Ditëlindja 150 vjeçare e xhinsit, lëkura e dytë e njerëzimit, nga koha e minatorëve tek kultura pop dhe lëvizjet hipi, derisa arriti të bëhej pjesë e pandashme e pasarelave dhe tendencave të çdo sezoni nga bota e modës.
Në periferi të Xhenovës, thuajse 150 vjet më parë, manifakturat e vogla nisën të endnin një pëlhurë të pazakontë me fije të ngjeshura fort, që i ngjanin kadifesë. Europianët e mësuar me copa më sensuale dhe luksoze, nuk do t’i afroheshin as ta preknin këtë cope asokohe. Ashtu siç ka ndodhur shpesh mes italianëve e francezëve, gara për të ‘shpikur’ nxiti këta të fundit të prodhonin ‘denim’, ose siç quhet sot, xhinsin. Ndaj forma më e zakontë e këtij materiali që gjejmë sot është ‘jean’ dhe ‘denim’. Denim ishte pikërisht materiali me të cilin punohej kjo pëlhurë dhe lidhej me vendin ku nisi të prodhohej, Nime në Francë. Padyshim francezët e përsosën, duke bërë që tekstili bazë prej pambuku të realizohej përmes shumë fijesh. Por, u desh kohë, derisa ky material të kthehej në pantallona…
Dhurata e minatorëve
Termi modern “xhins” iu referua modelit të shpikur nga dyshja Jacob Davis dhe Levi Strauss, dy mbiemra të cilët që nga viti 1873, e deri më sot, kanë qenë të stampuar në çdo pale pantallona xhinsi. Levi Strauss emigroi në vitin 1851 nga Gjermania drejt Nju Jorkut, ku kishte një dyqan mallrash. Pikërisht në atë perudhë nisi të sjellë edhe xhinset e para, që nuk u bënë aq popullore asokohe. Por do të ishte Jacob Davis, një tregtar i cili blinte butona për rroba me shumicë nga “Levi Strauss and Co”, duke i kërkuar këtij të fundit të bëheshin partnerë dhe të shisnin veshje. Ideja e Davis ishte të vendosnin thumba tek xhepat dhe pjesa ku ato mbylleshin, për të përforcuar pjesët ku kishte më shumë presion.
Mendohet se xhinset, asokohe nuk ishin kurrsesi blu. Thuhet se Levi u shiste pantallona ngjyrë kafe minatorëve, pasi i lyente me ngjyrë blu, por e vërteta është se ngjyra blu e xhinsit u zbulua prej pambukut ngjyrë kafe.
Ndoshta sot nuk do të ishim në gjendje të vishnim xhinset, nëse nuk do të ekzistonin nevojat e minatorëve. Ishin pikërisht ata që ankoheshin më shumë për grisjen e shpeshtë të pantallonave gjatë punës së vështirë, ndaj edhe kërkuan një material rezistent. Levi Strauss vendosi të prodhojë pantallonat e xhinsit, të cilat i rezistonin punës së vështirë, derisa mori licencën në vitin 1873, periudhë e cila konsiderohet si datëlindja e bluxhinsit.
Pas minatorëve, xhinsi po përdorej edhe nga punëtorët e fabrikave. Xhinset e meshkujve kishin zinxhir në pjesën ballore, ndërsa femrat në anën e djathtë.
Kultura pop
Vetëm në mes të viteve ’30, me hyrjen e kulturës pop në shoqëri, xhinsi arriti të shfaqej edhe nëpër rrugët e metropoleve. E gjithë kjo ndodhi falë ndikimin të filmave me kauboj, heronjtë e Perëndimit të Egër, që kalëronin me xhinse blu. Ishte ky momenti, kur të rinjtë nisën të kërkonin nëpër dyqane pantallona xhinse. Ishte momenti kur xhinsi u kthye në kult. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kauboj-ët nuk ishin më heronj, ata u zëvendësuan nga ushtarët, të cilët u morën si model nga të rinjtë, por jo vetëm. Ushtarët vishnin xhinse kur ishin jashtë detyrës, duke fituar simpati.
Rebelimi i madh
Vetëm në vitet 1950, xhinset arritën të kthehen në një ëndërr për të gjithë brezat. Imazhet e aktorëve seks-simbol, si Marlon Brando dhe James Dean, të veshur me xhinse, ishin modeli më i mirë për t’u ndjekur. Imazhi i James Dean me një palë xhinse “Lee 101 Riders”, në filmin “Rebel pa shkak”, u bë referim, jo vetëm për të rinjtë rebelë. Madje, disa shkolla arritën deri aty sa t’i ndalonin studentët të vishnin pantallonat xhins, duke pretenduar se ato kishin lidhje me rebelimin. Kinematë dhe restorantet guxuan gjithashtu ta cilësonin xhinsin si të papërshtatshëm.
Xhinsi u bë trendi i radhës, duke shoqëruar yjet e muzikës country dhe lindjen e rock and roll-it. Ishte kjo koha kur Elvis Presley tronditi Amerikën kur u shfaq për herë të parë me xhinset “tub”, po ashtu Marilyn Monroe mbante pantallona të ngjitura pas kyçit të këmbës.
Gjatë lëvizjes “hipi” të viteve 1960, xhinsi u bë uniformë, duke futur në lojë modën. Ngjyrat hipnotizuese, qëndisjet dhe xhinset e shkurtra, u bënë risitë e kohës. Në këtë moment, ndryshoi vendosja e zinxhirit, si femrat dhe meshkujt kishin pozicionin e sotëm. Në vitet ’70, prodhuesit krijuan modelet me fund të hapur dhe i shpëlanë me acid për të krijuar zbehjen e ngjyrës blu. Dashnorët e xhinsit nisën t’i përsonalizonin ato duke i ngjyrosur, ose duke evituar prerjet standard. Butiku ‘Limbo’ në Nju Jork, ishte i parë që lau një palë xhinse të reja, në mënyrë që të merrnin nuancat e të përdorurës, e pas kësaj ideja u bë një hit. Nisën të shfaqeshin xhinset e arnuara dhe modele retro.
Moda dhe xhinsi
Vetëm në vitet 1980, nisi stilimi i xhinsit. Xhinsi u kthye në stuhinë e industrisë së modës. Stilistët nuk mund ta injoronin më fuqinë e blusë, ndaj ata filluan të krijonin linjën e tyre të xhinsit. Në vitin 1981, Calvin Klein lançoi koleksionin e parë të cilat i ekspozoi me fushatën legjendare të Brooke Shields me moton “Të pastër, të parezistueshëm dhe me përmbajtje egërsie”. Risi ishin grisjet e qëllimshme të xhinsit. Shenja dalluese e xhinseve të vitit 1980, ishin rripat e grisur dhe të ngjyrosura me rozë dhe të bardhë. Shpejt xhinsi filloi të lidhej me shkëlqimin e klasit të lartë dhe u bë menjëherë pjesë e gardërobës së personave të pasur. Gjatë viteve ’80-’90 mesatarja e xhinseve që zotëronte çdo amerikan ishte 7 palë.
Xhinsi nuk ka dalë kurrë nga moda. Megjithatë popullariteti është luhatur shpeshherë. Xhinsi nuk ishte vetëm një shprehje e sportivitetit, por edhe e klasikes. Në vitet 1990, filloi të përzihej me pëlhura të tjera. Teksa hip-hopi po pushtonte mbarë botën, xhinsi iu bashkua kësaj kulture për të fituar edhe më shumë famë. Ai u bë simbol i rehatisë, i rinisë dhe i kohës së kaluar bukur. Vitet 2000 ishin koha e duhur që xhinsi të përfshihej edhe në veshje të tjera, si xhaketat, çantat, byzylykët, kollaret, këpucët, kapelat dhe portofolat.
Historia e xhinsit ka njohur shpesh ciklin e rikthimit të modës dhe stilimit të viteve të mëparshme. Bota e modës për vitet e fundit vendosi të kthejë pantallonat “tub”, të vjetëruara, të zbehta dhe të grisura.
Sa rastësor, aq edhe formal, xhinsi do të mbetet një nga veshjet legjendare të tre shekujve të fundit. Pasi u mbijetoi të gjitha provave, ai arriti nivele marramendëse të famës në të gjithë botën dhe tregoi se do të jetë shumë e vështirë për njerëzimin të nxjerrë nga gardëroba e tij pantallonat xhins.
Kuriozitet



















