KreuCelebrity

Anne Hathaway: E panjohura, e mrekullueshme…!

Ajo vodhi gjithë vëmendjen në Festivalin e Filmit në Kanë vitin e shkuar: në fillim u shfaq e veshur me një fustan prej lëkure Schiaparelli, pastaj me një minifustan Gucci dhe syze dielli sy maceje, e ndërsa në premierën e “Armageddon Time”, dukej si një engjëll me një fustan të bardhë vezullues të Armani Privé dhe një gjerdan zafiri 107,15 karatësh nga Bulgari. Ky moment ishte një rilindje për Anne Hathaway.

Kanë kaluar gati 10 vjet nga kritikat e quajtura “Hatha-urrejtësit” që e kthyen aktoren në tabelë qitje për një periudhë të gjatë përballë medias e publikut, ndaj ajo ndihet sërish e emocionuar nga ky rikthim. “Ne mbjellim në jetën tonë fara, të korrat e të cilave duan kohë të piqen dhe unë kam qenë shpesh e duruar. Në fillimet e karrierës sime, nuk e dija sesi do t’ja arrija të kisha një karrierë të suksesshme, por kur e arrita, erdhi një moment ku u ndjeva e vetme. Mendova se nuk do t’ja dal të rikthehem, por durova dhe ja dola”, rrëfen aktorja. Ajo nuk flet drejtpërdrejt për gjithçka ka kaluar një dekadë më parë, por qartazi në sytë e saj ndihet ende një shqetësim i lehtë. “Kam punuar shumë për të fituar paqen me veten. Po bëj çmos që të mos kem frikë nga ajo që mund të thonë të tjerët dhe të shijoj jetën time”.

Pas “Armageddon Time”, Hathaway ka edhe katër filma të planifikuar për t’u shfaqur në kinema gjatë vitit 2023 si dhe një serial në Apple TV. Roli i saj në filmin “Ditarët e Princeshës” ishte ai që ndryshoi gjithçka në jetën dhe karrierën e saj. “Ishte hera ime e parë që luaja një personazh kaq të ndërlikuar dhe ku arrita të marr kuptimin e plotë, padyshim, sot mbetet roli im i preferuar. Kjo sepse nga një aktore e ëmbël, papritmas u bëra një aktore e vërtetë”, kujton Anne Hathaway.

Por një eksperiencë transformuese për të mbetet edhe filmi “Ocean’s 8”, ku edhe krijoi miqësi me aktoren Jessica Chastain, një raport i cili vijon ende sot të jetë solid. “Personi i parë që thirra kur kalova momentet e vështira ishte shoqja ime e dashur Jessica Chastain. Ne kemi punuar së bashku në dy filma pa pasur ndonjë raport special, por duket se na bashkoi instinkti i nënës për t’u afruar më fort”.

Nuk e fsheh aspak se profesioni i aktores ka qenë gjithmonë arsyeja që ka shkuar në xhirime, por në të njëjtën kohë gjithmonë është ndier në siklet nga fama e saj, nga prania në Hollivud, ngarkuar me një klimë të ndjekur nga rrebeshi i gazetarëve dhe fotografëve. Më së shumti i pëlqen të kalojë kohën me familjen e saj larg syrit mediatik, por nuk ka arritur ende dot të fitojë qetësinë. “Isha për një operacion në sy në një klinikë dhe një nga infermieret më ndoqi nga pas për të më takuar. Vrapova me sa forcë që kisha, nuk doja të ndaloja edhe pse isha ende nën efektin e narkozës. Po përplasesha me njerëz dhe nuk po dija nga po shkoja. Shpesh për mua ky ambient ka qenë një makth, sepse nuk më pëlqen aspak vëmendja dhe përndjekja”, thekson ajo. Por edhe pse ka kaluar momente të errëta në karrierën e saj, Anne është tejet ambicioze. Nuk e fsheh aspak këtë fakt dhe e pranon se ndihet e mrekulluar që ekziston ky motivim për të gjatë gjithë kohës. “Unë kam një marrëdhënie shumë të lehtë me ambiciet e mia. Jam shumë e fokusuar në punën që bëj dhe dua të arrij maksimumin, pa u dorëzuar. Më pëlqen që kam ëndrra dhe qëllime vërtet të mëdha për veten time”. Por si shumë aktore të kinemasë, arritja e ambicieve nuk është fort e lehtë përballë një ambienti tejet mashkullor që mbizotëron ngado. Nuk e fsheh se ky fakt është kaq i dukshëm në industrinë e kinemasë duke theksuar se shpesh burrat në përgjithësi nuk i zgjedhin aktoret për punën dhe talentin e tyre, por për imazhin, duke krijuar shpesh një sukses të rremë. “Ndodh që një aktore e suksesshme në një mënyrë apo tjetër është edhe më pak e pëlqyer, sepse nuk i jepet shumë liri për të treguar vetveten. Ndjej se ka një presion të jashtëzakonshëm për të qenë i pëlqyeshëm kur je grua, ose rrezikon të keqkuptohesh dhe të keqtrajtohesh. Mendoj se gratë ndëshkohen më ashpër për shkeljet e tyre të perceptuara. Ambicia femërore më shpesh perceptohet si transgresive”.

Ndërkaq që ky vit ka plot projekte kinematografike, në objektivin e saj më të madh në karrierën artistike pas 23 vitesh si aktore në Hollivud ajo synon sa më shumë jetëgjatësi. “Dua të aktroj për aq kohë sa të mundem, pse jo të kem një karrierë si ajo e Meryl Streep apo Viola Davis. Dua të eksploroj përtej kufijve të asaj që njerëzit e tjerë shohin për mua. Gjëja që kam mësuar është se e panjohura fsheh gjëra të mrekullueshme. Edhe nëse e gjej veten të zhytur në frikë dhe panik sepse edhe unë jam qenie njerëzore, i them vetes: Askush nuk e di çfarë do të ndodhë nëser, mendo që do të jetë një ditë e mrekullueshme!”, përfundoi Anne Hathaway. Edhe pse ka dyshimet e saj, pas rrebeshit që ka kaluar mbi supe, ajo tani është shumë më e kujdesshme, më profesionale, por edhe më shumë optimiste për të ardhmen e saj…!

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF