KreuArt

Intervistë ekskluzive/ Vin Veli, heroi i Arborit!

Nga: Nada Biraçi 
Fotografia: Leo Arapaj

Për DJ e njohur të bësh detyrën nuk është aspak një heroizëm, por një detyrim për çdo prind, që do të bëhet edhe shembulli më i mirë për fëmijët e tij.
Fundjavat me Arborin janë unike për babi Vinin. At e bir gjejnë gjithmonë kohë t’i dedikohen njëri – tjetrit, duke e forcuar raportin e tyre mes lojërash dhe argëtimesh të panumërta që sipas babi Vinit, së fundmi pasimet me top janë kthyer në më të preferuarin për të birin. Edhe pse Arbori tanimë është rritur, ai nuk harron të kujtojë emocionet e mirërritjes së djalit të tij, nga momentet kur i është dashur të ndërrojë bebelinat, deri tek ato gënjeshtrat ë ëmbla që i është dashur ti thotë Arborit teksa ai refuzonte të pinte shuripin. Në këtë intervistë, Vin Veli tregon për kujtimet e fëmijërisë që lidhen me festën e 1 Qershorit, si dhe dëshirat e tij te vegjëlisë, një pjesë e të cilave ai ka arritur t’i realizojë me sukses.

Përshëndetje Vini dhe gëzuar 1 qershorin! Si e mban mend këtë festë kur ishe vetë fëmijë? Çfarë kujton me nostalgji nga ajo kohë? 

Të them të drejtën nuk mbaj mend ndonjë gjë të veçantë, pothuajse gjithmonë të njëjtat gjëra, këngë e valle (qesh) vjersha e recitime!

Po me ardhjen e Arborit në jetë si ka ndryshuar përjetimi i kësaj feste? 

Padyshim që me ardhjen e Arborit në jetë kjo festë ka marrë një tjetër kuptim për mua, sidomos në vitet e para ku mundohesha shumë që të kuptoja se çfarë mund t’i pëlqente më shumë, por kishte edhe shumë dhurata nga njerëzit e mi të dashur e të afërt.

Të kujtohen çfarë ëndrrash ke patur në vegjëli; ke realizuar ndonjë prej tyre? 

Po, më pëlqente shumë futbolli ku dhe stërvitesha në pozicionin e portierit dhe si çdo fëmijë kisha shumë ëndrra për të ardhmen në sport! Njohja me profesionin e DJ-it në moshën 14 vjeçare paralelisht edhe me fillimin e shkollës së muzikës, zgjoi një ëndërr më të madhe të cilën mendoj se e kam realizuar.

Shpesh prindërit ëndrrat e tyre të fëmijërisë duan t’i realizojnë tek fëmijët. Me juve ka ndodhur kështu? 

Është e vërtetë dhe kjo ndodh shpesh, por me mua çuditërisht jo, ndoshta edhe sepse Arbori i shpreh vetë ëndrrat e tij. Për shembull, ai ka dëshirë të bëhet arkitekt gradaçelash.

Arbori i ka të dy prindërit të famshëm; sa e vështirë ka qenë për ju për ta mbajtur atë larg publicitetit që ndonjëherë është i tepruar? 

Jam munduar aq sa ai mos të ndjehet i bezdisur, por që më shumë se sa ai, unë jam vetë natyrë që nuk dua të ndaj shumë në rrjetet sociale rreth jetës time private dhe të përditshmes që jetoj.

Në ç’mënyrë ka ndikuar fama e prindërve tek Arbori? E bezdis apo e kënaq fakti që kur është në publik me mamin apo babin ka njerëz që ju ndalojnë për t’ju përshëndetur? 

Mbase është ende herët për të kuptuar si ndjehet në të vërtetë, deri tani nuk ndihet i bezdisur.

Çfarë ke mësuar nga të qenit baba?

Si të ndërrosh pelena, si të gënjesh që shurupi për uljen e temperaturës është lëng magjik, por edhe që koha duhet menaxhuar akoma më mirë. Shumë e shumë gjëra të tjera, nuk mjafton një faqe për këtë pjesë (qesh)

A je ti lloji i babait që ke ndërruar pelenën, ke qëndruar pa gjumë kur djali ka qenë me temperaturë; apo që gatuan për të?

Patjetër që të gjitha këto i kam bërë, por nuk mendoj se është heroizëm ose aftësi e veçantë dhe nuk e kam shprehur këtë pjesë në publik ose rrjete sociale, sepse është një dëshirë që vjen natyrshëm e përpos kësaj, çdo prind duhet ta ketë obligim moral e shpirtëror marrëdhënien, vëmendjen, kohën dhe kujdesin ndaj të voglit. Por, nuk dua të harroj kurrsesi mamanë time me kujdesin e jashtëzakonshëm, mbështetjen e palodhur ndaj Arborit, ka merita të veçanta në rritjen e tij dhe për këtë dua t’i bëj një falenderim të veçantë.

Gjatë prindërimit, nëna dhe babai mësojnë fëmijën, por ndodh që prindërit mësojnë plot gjëra. Çfarë keni mësuar ju nga Arbori? 

Aq shumë sa nuk thuhen të gjitha (qesh)

Cilat janë sfidat me të cilat jeni hasur në fillimet tuaja si baba single? 

Asnjë sfidë !

Si është një ditë e jotja dhe e Arborit; çfarë bëni më shumë sëbashku? 

Ditët ndryshojnë edhe në varësi, nëse është ditë jave ose fundjavë, por të gjitha janë intensive, të bukura dhe me të qeshura plot, por edhe të lodhshme ndonjeherë. Na pëlqen shumë të dalim jashtë qytetit apo të bëjmë ca pasime me top, të cilat kanë filluar të na pëlqejnë pak më shumë së fundmi.

Botuar ne BORDO,qershor 2022!

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF