Psikologia Sonila Luzi këshillon: Si të reagoni ndaj emocioneve të fëmijës në kohë pandemie

Prindërit kanë një rol themelor në zhvillimin e sferës emocionale të fëmijës dhe në mënyrën se si ai do të shprehë, kuptojë dhe rregullojë emocionet gjatë gjithë jetës.

MSc.Sonila Luzi – psikologe edukimi

 

Të gjitha qeniet njerëzore kanë emocione themelore dhe shprehje universale që zhvillohen dhe marrin një vlerë tjetër bazuar në kontekstin kulturor në të cilin gjenden. Në fakt, në disa kultura shprehja e disa emocioneve konsiderohet pozitive dhe në kultura të tjera jo. Për shembull, zemërimi në kulturat perëndimore nuk shikohet në të njëjtën mënyrë si në kulturat lindore. Mënyra në të cilën emocionet i paraqiten fëmijës do të ndikojë në mënyrën se si ai do të lëvizë në botë dhe mënyrën se si ai do të ndërveprojë dhe interpretojë kontekstin në të cilin jeton.

Interpretimi i shprehjes së gjendjes emocionale të fëmijës nga i rrituri, ndjeshmëria e nënës, aftësia për të lexuar dhe kuptuar sinjalet e saj, aftësia për të reaguar në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur do të ndikojë në zhvillimin e përgjithshëm të kësaj të fundit dhe zhvillimin emocional të tij. Bagazhi emocional i të vegjëlve është i ndërlidhur me kulturën përreth, me llojin e marrëdhënies së vendosur me fëmijën nga kujdestari dhe me atë që psikologjia përcakton filozofinë meta-emocionale. Prindërit kanë një rol themelor në zhvillimin e sferës emocionale të fëmijës dhe në mënyrën se si ai do të shprehë, kuptojë dhe rregullojë emocionet

Trajnimi i fëmijëve për të shprehur  emocionet    

                        

Disa prindër praktikojnë socializimin emocional qëllimisht, duke përdorur strategji të synuara në bashkëveprimin me fëmijën për të promovuar shprehjen, kuptimin dhe vetë-rregullimin e emocioneve në lidhje me normat e kontekstit shoqëror dhe kulturor përreth. Ata, duke qenë në kontakt të ngushtë me fëmijën, transmetojnë të gjitha njohuritë e tyre në lidhje me emocionet, duke përcjellë modele ekspresive të këtij të fundit, duke transmetuar informacion rreth tyre dhe duke kontribuar dhe ndikuar në zhvillimin e kompetencës emocionale, duke i bërë fëmijët e tyre të aftë të rregullojnë më mirë gjendjen e tyre emocionale dhe rrjedhimisht të jenë më të aftë në ndërveprimet shoqërore me bashkëmoshatarët dhe më të aftë shoqërisht. Këta prindër janë të vetëdijshëm për emocionet e tyre pozitive dhe negative dhe janë në gjendje t’i zbulojnë ato edhe tek fëmijët e tyre. Prindërit të cilët e përvetësojnë këtë stil edukativ zbatojnë një filozofi meta-emocionale, të quajtur Filozofia Emocionuese.

Mënyra në të cilën prindërit trajtuan emocionet e tyre dhe emocionet e fëmijëve të tyre gjatë kësaj periudhe veçanërisht të vështirë, sigurisht që do të ndikojë në idenë që të vegjëlit formulojnë për frikën, trishtimin, zemërimin dhe shumë emocione të tjera. Ka shumë prindër të cilët, gjatë periudhës së karantinimit, të frikësuar nga emocionet e tyre negative, reaguan duke shmangur problemin, për shembull duke mos folur për fëmijët e tyre ose duke shtyrë vëmendjen në fokuset e tjera, duke shkaktuar shumë më shumë ankth dhe më shumë konfuzion tek të vegjlit.

Psikologët e shkollave duhet të ndihmojnë, udhëzojnë dhe trajnojnë  prindërimin pozitiv. Besimi dhe përgjegjshmëria janë dy gjëra që i japin zemër si prindit dhe fëmijës, në po të njëjtën betejë. Një prind duhet të mësojë, të përfaqësojë, të ndërmjetësojë, të nxisë dhe të mbështësë fëmijën e tij. Edhe më të vështirë e bën kërcënimi i pashpirt e plot enigma i një virusi që kërcënon fort shëndetin tonë fizik por lëkund fort edhe shëndetin tonë  mendor. Një prind sot mëson edhe më shumë. Njoh mirë se çfarë substance të paqëndrueshme kanë emocionet tona, megjithatë, unë shoh një lloj arratie të bukur, drejt së cilës, përmes dijes dhe dashurisë prindërore mund të përparojmë. Besoj se një prind krijon një botë të veçantë për fëmijën e tij dhe në atë botë, e cila ndodhet brenda nesh, ne duhet të kërkojmë të ardhmen…

Previous ArticleNext Article