Intervistë ekskluzive/ Dren Abazi superylli që thyen zemrat!

Nga Ilda Lumani
Fotografia: Shenoll Zehri

Ndodh shumë rrallë, që një artist i ri të shenjojë emrin e tij në muzikë që me daljen e tij të parë! E mandej të mbajë të njëjtën kurbë suksesi, e në mos dhe më lart vit pas viti!
Mbi 10 vjet më parë, kur Dren Abazi u shfaq në skenën shqiptare në Festivalin Top Fest në duet me yllin e muzikës shqiptare Anjeza Shahini, ai sapo firmosi kontratën e tij të suksesit! Sot, emri i tij është një nga më të lakuarit në vendet shqipfolëse, me koncerte që i kanë kaluar kufijtë e Europës e ka mbëritur deri në Brazil! Me fanse te zjarrta, që e ndjekin karrierën e tij me fanatizëm, po aq sa edhe jetën personale!
Edhe pse e njoh që në fillimet e famës së tij në Shqipëri, apo edhe pse ndajmë miqësi të përbashkëta, për mua është intervista e parë e plotë që realizoj me Drenin. Dhe nuk e fsheh që artistë si Dreni, me formimin, rrugën në të cilën kalojnë për t’u bërë ata që janë sot, që e duan muzikën dhe që muzikën e konsiderojnë gjithçka, janë të rrallë!
E sigurt, që do të ndani edhe ju këtë mendim në fund të kësaj bisede, e cila vjen në një moment tejet të ngjeshur eventesh, nga koncerti i përvitshëm në Pezë, tek Festivali në Portopalermo, e të tjera dalje në gushtin e nxehtë!
Është rrëfimi i Dren Abazit për veten! Shijojeni!

Dren, sa vite u bënë në muzikë… Kur kujton nisjen, deri ku ka qenë ambicia jote?

Tashmë janë bërë rreth 15 vite prej kohës kur unë e kam nisur edhe pse këto 10 vitet e fundit mund të them që kanë qenë shumë intensive, sidomos pas daljes dhe pas ardhjes në Shqipëri, në Tiranë. Janë 10 vite që kanë kaluar shumë shpejt dhe në të cilat kanë ndodhur shumë gjëra të bukura. Kur kujtoj nisjen, e cila daton edhe më herët mund të them që në shkollën e mesme, ku kam qenë pjesë e shumë bandeve lokale disa prej të cilave sot janë  të njohura në Kosovë dhe Shqipëri. Unë deri vonë kam pasur ambicie të jem vetëm kitarist, shumë vonë kam filluar të këndoj. Nuk e kam parë veten asnjëherë si këngëtar dhe shumë herë kam thënë jam kitarist që këndoj, jo këngëtar që luaj edhe në kitarë.

Kush ka qenë inspirimi? Modeli yt në muzikë?

Kam pasur fatin të rritem në një familje që ka dëgjuar muzikë, ka pas shije për muzikë. Babi ka qenë një prej kitaristëve të njohur të viteve “80, një prej rockstar-ve të kohës së artë të rock-skenës muzikore në Kosovë. Normalisht ai ka qenë inspirimi i parë, pastaj kam pasur fatin të dëgjoj shumë muzikë! Unë mendoj se njeriu lind me një sasi të caktuar të talentit, talenti nuk është se ndryshon, nuk mund të bëhesh më i talentuar me kalimin e kohës, e vetmja gjë që ndryshon gjatë rritjes, zhvillimit si njeri, si person, si muzikant, si artist është shija. Në shkollë të mesme normalisht që kam qenë shumë më shumë i dhënë pas muzikës rock, atëherë psh më ka pëlqyer shumë  Nirvana  dhe jam munduar me çdo kusht t’i ngjasoj Kurt Cobain! Sidoqoftë, bandi që më ka frymëzuar gjithmonë dhe që është bandi më i madh, çka janë edhe sot e kësaj dite, janë shumë e shumë aktualë dhe besoj do të jenë për shumë gjatë, mbeten “The Beatles”! Pastaj si kitarist, ka shumë kitaristë që më kanë inspiruar me kalimin e viteve, por për mua i preferuari ngelet Eric Clapton!

Për publikun e Shqipërisë ju u bëtë mjaft i famshëm më duetin me Anjeza Shahinin… Si e kujton atë moment kulmi audience në Shqipëri. E kishe pritur? Ëndërruar?

Ishte kënaqësi të kompozoja këngë për Anjeza Shahinin!
Normalisht trampolina më e madhe në atë kohë ishte pjesëmarrja në Top Fest në vitin 2011 me Anjeza Shahinin. Unë e njoha rastësisht Anjezën në një festival në RTSH. Ka qenë viti 2010, isha relativisht i panjohur dhe takova Anjezën në tualetin e RTSH-së (qesh) edhe e përshëndeta Anjezën. Ajo ishte një STAR, unë jo! Anjeza pas një kohe mbaj mend që më kontaktoi, që t’i shkruaja një këngë. Kishte qejf që unë të kompozoja një këngë për Anjezën. Normalisht për mua ishte shumë, shumë nder dhe e mora shumë seriozisht atë punë dhe shkruajta këngën “Ti dhe Unë”. E kompozova.., pastaj mbaj mend që Anjeza ua nisi atë këngë disa artistëve në Tiranë dhe të gjithë ishin “wow”! Ishin vërtet të befasuar dhe entuziazmuar me këngën sepse ishte, ndoshta tingëllon jo modeste por ishte diçka tjetër, ndoshta një zhanër që nuk ishte shumë konvencional në Shqipëri ndoshta edhe në Kosovë. Ka qenë mjaft autentike edhe si këngë ishte e bukur. E bukur në sensin shumë këngë e përshtatshme për festival. Anjeza kishte qejf të merrte pjesë në Top Fest dhe pastaj normalisht më joshi dhe mua që të marrim pjesë sëbashku. Për mua ishte një hap i madh normalisht, edhe kështu vendosëm që ta dërgojmë këngën në Top Fest. Feedback-u nga producentët e Festivalit ishte shumë i mirë dhe mund të them që ajo këngë brenda natës më shndërroi në një Star në Shqipëri edhe pastaj ishte tjetër histori!
Unë gjithmonë them që fillimi ka qenë pjesa më e bukur e kësaj pune dhe të qenurit debutues, pra fillimi ishte shumë interesant, domethënë nga anonim të nesërmen zgjohesh Star! Nuk e  kisha pritur absolutisht! A e kisha ëndërruar?! Nuk e di! Kurrë s’kam pas ambicie në atë kohë. Pra s’është se doja të bëhesha i famshëm ose diçka në atë kohë, më shumë kam luajtur muzikë, kurrë s’kam bërë kompromise dhe vëtet habitem si ka patur sukses aq të madh muzika që kam bërë dhe këngët. Sepse, sidomos në fillim gjithçka është nisur vetëm me spontanitet, hajde po luajmë muzikë po bëjmë diçka. Nuk kam patur absolutisht ambicie apo ndonjë plan apo strategji për të arritur në ndonjë pikë të caktuar! Nuk e kam ëndërruar a e kam dëshiruar, por patjetër është ndër gjërat më të bukura që më ka ndodhur!

Të ka pëlqyer fama?

Fama, siç e thashë edhe më parë, fillimet janë të lezetshme, normalisht fama, pra të qenurit person publik, i njohur të krijon disa fasilitete, lehtësira në momente të ndryshme por edhe të krijon komplekse. Në Kosovë kjo gjë është më pak e shprehur, mos të them shumë pak në Prishtinë. Ndoshta sepse Prishtina është vend i vogël edhe secili e njeh njeri-tjetrin, ndërsa në Tiranë kjo është më e shprehur duhet të kesh kujdes si sillesh , ku të dalësh edhe kjo ta krijon një farë kompleksi, por sidoqoftë nuk ka asgjë të keqe. E rëndësishme është që njerëzit të të njohin për gjëra të bukura sepse i famshëm mund të jesh për gjithëfarë budallallëku dhe nuk është qëllimi aty.

Cilat janë konkretisht të mirat e famës?

Normalisht të hap disa rrugë. Për mua  muzika është gjëja më e bukur që më ka ndodhur, muzika më ka falur kënaqësi të jashtëzakonshme, me muzikë jam shumë i lumtur që e kam shëtitur të gjithë botën gati dhe kam bërë koncerte në vende të ndryshme, në të gjithë Europën po e po, por edhe në vende të ndryshme deri në Brazil. Kam takuar njerëz të jashtëzakonshëm, muzika është urë, krijon ura mes njerëzve, muzika është gjuha që e njohin të gjithë. Shkencërisht është e vërtetuar që përpara se njerëzit të mësojnë të flasin kanë mësuar të këndojnë dhe prandaj muzika vërtët është një gjë e bukur.

Po të këqijat?

Të këqija të famës, ndoshta ta vjedh lirinë nuk mund të bësh gjithçka, çdokund në çdo kohë, ti krijon disa limite, ti krijon disa mure!

Të pëlqen instagrami? Sa kohë rri në telefon?

Nuk është se më pëlqen shumë, unë jam shumë klasik, më pëlqen bota, para kësaj manisë së teknologjisë apo internetit jam goxha klasik. Nuk më pëlqen as instagrami shumë, nuk kaloj shumë kohë në Instagram, nuk postoj shumë. Vonë kam hapur Instagram edhe e shfrytëzoj mund të them kryekëput për punë, nxjerr datat, posterat e koncerteve edhe vendet që vizitoj, normalisht ndonjëherë nxjerr ndonjë foto (qesh)!

Kur të shkruajnë vajzat në privat. Ju kthen përgjigje? Ke tentuar njohje përmes rrjeteve sociale?

Ndonjëherë kthej përgjigje, varet çfarë pyesin, dikush më pyet për gjëra kot, disa gjëra të bukura, gjëja që zakonisht unë kthej përgjigje është kur më shkruajnë për  t’i uruar ditëlindjen dikujt. E bëj me kënaqësi, nuk është se përtoj. Ju dërgoj video fanseve të cilat kanë qejf t’ju uroj ditëlindjen e ndonjë shoku ose shoqeje, zakonisht shoqeve (qesh!). A ka ndodhur të njoh dikë nëpërmjet instagramit?! Edhe mund të ketë ndodhur që po!

Të tremb keqpërdorimi i komunikimeve elektronike?

Nuk më tremb sepse nuk i krijoj askujt, hapësirë ose mundësi për të keqpërdorur diçka timen në internet.

Fakti që bën muzikë jo komerciale ju ka kufizuar apo ju ka dhënë më shumë dorë në sukses?
Edhe unë jam komercial, në sensin gjithçka çfarë shitet është komerciale, nëse nuk shitet nuk është, por sidoqoftë jo domosdoshmërisht gjithçka komerciale është e keqe apo fast food. Për mua është shumë e rëndësishme të kesh identitet artistik dhe njerëzit ta njohin muzikën që ti bën dhe të mos jesh thjesht një emër aty në vorbullën e të gjithë të tjerëve, por të kesh dorën tënde dhe emrin tënd në artin që bën, me një fjalë të bësh diferencën.

Ti i shkruan të gjitha këngët vetë. Ndihesh pak Bob Dylan?

Unë i shkruaj të gjitha këngët vetë, dhe i kompozoj pra edhe tekstin edhe muzikën, kjo më krijon komoditetin e të qenurit i pavarur nga kompozitorët e tjerë, sepse shumë performues që janë shumë të mirë më thonë psh, ti e ke shumë të lehtë sepse i shkruan vetë këngët sepse ne varemi nga kompozitori, tekstshkruesi, që unë zakonisht i bëj vetë, normalisht që kam një grup që më rrinë afër dhe shokë që bashkëpunoj dhe regjistroj, por punën më të madhe e bëj vetë. Jo nuk ndihem Bob Dylan, ai është shumë i madh, dhe rëndësinë më të madhe apo primare të tij e ka teksti, është një poet i jashtëzakonshëm, i cili ka fituar çmimin Nobel për letërsi … më duhet shumë kohë të shkruaj një tekst të mirë dhe mendoj që unë nuk është se jam ndonjë tekstshkrues i talentuar.

Thonë se pikërisht këngët e tua janë historitë e tua… Është e vërtetë?

Jo, absolutisht jo. Të shkruarit një tekst mund të jetë një frymëzim nga shumë gjëra që ndodhin dhe që jo domosdoshmërisht kanë të bëjnë me mua, mund të jetë një histori që kam dëgjuar nga dikush, një film që kam parë, një këngë e dikujt që më ka bërë përshtypje etj etj… gjithsesi nga këngët që kam shkruar ka dhe histori të miat, pra këngë që janë dedikim por ka edhe shumë këngë të tjera, që nuk i kam dedikuar fare dhe janë këngë që janë pëlqyer edhe këndohen në koncerte.

Si është të kesh një vëlla konkurrent?

Mendoj Arti është shumë i talentuar edhe mendoj që është shumë më shumë se sa realisht e ka shfaqur veten. Ai ka zgjedhur që të jetë pak si në hije, jo në hijen time por të jetë më i tërhequr, pra muzika të mos jetë prioritet i tij. Ai bën edhe shumë punë të tjera, nuk është muzika problem për të. Për mua muzika është gjithçka, përveç punës primare është gjithçka, është profesion, është problem është gjithçka. Nuk e shoh Artin si konkurrent sepse e kam vëlla dhe kam qejf ta shoh lart e më lart. Normalisht i gëzohem sukseseve të tij dhe kam shumë qejf që ai të merret shumë më shumë me muzikë dhe të jetë shumë më shumë produktiv dhe kjo gjë do më gëzonte dhe më gëzon pamasë!

Cila është kënga jote, që përshkruan më mirë Drenin?

Nuk e kam idenë. Shumica e këngëve të mia janë këngë dashurie sepse mendoj se dashuria është ajo që fshihet pas çdo kënge dhe mendoj se gjithkush i këndon dashurisë në një mënyrë ose tjetër. Nuk ka një këngë që më përshkruan më mirë.

A mendon të bësh sërish një duet? Apo tani e ke famën e duhur dhe nuk do ta ndash suksesin me të tjerët?

Padyshim nuk jam kategorisht refuzues ndaj dueteve, sidoqoftë nuk e shoh si diçka të domosdoshme për të krijuar apo vazhduar ose ndërtuar rrugën artistike në muzikë. Mendoj se duetet këtu e kanë humbur pak kuptimin sepse 90 % të krijimeve, kengëve, projekteve që po shoh kohëve të fundit janë duete dhe nuk e kuptoj pse e gjithë kjo mani pas dueteve. Sidoqoftë nese dikush më pëlqen apo do të më pëlqente, padyshim nuk do t’i thoja jo dhe besoj se do të ketë duete, pse jo.

Çfarë ëndrre ke në muzikë?

Për ëndrra nuk di të flas, edhe kjo që më ka ndodhur është një ëndërr e bukur është një diçka që unë vërtet e jetoj, e përjetoj dhe më pëlqen… Do kisha dëshirë të zgjaste sa më gjatë, normalisht i admiroj disa artistë që kanë nga 50 vite në skenë dhe ndoshta edhe më shumë. Para një jave isha në koncertin e The Rolling Stones, po festonin 60 – vjetorin e karrierës së tyre ishte e jashtëzakonshme t’i shihje 4 djelmosha që kanë mbushur 80-vjeç dhe akoma janë super energjikë në skenë dhe jetojnë me muzikën, pasi ata nuk kanë nevojë për lekët dhe gjithçka që e bëjnë e bëjnë për dashurinë që kanë për muzikën dhe publikun, i cili është besnik dhe vazhdon t’i ndjekë ato edhe pas 60 viteve. Do ishte shumë bukur që normalisht ta kem fatin që të jem aq gjatë në skenë me dashuri për muzikën dhe publikun që më ndjek.

Është dikush i rëndësishëm në jetën tënde?

Patjetër që ka njerëz të rëndësishëm në jetën time të cilëve ju dedikohem dhe me të cilët kam qejf të kaloj pjesën më të madhe të kohës. Gjithsesi familja është ajo që i jep kuptim jetës dhe pa të cilët nuk e imagjinoj jetën, kur flas për familjen flas për prindërit  Artin edhe Rinën!

Partnerja jote do të pëlqente të ishte e profesionit tënd?

Nuk e di, nuk është se do të më pëlqente në fakt, por ndonjëherë mendoj se do të ishte më e thjeshtë për mua sepse do të më kuptonte më shumë. Zakonisht kam pasur afër disa partnere që nuk më kanë kuptuar ose nuk kanë dashur të më kuptojnë në profesionin tim, më kanë parë si alien dhe ndoshta do ishte mirë të ishte pikërisht dikush nga bota e skenës, muzikës, filmit , teatrit ose Tv në përgjithësi sepse besoj se vetëm kështu do të kisha gjuhë të përbashkët dhe do ta kuptonim njëri-tjetrin në punën që bëjmë në profesionet tona, por me dëshirë jo.

 

©Botuar në Revista BORDO, Gusht 2022!

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article