Pushtuesi i majave
Sytë hetojnë çdo detaj të sipërfaqes së gurtë, duart kërkojnë me kujdes zgavra sado të vogla për t’u kacavjerrë. Në pak sekonda trupi i tij rri si shpend në ajër. Vetëm në majë të gishtave Elion Çikopano, ndër pionerët e Climbing në Shqipëri, imagjonon arritjen në majë, për të prekur paqen që mbretëron në mes të natyrës. E ku ka çmim më të madh se ky për një sportist si Elioni, i cili nga një pasion tani e ka kthyer në profesion dhe shembull kacavjerrjen…!
Elion si e zbulove pasionin për climbing?
Të them të drejtën, besoj që e kam patur pasion që i vogël, çdo fëmijë e ka një talent të fshehur climber-i. Po të kujtohemi, të gjithë jemi munduar të ngjitemi tek ndonjë pemë, madje dhe kur nuk kishte fruta. Aftësia për t’u ngjitur është pothuajse si nevoja për të ecur, por që ndryshe nga ecja sa më shumë rritemi aq më shumë na e ndalojnë të rriturit, pasi paraqet rrezik për fëmijët. Mesa duket kam qenë pak më kokëfortë dhe e kam vazhduar këtë aftësi, e tashmë është kthyer në nivel profesional.
Pas shembullit tuaj, ju frymëzuat të tjerë që e ushtrojnë këtë sport në Rock Tirana, pse?
Rock Tirana në fakt ka lindur si diçka më shumë sesa vetëm një vend ku mund të ushtrosh climbing. Së bashku me dy miqtë e mi amerikanë vendosëm të hapim jo vetëm një palestër, por një vend ku njerëzit të zbulonin një sport të ri, një mëndësi të re, ku të paralelizohej sesi sfidat e ngjitjes me sfidat e jetës janë të ngjashme. Ideja e fuqizimit të individit përmes climbing e kësisoj përmirësimi sadopak i shoqërisë së Tiranës si fillim e më gjerë më pas. Climbing përvçse një sport, është një mënyrë jetese. Bashkëjetesa me natyrën, sfida deri diku e pakuptimtë me shkëmbinjtë e thepisur dhe fryma e komunitetit jane tiparet më të prekshme të climbing. Më pas është një aktivitet shumë kompleks, sa fizik, po aq mendor dhe teknik. Kur e ushtron për herë të parë, të duket sikur të hapet një dritare e re nga e cila mund të shohësh botën, mbase kjo ka qenë arsyeja që dhe unë jam munduar ta përhap këtë frymë tek sa më shumë njerëz.
Çfarë ndryshimi ka mes climbing në mjedise të mbyllura dhe atyre të hapura?
Në palestër mësohen teknikat bazë dhe më pas për të vazhduar të stërvitesh e cila të mban në formë, të përmirëson teknikën e të shton forcë, ndërsa në natyrë është tjetër gjë. Ndjesia e ngjitjes së një shkëmbi është diçka më shumë nga ana mendore. Lartësia të intimidon shumë, të krijon një luftë të brendshme mes frikës e dëshirës, dhe kur arrin të ngjisësh projektin që ke, ndjesia e gëzimit është e pakrahasueshme.
Sa kohë ju duhet atyre që ju trajnoni për të dalë në terren?
Nëse nuk keni eksperience në këtë sport, do të thoja minimalisht prej 3 muajsh do të ishte perfekte. Climbing është një disiplinë ku lëvizja në mënyra jo konvencionale të ndihmon shumë. Në palestër si fillim duhet të ushtrohesh që të mësosh teknikën e lëvizje të ndryshme të trupit në një ambient të sigurt. Më pas mësohen pajisjet që nevojiten për t’u ngjitur në shkëmb në mënyrë të sigurt e profesionale, e më pas vjen rradha e shkëmbit. Patjetër mund të nisë si eksperiencë edhe direkt nga shkëmbi, por do të jetë më shumë frikë, sesa kënaqësi.
Cila ka qenë ajo sfidë që ja ke arritur, diku ku nuk e kishe imagjinuar?
Nuk mund të ndaj një të vetme, pasi çdo itinerar të jep një ndjesi të menjëhershme gëzimi kur arrin ta ngjisësh, dhe sfidat në climbing nuk kanë të sosur, pasi menjëherë kalon në një projekt tjetër më të vështirë. Sfida me vetveten për t’u përmirësuar e për të ngjitur itinerare më të vështira është krejt normale në këtë sport. Climbing më ka bërë të udhëtoj më shpesh, por ngjitjet që më kanë lënë mbresa ka qenë në Britaninë e Madhe, kur u prezantova me Trad Climbing (një lloj disipline e climbing) dhe ngjitjet me mikun tim në Colorado që bëjnë disi diferencë.
Cila është ndjesia që merr kur arrin në majë?
Ndjesia kur ngjit një itinerar është aq e madhe sa lufta që ke bërë për ta ngjitur. Sa më i veshtirë, aq më satisfaksion të jep. Si fillim të duket e pamundur, e më pas qesharake që të është dashur aq gjatë të përfundosh një projekt. Kur ngjit maja malesh, paqja e të qenit vetëm në mes të natyrës është diçka që nuk mund ta përshkruash me fjalë…
Cilat janë ato destinacione që sugjeroni gjatë verës për Climbing?
Në Verë është vapë për t’u ngjitur, por nëse gjëmon hijen mund t’ja dalësh. Destinacioni i preferuar i komunitetit tonë është Gjipeja. Ngjitje paradite në kanion, pasditja është mënyra jonë e të shkuarit në plazh. Më pas Bovilla, ku në mëngjes mund të ngjitesh në hijen e faqes Perëndimore, e pas pushimit të drekës kalon në faqen lindore ku vjen hija. Nëse jeni të fortë, Brari i cili deri në orën 12 rri në hije, por aty itineraret nuk janë shaka. Për momentin është vendi më i vështirë në Ballkan. Ka plot vende ku mund të ngjitesh dhe në të ardhmen do të ketë disa itinerare të reja në Shqipëri.
Një ftesë për ata që nuk e kanë provuar ende ndjesinë e kacavjerrjes?
Nëse jeta të duket monotone, dhe do të provosh diçka të re që mund të të ndryshojë jetën, jepi një shans climbing. Të mban në formë duke “luajtur”, të bën të njohësh njerëz interesantë dhe të udhëtosh në vende ku nuk do ta imagjinonit. Do të filloni një stil të ri jetese, jo vetëm një sport të ri.

Bevis Fusha King of the Mountain!

Sara Hoxha e infektuar me koronavirus!








Claudia Schiffer 30 vjet mbretërim!



35 veshjet e Beyonce në ‘Black is King’!






