Këngëtari italian Blanco prezantoi në skenën e Sanremos këngën e tij të re “L’isola delle rose”, por për shkak të problemeve teknike nuk mundi ta këndonte ndaj vendosi të shkatërronte të gjitha lulet në skenë. Ai zgjodhi që zhgënjimin e tij ta shprehte duke prishur skenografinë, duke hapur raftet me lule në skenë dhe duke i shkatërruar.
Ky veprim nuk u prit mirë nga publiku, i cili nisi ta shante, ndërkohë që këngëtari u përpoq të justifikohej: “Nuk e dëgjoja zërin në kufje dhe kështu doja të argëtohesha gjithsesi”. Megjithatë Blanco nuk mundi të qetësonte publikun, i cili vazhdoi ta shante. Mirëpo, Amadeus e ftoi që të kthehej për të performuar më vonë dhe i shpjegoi publikut që janë gjëra që ndodhin.
“Nuk ka ndodhur që nga koha e Bugos dhe Morganit që të ketë ndodhur diçka e tillë. Por kur ishte çështja e Bugos dhe Morganit, Fiorello më ndihmoi”, shtoi Amadeus. Më pas Gianni Morandi u shfaq me një fshesë për të hequr lulet e shkatërruara nga skena, me ironi të madhe duke thënë “me gjithë muzikën e bukur që dëgjuam këtë mbrëmje do ta shihni që nesër të gjithë do të flasim vetëm për këtë”.
Pas kthimit nga publiciteti, një ovacion nga publiku i Ariston mirëpriti fjalët e Amadeus, “Blanco nuk do të këndojë më sonte, nuk ka kushte”. Duke folur me Gianni Morandi, drejtori artistik kujtoi se kur ka një problem teknik, mjafton të raportohet, të ndalet dhe të fillojë përsëri.
Ky veprim i këngëtarit nuk është pritur aspak mirë as nga komentuesit në rrjetet sociale, të cilët e kanë cilësuar veprimin e të riut si skandaloz dhe të papërshtatshëm.