KreuStil Jetese

Fabergé, historia e vezëve më luksoze në botë

Për më shumë se një shekull, emri Fabergé identifikohet përmes vezëve ekstravagante të Pashkës, si një markë e cila ka gdhendur emrin e saj, jo si argjendaria e familjes mbretërore Romanov e Rusisë, por si një ikonë luksi botërore. Fabergé e filloi udhëtimin e tij në Rusi në 1842, duke modeluar vezët e Pashkës me xhevahirë të çmuar për Carët Rusë, krijime të mrekullueshme që sot kur dalin në ankande kapin shifra stratosferike.

Marka në ditët e sotme po krijon një standart tjetër në botën e modës me bizhuteritë e shkëlqyera dhe orët e vendosura në rradhë të parë si më të rëndësishmet e tregut luksoz. Ne do ta quanim si marka unike dhe luksoze e trashëgimisë në botë.

Ekskluziviteti dhe luksi i lidhur me markën filloi në 1885, kur Peter Carl Fabergé u kërkua të krijonte vezën e parë të Pashkëve Perandorake për familjen perandorake ruse. Emri u përhap menjëherë në Rusi dhe më pas në të gjithë botën. Gjithçka që mban emrin Fabergé mbart historinë, pasionin dhe dëshirën për të bukurën, por edhe uniken, sepse mjeshtëria e Fabergé, qëndron në artin e realizimit të rafinuar të punëve me dorë. Thelbi qëndron në dëshirën e markës për mos të qenë një prodhim në masë, por të sigurojë ekskluzivitetin. Kjo do të thotë se çdo copëz është krijuar, menduar e punuar me vëmendjen maksimale deri në detaje të çdo përbërësi me të cilin prodhohen orat apo bizhuteritë e tjera. Marka është unike edhe në sasinë e personalizimit që ofron. Ndonëse janë një prurje e re në Fabergé, orat krijohen me të njëjtin koncept si çdo produkt tjetër, duke mbajtur në mendje rëndësinë historike të markës dhe duke i dhënë peshën e duhur zgjedhjes së artizanëve që punojnë për to.

Duke qenë një risi në tregun e gjerë të modës, lista e të famshmëve që mbajnë emrin e Fabergé në eventet e tyre më të rëndësishme është aq e gjerë sa është e vështirë të mbahet ritmi. Por mund të përmendet diku rreth viteve 1970 Farrah Fawcet ishte ambasadore dhe ikonë e linjës së flokëve dhe aromave. Ndër vite marka ka fituar shumë adhurues që në një mënyrë janë bërë ambasadorë jozyrtarë të markës por pa u përmendur nuk mund të lihet Elton John i cili pretendohet se ka më shumë vezë Fabergé në koleksionin e tij sesa Kremlini i Rusisë. Kate Hudson, Louise Roe, Cheryl Cole, Kristin Davis, Mila Kunis, Amy Adams, Julia Roberts janë vetëm disa nga emrat që mbajnë veshur copëza të çmuara nga marka e njohur, por lista nuk ka mbarim.

Nëse do të veçonim një moment të veçantë nga ky brand i mrekullueshëm do të zgjidhnim një bashkëpunim shumë unik. Për herë të parë në historinë e të dyja kompanive Fabergé dhe Rolls Royce ndërveprojnë për të sjellë në jetë ‘Spirit of Ecstasy Egg’. Veza e stilit Perandorak – e dyta që është krijuar që nga viti 1917. E skalitur me dorë, ajo fsheh në mesin e saj statujën e kompanisë RR që mund të zbulohet vetëm me një klik.

Përmes përqendrimit të vazhdueshëm të Fabergé në rëndësinë e shërbimeve të personalizuara apo me porosi, kompania ka qenë në gjendje të mbetet një nga markat më kryesore të luksit në botë për më shumë se 100 vjet. Fabergé vazhdon të punojë me artizanë duke ndërthurur në çdo punim gurë të çmuar me cilësi të lartë, sepse misioni i tij është që çdo copëz luksoze të jetë jo vetëm një aksesor, por një copëz arti.

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF