Problemet me shikimin janë kthyer në një shqetësim serioz kohët e fundit, sidomos për fëmijët të cilët shpenzojnë shumë kohë para tabletëve apo televizorit. Rezidenti okulistik Renis Qamo, i cili ndodhet në “ItalOptik”, zhvilloi një bisedë me “Bordo” ku sqaron ç’duhet patur parasysh për një shëndet sa më të mirë të syve.
Doktor, një nga shqetësimet që prindërit kanë sot është kontakti i gjatë me ekranet e celularëve dhe kompjuterëve. Sa është koha e sugjeruar nga ju për të patur një rutinë normale, që nuk kthehet në problematikë për sytë?
Përpara se t’i përgjigjem pyetjes suaj duhet të specifikojmë moshën e saktë kur rekomandohet vizita e parë te mjeku, e cila është midis moshës 3-4 vjeç. Ndërsa për sa i përket kohës që fëmija mund të qëndrojë përpara ekranit të telefonit apo tabletëve, rekomandohet nga 1-2 orë në ditë.
Nëse fëmijët rreth moshës 3-4 vjeç duhet të bëjnë vizitën e parë okulistike, të rriturit kanë një moshë që duhet të bëjnë kontroll, apo vetëm kur ndjejnë shqetësime?
Në bazë të problemeve që paraqiten në vizitën e parë vendoset dhe ndjekja që do të bëhet më pas. Në qoftë se këta fëmijë nuk vihen në kontroll, rekomandohet mosha 11-12 vjeç, mosha 18 vjeç dhe mosha 25-26 vjeç. Më pas është vizita për numrin (për afër) që shfaqet pas moshës 42-43 vjeç. Moshat e lartpërmendura janë në qoftë se pacienti ka qenë njëherë në kontroll, por nuk është ndjekur rregullisht, ose kur shfaqen probleme.
Çfarë gabimi bëjnë më së shumti pacientët në rutinën e tyre?
Ka shumë teori për ushqime të veçanta që ndikojnë pozitivisht te të parit, si për shembull qepa… janë fakte apo mite?
Qepa është një mit. Ushqimet që ndihmojnë në shikim ose për të patur sy sa më të fortë janë ato që përmbajnë Beta-Carotene që gjendet te portokalli, karota, patatja e ëmbël, thjerrëzat dhe fasulja e kuqe. B-Carotene ka të bëjë më qelizat e pigmentuara, ushqime të tjera janë ato që përmbajnë Omega3: bulmetrat, peshku, frutat e thata, si dhe ushqimet që përmbajnë antioksidantë që gjenden te fruta dhe perimet me ngjyra të forta, ku mund të përmendim boronicën ose shegën.
Cilat janë këshillat, që do t’ju jepje lexuesve të “Bordo” në lidhje me kujdesin ndaj syve?
Nuk duhet të kenë komplekse nga mbajtja e syzeve dhe nga pranimi i problemeve që kanë të bëjnë me pjesën e shikimit apo pamjes. Të konsultohen gjithmonë me mjekun okulist dhe në optika serioze. Gjithashtu rikontrollet janë shumë të rëndësishme ashtu siç rekomandohet nga mjeku. Dua gjithashtu të theksoj se një drejtues mjeti me probleme të pamjes të pakorrigjuara mund të jetë po aq i rrezikshëm sa një drejtues mjeti nën efektin e alkoolit apo drogës.



















