Tashmë dhe në Shqipëri vjen qendra për teknologji krijuese TUMO. TUMO Tirana është një mjedis unik dedikuar të rinjve nga mosha 12 deri në 18 vjeç. Qëllimi i kësaj qendre nuk është thjesht mbajtja e një ore mësimore, por krijimi i një ambienti ku nxënësit të ndihen të frymëzuar dhe të ndërtojnë baza të forta për të ardhmen e tyre. Në këtë formë, TUMO Tirana ofron një super mundësi të paprekur më herët në Shqipëri. Një frymë inovatore dhe motivuese e të ofruarit të informacionit, investimi më i mirë për fëmijën tuaj brenda një hapësire të vetme!
Për t’u njohur më tepër me qendrën TUMO, kemi zhvilluar një intervistë me menaxheren e qendrës në Tiranë, Zj. Shqipe Berisha.
Si erdhi për herë të parë qendra Tumo në Shqipëri dhe cila ishte ideja e saj?
TUMO është një organizatë jo fitimprurëse e themeluar nga Fondacioni Simonian për Arsimin. Për herë të parë, qendra u hap ne Jerevan, Armeni në vitin 2011. Në Shqipëri, qendra hapi dyert në Tetor të 2020-tës falë bashkëpunimit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) me Bashkinë Tiranë. Njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në Jerevan, Paris, Berlin, Bejrut apo Moskë edhe të rinjtë në Tiranë tashmë mund të zhvillojnë aftësitë e tyre krijuese në një mjedis modern dedikuar tërësisht atyre. Qendra ndodhet në ambientet e “Air Albania Stadium”, në “Arena Center”, me një sipërfaqe prej rreth 1200 m2. Nxënësit kanë në dispozicion një hapësirë unike me laboratorë mësimorë të kompletuar me pajisjet e fundit teknologjike, auditore, studio muzikore dhe regjistrimi, e shumë ambiente të hapura studimi.
Si është pritur qendra TUMO në Shqipëri dhe jashtë?
Gjatë viteve të fundit, qendra TUMO ka marrë një vëmendje të madhe ndërkombëtare për shkak të filozofisë së saj unike në planin mësimor, në thelb të të cilit stimulohet krijueshmeria e fëmijëve, duke i mundësuar atyre të gjitha mjetet dhe ndihmën e nevojshme për të arritur potencialin e tyre maksimal. Për më tepër, shumë personalitete të rëndësishme si kancelarja Angela Merkel apo këngëtari Kanye West, kanë shprehur vlerësimin maksimal për TUMO. Revista franceze “We Demain” ka renditur dhjetë shkollat më të mira në të gjithë botën, ku qendra TUMO qëndron në krye të listës me programin që ofron per moshat para-universitare.
Duket sikur në Shqipëri të rinjtë nuk kanë shumë hapësira që ju dedikohen plotësisht atyre? Çfarë synon konkretisht qendra TUMO për të rinjtë në Shqipëri?
Tashmë teknologjia është pjesë e pandashme e përditshmërisë tonë. Të rinjtë harxhojnë një kohë të konsiderueshme përpara ekraneve të kompjuterave apo celularëve. Përse mos të shfytëzohet kjo kohë për të mësuar aftësi të reja? Tumo sjell një eksperiencë të re mësimore ku ndërthuret arti dhe teknologjia. Qendra synon të aftësojë të rinjtë me njohuritë e shek të 21, ndërsa ata zhvillojnë mendimin analitik dhe krijimtarinë. Në TUMO Tirana, të rinjtë Shqiptarë do të kenë mundësinë të zbulojnë pasionet e tyre në tetë fusha të ndryshme si: Programim, Animacion, Zhvillim Lojrash Kompjuterike, Dizajn Grafik, Regji Filmi, Robotikë, Muzikë dhe Modelim 3D. Nxënësit marrin pjesë në seminare të zhvilluara nga ekspertë të njohur në nivel kombëtar e ndërkombëtar.
Krahas programit mësimor, TUMO ofron dhe aktivitete të tjera ku nxënësit kanë mundësinë të argëtohen, socializohen dhe të motivohen. TUMO Clubs është një nga këto aktivitete, ku nxënësit janë pjesë e klubeve me tematika të ndryshme si: klubi i filmit, i vizatimit, i muzikës dhe i lojërave.
Si organizohet i gjithë programi TUMO brenda hapësirës suaj?
TUMO Tirana sjell risi në fushën e edukimit në Shqipëri, larg mënyrës tradicionale të të mësuarit në klasë. Në TUMO, nxënësit mësojnë në mënyrë të pavarur dhe plani mësimor ndiqet në anglisht, përmes një platforme të quajtur TUMO Path, e cila i lejon ata të krijojnë një plan të personalizuar duke ju përshtatur kurrikulës së shumëllojshme. Sesionet mësimore zhvillohen nëpërmjet të mësuarit gjatë seminareve, laboratorëve dhe projekteve te ndryshme (self-learning, workshops, learning labs) ndërsa fëmijët ndihmohen nga ekspertë profesionistë të fushave përkatëse. Njohuritë që fëmijët fitojnë gjatë seancave mësimore i ndihmojnë ata në zhvillimin e krijimtarisë, të punuarit në grup dhe të menduarit analitik. Gjatë sesioneve mësimore, nxënësit ndiqen nga instruktorë profesionistë, roli i të cilëve është t’i inkurajojnë nxënësit në rritje të performancës dhe t’i orientojnë gjatë procesit të eksplorimit të informacionit dhe krijimtarisë së tyre.
Ndërsa nxënësit ndjekin sesionet mësimore, ata krijojnë portofolin digjital me punët e kryera nga vetë ata. Ky portofol personal i ndihmon nxënësit të dokumentojnë aftësitë e fituara dhe gjithashtu jua bën më të lehtë aplikimin për shkollë apo punë në të ardhmen.
Cili është kriteri që fëmijët të jenë pjesë e qendrës?
Kriteri i vetëm për tu regjistruar në TUMO është mosha, ku nxënësit duhet të jenë 12-18 vjeç. Nxënësit e interesuar duhet të plotësojnë formularin online në adresën: https://tirana.tumo.al/join-us/ dhe më pas ata do të kontaktohen për të organizuar një tur në ambientet e TUMO-s së bashku me prindin, ku do të njihen më mirë me programin mësimor ndërsa shoqërohen nga instruktorët e qendrës. Qendra është e hapur: E Hënë – E Premte, ora 9:00 – 20:30 dhe të Shtunën, ora 9:00 – 17:30. Për më shumë informacion mund të kontaktoni dhe në nr: 044524065.
Eja në TUMO dhe bëhu pjesë e eksperiencës më të bukur dedikuar artit dhe teknologjisë, në një mjedis unik ku ndërthuret edukimi me argëtimin.



















