Kanë kaluar 20 vite nga sulmet e 11 shtatorit në Amerikë dhe shenjat ndihen ende të freskëta jo vetëm për amerikanët por për mbarë botën. Sot do të mbahet një përkujtimore në nder të 2 977 viktimave që humbën jetën nga ngjarja më e madhe terroriste në historinë e SHBA-së.
Sipas traditës tashmë 20-vjeçare, një minutë heshtje do të mbahet në kohën e saktë kur xhihadistët e Al-Kaidës sulmuan me dy aeroplanë, kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë.
Presidenti amerikan Joe Biden ka përkujtuar ngjarjen duke e lidhur me mesazhin e madh që ka marrë prej saj, unitetin. “Ne nderojmë të gjithë ata që rrezikuan dhe dhanë jetën në minuta, orë, muaj dhe vite më pas. Pavarësisht se sa kohë ka kaluar, këto përkujtime kthejnë gjithçka me dhimbje sikur të keni marrë lajmin pak sekonda më parë”, shprehet Biden, “Ne mësuam se uniteti është e vetmja gjë që nuk duhet të prishet kurrë,” ka shtuar ai më tej.



















