Kristi Ktona, përgjegjës i Muzeut Fotografik bën një tur virtual për lexuesit e Bordo dhe i fton të gjithë të vizitojnë muzeun për të zbuluar kryeveprat fotografike të artistit shqiptar
Olsi Kolami
Ishte Vera e vitit 1949. Gjon Mili, fotografi zyrtar i revistës “Life” udhëtoi drejt Francës dhe ndaloi për një vizitë në rezidencën e Pablo Picasso i cili gjendej me pushime në Jug të Francës. Picasso i dha fotografit shqiptar vetëm 15 minuta kohë për të provuar një eksperiment që ai kishte në kokë. Mili i realizoi fotografitë e tij në një dhomë të errët, duke përdorur dy kamera, njëra anësore dhe tjetra ballore. Grilat i la të hapura dhe kapi shiritat e dritës që vërtiteshin nëpër hapësirë. Piktori aq u magjeps nga fotografitë, saqë pozoi edhe për pesë seanca të tjera, duke projektuar 30 vizatime me centaurë, dema, profile greke dhe nënshkrimin e tij…! Ky takim mes dy artistëve ndryshoi konceptin fotografik tradicional, madje sot, disa nga fotot e koleksionit “Drita” gjenden në Muzeun Fotografik Gjon Mili në qytetin e Korçës. Shumica gjenden në katin e parë të muzeut, një ndër ndërtesat më të bukura të qytetit, e njohur ndryshe si shtëpia Rumune, një vilë me fasadë të verdhë, e cila fsheh në brendësi 240 fotografi të artistit shqiptar i cili për disa dekada “pushtoi” kopertinën e revistës prestigjioze amerikane “Life” me artin e fotografisë së tij.
Në këtë udhëtim me Gjon Milin na shoqëron Kristi Ktona, i cili është përgjegjës i Muzeut, i cili në një mënyrë apo një tjetër, jo thjesht për shkak të punës, ka krijuar një lidhje të fortë me artin e fotografit Mili. “Universi i Gjon Milit të mahnit, të intrigon, të bën për vete, është unikal dhe i papërsëritshëm në llojin e vet”- rrëfen Ktona. Ekspozita ofron një pamje panoramike të krijimtarisë së Milit, nga Roma në Hollywood, nga portretet e artistëve tek ato të atletëve, balerinëve apo figurave të njohura publike të asaj epoke. Sipas Ktonës, koncepti muzeal është realizuar nga Yllka Gjollesha, duke e ndarë muzeun në dy kate: në të parin gjendet koleksioni i plotë i artistit me sesionet fotografike të dedikuara piktorit spanjoll Pablo Picasso, ku spikat tema e teknikës së vizatimit në dritë, ndërsa në katin e dytë janë ekspozuar portrete apo tematika të kohës, deri tek eksperimentet e Milit, që edhe ndryshuan tërësisht vizionin e fotografisë.
“Sa herë flas për Gjon Milin më duket sikur zbuloj diçka të re, më duket sikur nuk e njoh dhe aq mirë, sepse ai të bën të mendosh, të reflektosh dhe të magjinosh se me teknikën e tij stroboskopike kaloi nga shkenca tek arti, një ndërthurje që e bëri shumë të veçantë në llojin e vet”- rrëfen Ktona. Do t’ju duket e pabesueshme, pasi mes fotografive që gjenden në muzeun e Milit në Korçë do të shihni emra thuajse të pabesueshëm. Përgjegjësi i Muzeut shpjegon se Mili, karriera e të cilit nisi me revistën LIFE në vitin 1939 i dha atij mundësinë për njohur nga afër emrat më të njohur të artistëve, filozofëve apo politikanëve si Henri Matisse, Salvador Dalí, Edith Piaf, Billie Holiday, por edhe personazhe që nuk do ta besonit që ai mund t’i kishte takuar, jo më fotografuar. “Në katin e dytë të ekspozitës gjenden foto të Enver Hoxhës të realizuara nga Gjon Mili gjatë punimeve të Konferencës së Paqes në Paris, ku ai ishte dërguar për të fotografuar disa nga drejtuesit më të lartë të shteteve, mes të cilëve ishte edhe diktatori shqiptar”- shpjegon Kristi Ktona.
Ndryshe nga shumë fotografë të tjerë të epokës së tij, duket se çdo shkrepje e Milit ka jo vetëm një histori, por edhe miqësi, ndaj edhe konsiderohet ndër të paktët artistë, i cili ka patur fatin të krijojë raporte private me shumë prej subjekteve të cilët ka fotografuar, ku Picasso është vetëm një prej tyre. Drejtuesi i Muzeut rrëfen për Bordo se në çdo foto të Milit zbulon edhe raportet e tij me personazhet, siç ndodh me artistët e muzikës xhaz, si: Mile Davis, Billie Holiday apo Frank Sinatra, të cilët kanë qenë të preferuarit e tij. Por, shumë prej vizitorëve, do të shprehen kuriozë nëse fotot e muzeut janë autentike, ndaj edhe Ktona e zbulon këtë mister. “Në 240 fotografitë e ekspozuara, nuk mund të themi që kemi origjinale, por në vetvete ato janë të tilla pasi janë marrë nga polaroidët, janë të gjitha foto të realizuara nga Mili për revistën “Life”, ndaj edhe fondi që kemi është marrë me të drejtën e autorit nga po kjo revistë” – rrëfen për Bordo, Kristi Ktona, i cili zbulon se për një ndër ekspozitat e hapura në Paris nga Mili në vitin 1950, tekstin përshkrues e ka shkruar filozofi dhe miku i tij Zhan Pol Sartri, për të cilin ai ka realizuar gjithashtu edhe disa fotografi.
Kërshëria e vizitorëve që nga hapja e këtij muzeu në vitin 2018 e deri sot ka ardhur duke u rritur, duke shtuar jo vetëm kuriozët dhe adhuruesit e fotografisë nga vendi, por edhe përtej kufijve, sepse ende shumë pak vetë e dinë, që disa nga imazhet që mund t’i kenë parë krejt rastësisht në kopertinën e revistës prestigjioze “Life”, mbajnë firmën e artistit shqiptar Gjon Mili. Falë dhomave interaktive, vizitori mund të marrë, si një suvenir të bukur edhe një foto të shkrepur me të njëjtën teknikë që Mili përdori për realizimin e fotove të tij ikonike, ndaj mos ngurroni të vizitoni muzeun e artistit të madh në qytetin e Korçës.



















