KreuBusull

Quentin Tarantino: Kinemaja është e korruptuar

Mjeshtri i kinemasë mes absurdit dhe realitetit, një këndvështrim regjisorial i filmografisë moderne, çfarë ka ndikuar në syrin e tij duke krijuar një koncept të pazakontë përmes zhanreve, detajeve, por edhe personazheve të koceptuar jashtë kornizave klasike.  Cilat janë zhanret që pëlqen dhe pse mendon se kinemaja është e korruptuar?

Zoti Tarantino, duke gjykuar nga filmat tuaj dua të pyes: jeni të fiksuar pas këmbëve të grave?

Unë nuk i shmangem dot, por ama nëse mendoni për regjisorët që janë akuzuar si të çmendur, ashtu do të kishte qenë edhe Alfred Hitchcock dhe shumë të tjerë. Sot të gjithë besojmë se ata ishin regjisorë mjaft të mirë, sepse dinin se ku ta vendosnin kamerën, ndërsa unë mendoj se këmbët e një gruaje dhe ato të një gomari marrin kohë pothuajse të barabartë në filmat e mi.

Ashtu si edhe dhuna…

Unë thjesht po tregoj historitë e mia dhe po bëj gjërat e mia. Zhanret të cilat kam trajtuar kanë materiale sensacionaliste, shpesh edhe dhune – qofshin filma krimi, kung fu apo samurai – kështu që ata natyrisht kanë elementet e tyre brenda. Kur bëhet fjalë për kinemanë emocionuese, zhanret e dhunshme në kinema janë ato që të bëjnë të rrahë zemra fort. Mua më pëlqen kjo. Por në rastin e Jackie Brown, nuk ka kaq dhunë, thjesht gjithçka ka të bëjë me karakterin.

Cila është receta juaj për të shkruar personazhe kaq të gjallë?

Nuk ka një përgjigje të saktë për këtë, por besoj se unë jam një shkrimtar. Kjo është ajo që bëj. Është detyrë e një shkrimtari jo vetëm të shkruajë për veten e tij, por të shikojë edhe pjesën tjetër të njerëzimit, ta eksplorojë atë – mënyrën e të folurit dhe frazat që ata përdorin. Koka ime është një sfungjer. Dëgjoj ato që thonë të gjithë, shikoj sjelljet e tyre, madje edhe shakatë, i mbaj mend dhe i bëj pjesë të filmit. Ndodh që njerëzit tregojnë një histori interesante për jetën e tyre dhe unë e sjell si një shembull.

A ndodh që nuk e mbani mend?

Nëse ndodh, kjo tregon që nuk ia vlen. Kur krijoj, aty brenda futat jeta ime e 6 muajve apo 15 viteve të fundit, aty nis e shkruaj personazhet e mi. Stilolapsi im është si një antenë, e merr atë informacion dhe papritmas dalin personazhet duke i formuar plotësisht. Unë nuk shkruaj dialogun e tyre, por i bëj të flasin me njëri-tjetrin.

Duke iu rikthyer dhunës, nga çfarë keni frikë personalisht?

Frika ime numër një, ndoshta është e vetmja superfrikë që kam, janë minjtë…

Vërtet?

Është e vetmja gjë që do ta quaja dobësi.

A keni ndonjëherë makthe?

Kur isha fëmijë dhe kisha ndonjë makth, shkoja me vrap në shtratin e prindërve, por nëna ime ishte e rreptë me mua. Kur u rrita më detyruan të kthehesha në shtratin tim dhe aty kuptova se nuk e kisha më luksin të kisha ankthe sepse nuk mund të shkoja me vrap te mamaja. Kështu që ndalova së pasuri makthe.

Edhe sa do të vazhdoni të bëni filma?

Nuk kam një plan, por nuk dua të jem një regjisor që bën filma për pleq. Nuk dua ta ndyj filmografinë time me një mori gjërash të vjetra. Nëse dua të bëj një film dhe mundem kur të jem 62-vjeç, do ta bëj. Unë dua të largohem triumfues nga ringu. Kur të kem hequr dorë do të preferoja vetëm të shkruaja dhe të isha njeri i letrave, të shkruaj për kinemanë, romane, pse jo edhe libra për fëmijë.

Di që ju shihni shumë filma, sa keni parë në jetën tuaj?

Nuk do të guxoja të hamendësoja, por nga mosha 17 deri në 22 vjeç kisha një listë të çdo filmi që kam parë në kinema. Shoh filmat e vjetër, por edhe versionet e rinj.

Cilat janë 3 të preferuarit tuaj?

“Abbott dhe Costello Meet Frankenstein” sepse e pashë kur isha i vogël dhe ishte filmi im i preferuar në atë kohë. Edhe pse isha 5 vjeç, unë nuk e dija që po ndaja zhanrin tim të preferuar, atë që kam bërë gjatë gjithë karrierës sime. “Taxi Driver” tregon për mua se askush nuk mund të zvogëlojë fuqinë e shoferit të taksisë në një ose dy fjali. Ky është ndoshta studimi më kompleks i personazheve të mia, pasi vetëm në romane gjen një personazh të trajtuar kështu. Filmi i tretë “Është i miri, i keqi dhe i shëmtuari”.

A ka ndonjë zhanër që nuk ju pëlqen?

Më pëlqejnë filmat historikë, por nuk jam adhurues i dramës së kostumeve. Një zhanër për të cilin nuk kam respekt është filmi biografik. Ata janë thjesht justifikime për aktorët për të fituar Oscar, është një kinema e korruptuar.

Pse?

Edhe kur ka ndonjë personazh interesant – nëse po e tregon jetën e tij nga fillimi në fund, filmi do të jetë i mërzitshëm. Nëse do ta bëja, do të bëja një version të librit komik. Për shembull, kur bën një film për Elvis Presley-n, nuk bën film për të gjithë jetën e tij, por një film për një ditë, p.sh., ditën kur Elvis Presley hyri në Sun Records dhe gjithçka mbaron kur kalojmë nga ajo derë.

Nëse do të bënin një film për jetën tuaj – a do të ishte edhe ky i mërzitshëm?

Mendoj se do të më bëhej qejfi, por nuk do ta shikoja kurrë.

 

Botuar në BORDO, Nëntor 2022!

 

Tags:

Home

Bordo No.64
Nëntor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF