Nga Olsi Kolami
Jo një, por një familje e vërtetë artistësh do të përfaqësojnë Shqipërinë në skenën e “Eurosong”, me vokalin e Albina Kelmendit për çmimin e madh të Liverpulit…
E rritur në një familje me zëra të bukur dhe instrumente muzikorë, Albina nuk kishte sesi të mos ishte një talent i familjes Kelmendi. Edhe pse kishte marrë bekimin e familjes për zërin e saj, ajo e sprovoi veten në spektaklin “The Voice” dhe u rendit e dyta, por kjo nuk e ndali rrugëtimin e saj. Qysh e vogël kur ishte ulur në piano e më pas në klarinetë e frymëzuar nga i ati, Albina do të projektonte të ardhmen drejt skenës së muzikës. Pas disa sfidave në eventet më të rëndësishme muzikore, si “Top Fest” e “Kënga Magjike”, së fundmi së bashku me familjen ajo rrëmbeu trofeun e edicionit të 61-të të Festivalit në RTSH, duke e çuar me zërin e saj Shqipërinë në skenën e “Eurovision” në Liverpul. Kënga “Duje” fitoi dy çmime, të dytin nga juria, ndërsa publiku i dha votat si kënga përfaqësuese në “Eurovision”. Në këtë intervistë për “Bordo”, artistja e talentuar nga Kosova rrëfen emocionet e fitores dhe projektet deri në momentin e ngjitjes në skenën e Liverpulit.
Albina, çfarë ndjesie të dhuroi skena e festivalit më të madh shqipfolës?
Secila performancë apo prezantim në skena para një audience të madhe është edhe një ndër qëllimet e secilit artist. Punohet shumë për këto lloj paraqitje dhe normale që edhe ndjesia është e veçantë.
Hera e parë dhe fiton dy çmime në Festival…?
Dëshira, puna dhe përkushtimi janë elemente të cilat më kanë përcjellë gjithmonë, mendoj që kjo dha frytet e veta! Të vlerësohesh lart, nga juria profesionale edhe nga publiku, është gjëja më e mirë dhe më e bukur që i ndodh një këngëtari apo artisti.
“Duje” goditi në shenjë, çfarë mendon se ka diçka speciale kënga që u pëlqye?
Brenda një vepre apo projekti, në rastin tonë kënga gjithmonë ka elemente të cilat janë të fshehura që vetëm nga publiku mund t’i shikosh apo t’i përjetosh. Muzika nuk duhet te jetë vetëm një matematikë notash, por një lidhje shpirtërore e shpërfaqur në nota muzikore. “Duje” përpos shpirtit të saj, brenda vetes përmban edhe katër elemente të ndërlidhura mirë mes tyre, si: teksti, mesazhi, muzika duke shpërfaqur elementet më të mira të muzikës sonë etno e kombinuar me modernen, po ashtu interpretimi dhe paraqitja skenike.
Një këngë me 6 vokale të ndryshme, si është të këndosh me familjen?
Është bukur e mirë, por me përgjegjësi më të madhe. E bukura qëndron në faktin se mbështetesh në një grup vokalesh që i jep këngës magjinë e vet. Por edhe është përgjegjësi sepse nuk je vetëm, duhet të mbash dhe të jesh në harmoni me të gjithë. Ky nuk është prezantimi ynë i parë, por kjo këngë nuk do të kishte vlerën e vet pa prezencën tonë si familje!
A keni filluar përgatitjet për “Eurosong”, kënga do të mbetet autentike dhe a keni planifikuar ndonjë turne?
Po, kemi filluar përgatitjet në bashkëpunim me Radio Televizionin Shqiptar, fillimisht jemi në përgatitje të videoklipit, orkestrimit të këngës në versionin studio dhe më pas në paraqitjet para audiencës që do t’i kemi në disa nga shtetet pjesëmarrëse në “Eurovision”. Kënga do të mbetet ajo që është dëgjuar, në tekstin e vet, duke përfshirë edhe gjuhën në prezantimin gjatë “Eurovisionit”. Përsa i takon datave ku do të mbahen turnetë, publiku do të ketë në kohë të gjitha informacionet për paraqitjet tona.
Ktheheni në skenë 8 vite pas “Voice”, ju kishte munguar skena shqiptare?
Shqipëria apo më mirë të themi skena shqiptare është ajo e cila ka hapur dyert për mua dhe familjen time. Andaj nostalgjia për këtë skenë do të jetë gjithmonë e freskët dhe e ndjeshme, deri në thelbin e një artisti.
Një familje e bukur dhe e madhe, çfarë ju bën të ndiheni e bekuar?
Jam shumë e bekuar nga ajo që ne jemi si familje dhe nga ajo që ne përfaqësojmë.