KreuBusull

Përtej Adriatikut ka lindur një shkrimtar shqiptar!

Nga Ilda Lumani

Qëkur në instagramin e vet kantautori Ermal Meta postoi foton e kopertinës së librit të tij “Domani e sempre” isha tejet kurioze!
Si fanse e muzikës, këngëve, teksteve, krijimtarisë së Metës, dëshiroja pamasë të shihja këtë aspekt të tij.

Me të mbërritur në shqip libri, dhe bashkë me të edhe vetë Ermal Meta për ta promovuar, bashkë me tim bir, fans i Ermalit gjithashtu, me ftesë të një mikeshe të përbashkët u bëra pjesë e prezantimit të librit të tij në Tiranë, në Liceun Artistik.

Surpriza e parë ndodhi aty; Libri që sikurse të gjithë prisnin të ishte autobiografi, nuk ishte fare i tillë.

Pjesa që u lexua gjatë asaj pasditeje ishte në kufijtë e dhimbjes, emocionales, fatkeqësisë, realitetit të hidhur të viteve të komunizmit me ashpërsinë, çnjerëzoren, që brezi im e ka njohur prej letërsisë apo medias, ndërsa brezi i prindërve tanë fatkeqësisht e ka jetuar…

Për disa arsye shumë subjektive unë nuk i lexoj librat në vrullin e emocioneve dhe PR ndonjëherë të tepërt. Pëlqej të shkëputem pak nga jehona për të lexuar për veten time dhe për të qenë e qetë dhe e pandikuar në çfarë perceptoj!

Mbrëmë në darkë mbarova “Nesër e Përgjithmonë”, romani që më tërhoqi disa netë me radhë, e për të cilin prisja çdo pasdite mbrëmjen, për të vijuar me historinë aty ku e kisha lënë.

Libri ishte një befasi!

Historia që nuk prisja nga Ermali ishte pikërisht ajo që lexova; jeta e një fëmijë në fund të luftës së dytë botërore, jeta e tij në komunizëm, si bir i një çifti partizan, nëna e të cilit ishte ngritur në shkallët më të larta të sistemit. Kajani, edhe pse u rrit në këtë sfond këmbët i ngatërroheshin me anën tjetër të sistemit. Sikundër dy kushërinjtë e tij Fatjoni dhe Besniku. Madje edhe kur sistemi mbështeti talentin e tij dhe e dërgoi në Gjermaninë Komuniste, në Berlinin Lindor për koncert, përsëri ai u ngatërrua me anën tjetër dhe aksidentalisht përfundoi në Gjermaninë Perëndimore.

Atë moment për vendin u quajt tradhëtar! Jeta e tij më pas vijon në Europë, Amerikë dhe … Dhe ndërkaq gjetja e tij në kufijtë e absurdit është befasia e radhës! Kthesa që merr personazhi i tij është e pazakontë!!!

Për hir të së vërtetës pasi kisha lexuar Maks Velon, Visar Zhitin, At’Zef Pëllumbin, Fatos Lubonjën dhe historitë e tyre të burgut, apo jetën nën komunizëm, mendoja se zor të më emociononte dikush tjetër për këtë Shqipëri. Por, çuditërisht më emocionoi dikush që jo vetëm nuk e ka jetuar atë kohë, jo vetëm nuk ka qenë dëshmitar si emrat e mësipërm, por se gjithçka e ka të trilluar… në fakt vetëm trilli mund t’i ngjante dramve që ju kanë ndodhur shqiptarëve!

Ermali, ja ka dalë! Ndërsa unë në pritje të librit të tij të radhës, e të të tjerëve do të ruaj shijen e “Nesër e përgjithmonë”!

Tags:

Home

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF