KreuBusull

Gjermania në alarm, i mungojnë ilacet: Preken më shumë fëmijët!

Një N e bardhë në një rreth me ngjyrë vjollcë – kur farmacisti Fatih Kaynak e sheh këtë simbol në monitorin e tij në barnatore, ai e di që ky ilaç nuk është i disponueshëm për momentin. “Na mungojnë antibiotikët, ilaçet kundër dhimbjeve, por edhe ilaçet për rregullimin e sheqerit në gjak, për mjekimet e kancerit, për stomakun dhe zemrën”, thotë Kaynak per DW, ndërsa shikon një listë të gjatë në të cilën N e bardhë vazhdon të shfaqet në anën e djathtë. 274 barna aktualisht nuk janë të disponueshme në farmacinë Berlin Kranich. “Është veçanërisht e vështirë për ne që të kujdesemi për fëmijët”, thotë Kaynak. Në fytyrën e tij shihet një lloj dëshpërimi me gjendjen.

Foshnjat dhe fëmijët e vegjël nuk mund të gëlltisin pilula, prandaj prodhohen ilaçe të lëngshme për ta. Për temperatura të larta dhe dhimbje, përdoren lëngje me shije të ëmbël që përmbajnë përbërësin aktiv paracetamol ose ibuprofen. Më shumë se dhjetë milionë pako shiten në Gjermani çdo vit. Por tani raftet në farmacinë Kranich janë kryesisht bosh. Probleme ka edhe me penicilinën dhe lëngjet me antibiotikë. Situata është vërtet e keqe. Kaynak kontrollon gamën e shitësve farmaceutikë me shumicë disa herë në orë dhe pret lajme të mira. “Ne shikojmë dhe porosisim diçka, sapo të vij.”

 

Por kjo nuk do të thotë se edhe farmacia Kranich do të marrë barnat e dëshiruara. “Nëse dua 50 pako me një ilaç, mund të marr ndoshta pesë,” thotë farmacisti, duke lëvizur nëpër ekran në kërkim të spreit për hundët për fëmijët. Në një grup të vogël farmacistësh të Berlinit që njihen, ata vazhdimisht e informojnë njëri-tjetrin për gjendjen e furnizimit me ilaçe. Natyrisht, kjo nuk mjafton për ta vënë problemin nën kontroll. Prindërit e dëshpëruar flasin në mediat sociale dhe forumet e ndryshme kaherë për këto probleme. Rekomandimet për zëvendësime alternative kërkohen shumë. Por shpesh e vetmja mundësi është të shkoni në spital nëse mjetet alternative nuk ndihmojnë për uljen e temperaturës dhe gjendja përkeqësohet.

Por për shkak të virusit të përhapur RS, repartet e fëmijëve tani janë aq të mbingarkuara sa që edhe pacientët e vegjël në rrezik për jetën duhet të presin me orë të tëra në dhomat e urgjencës. Për shkak se klinikat janë plot, fëmijët po dërgohen në shtëpi, ndërsa ilaçet po zvogëlohen edhe në spitale. Farmacitë e spitaleve kanë filluar të përziejnë sërish vetë lëngje kundër temperaturës në rastet urgjente.

Tags:

Home

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF