisur. Disfata e garuesit të dorëzohesh para se gara të nisë është e palejuar (qesh)
Rrugëtimi mbi dyrrotak, është më mirë vetëm apo me miq dhe pse?
Jo, unë dhe ne si grup ushtrojmë më së shumti çiklizëm rruge profesional i cili është një udhëtim individual, ne e praktikojmë në formën e tij më ekstreme këtë sport, ecim me një mesatare 40 km në orë dhe puls rreth 176-180 rrahje në minutë për 200 km, orë të tëra mbi biçikletë që duan stërvitje të rregullt. Forca e grupit ndihmon teknikisht të pakësosh energjinë e dhënë por është e pamundur të bisedosh apo të jesh komfort në atë që bën, prandaj është një garë e heshtur dhe e mundimshme nga ku fiton më i forti.
Sa herë të ka lënë bicikleta në rrugë dhe të është dashur ta mbash në krahë?
Asnjëherë! E pamundur. Janë biçikleta profesionale që kushtojnë nga 3 deri 10.000 euro. Nuk munden të të lënë në rrugë në asnjë lloj difekti përveç aksidenteve me makina ku thyhen dhe dalin jashtë funksioni. Aksidentet ne i evitojmë në maksimum duke qenë të kujdesshëm.
Gjithmonë kur pedalon a e merr me vete dhe aparatin fotografik?
Në fakt me biçikletë asnjëherë nuk e marr. Në pedalim gjithçka është pesha, mundohem ta pakësoj, marr vetëm sytë dhe celularin më të vogël të mundshëm një iPhone SE i cili e bën punën shumë mirë dhe nuk është pengues në veshjet e holla që mbajmë.
Cilën foto e ke dhuratë nga një udhëtim dhe e lidh me një kujtim të bukur?
Çdo imazh që bëj është një gjurmë e nevojshme si për prezencen time aty, po ashtu edhe për arkiv, dokumentimin dhe memorjen. Nuk kam kujtime të bukura, kam kujtime që më ndihmojnë të ndërtoj të shkuarën, pasi memorja ime nuk është shumë funksionale. Në këtë kontekst fotografitë ndihmojnë së tepërmi për të ndërtuar saktë të shkuarën.

Sara Hoxha e infektuar me koronavirus!








Claudia Schiffer 30 vjet mbretërim!



35 veshjet e Beyonce në ‘Black is King’!







