Nëna e Britney Spears, Lynne Spears, i ka kërkuar falje publike vajzës së saj me anë të një postimi në Instagram.
67-vjeçarja Lynne kërkoi falje për çdo “dhimbje” që këngëtarja mund të ketë përjetuar gjatë 13 viteve të konservatorit. Ky veprim vjen pasi Britney në një postim të gjatë u shpreh se një falje e vërtetë nga familja e saj do të ndihmonte në mbylljen e grindjes së tyre familjare.
“Më vjen shumë keq për dhimbjen tënde. Kam vite që më vjen keq. Të dua shumë dhe më mungon. Britney, thellë brenda vetes e di sa shumë të dua dhe më mungon. Kërkoj falje për çdo gjë dhe gjithçka që të ka lënduar!”, shkruan ajo në koment.
Lynne gjithashtu iu lut vajzës së saj që ta zhbllokonte nga rrjetet sociale, në mënyrë që ata të “flasin personalisht”.
Një burim zbuloi për “Page Six” se Lynne ka kohë që po përpiqet të kontaktojë me Britney përmes telefonit. Meqenëse përpjekjet nuk funksionuan, ajo vendosi t’i drejtohej mediave sociale.



















