Profesor Robert Radoja, një nga ikonat e muzikës botërore, ishte i ftuar këtë të diel në programin “Dola te Ola”. Gjatë rrëfimit për jetën e tij, profesori u ndal te bashkëshortja e tij e ndjerë, aktorja Tatjana Radoja. Tatjana Radoja, e cila ka interpretuar edhe në filma si “Përballimi”, “Ndërgjegjja”, “Streha e Re”, u nda nga jeta në moshë të re nga një sëmundje e rëndë.
Profesor Radoja që pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes nuk u martua më dhe jetën e tij ia dedikoi dy djemve që ata kishin së bashku. “Bashkëshortja ime iku e re. Më dhuroi dy djem të bukur. Ishte mësuese frëngjishteje. Fati nuk i buzëqeshi për jetën”, tha ai.
Më tej Robert Radoja shtoi se e ka njohur që fëmijë në korin e Pallatit të Pionierëve, ku ishte edhe soliste, dhe më pas janë ritakuar në Festivalin e 11 të Këngës. “Djemtë u rritën pa nënë”, tha profesori mes emocionesh, por shtoi se nuk ka asgjë në jetë që nuk përballohet.
Djali i madh i tij jeton në Gjermani dhe merret me art, madje drejton një grup, ndërsa i vogli punon në media, montazhier dhe ilustrim muzikor. Profesor Radoja u shpreh se është një baba krenar për të dy djemtë e tij.