Në industrinë kozmetike ka një duzinë produktesh prodhuar nga brande të ndryshme që premtojnë rini të përjetshme e një lëkurë pa rrudha. Përpos faktit që plakja duhet konsideruar nder e privilegj, duket se është e pashmangshme që secili prej nesh kërkon të fitojë sadopak kohë nga moshimi që troket çdo vit.
Gjetja e produkteve më të mira kundër plakjes nuk është e lehtë, në vetvete. Nëse një farmaci ose një sportel bukurie duket marramendëse, Instagrami nga ana tjetër thjesht e bën tregun edhe më të rrëmujshëm në morinë e sugjerimeve herë të vlefshme, e herë jo. Kjo është arsyeja pse këshillimi nga ekspertët është thelbësor. Marie Claire i është drejtuar dermatologëve më të mirë në botë për të gjetur produktet e tyre të preferuara kundër plakjes në treg sot. Nga më të lirat që përballohen nga kushdo, e deri tek çmimet më të kripura, më poshtë gjeni kremërat më të efektive kundër moshës.



















