KreuCelebrity

Kamela Islamaj: Celebrimi do të ndodhë!

Kamela Islamaj: Celebrimi do të ndodhë!

Nga Nada Biraçi

Fotografia: Alma Hani

Lindur dhe rritur në qytetin e Korçës, Kamela Islamaj, ruan kujtime fort të ëmbla nga koha kur nisi të ‘gdhendej’ artistja brenda saj. Një ndër zërat më të bukur të brezit të saj, kujton me nostalgji në këtë rrëfim për “Bordo”, se si mezi priste të vinin dajat nga Greqia për t’i sjellë kasetat e artistëve të saj të preferuar Michael Jackson, Bryan Adams etj. Nën dritaren me perde të qëndisur, në një rrugicë të kalldrëmtë në qytetin e saj të lindjes, nga dhoma e Kamelës do të dilnin përherë tinguj muzike që pakkush i brezit të saj i njihte. Vajza në dukje rebele, me flokë të shkurtër, xhinse të grisura e ‘piercing’ në fytyrë, që u shfaq në fillimet e saj në publik do të ishte artistja atipike për fillim vitet 2000. Sot, Kamela duket se i ka marrë gjithçka karrierës në muzikë; nga këngëtare, soliste në programe të suksesshme, gjyqtare në programe talent-show… Çfarë mendoni se ende nuk ka marrë ajo nga muzika? E zbulojmë nëpërmjet kësaj bisede me një ndër zërat më potent që ka Shqipëria.

Çfarë po ndodh në karrierën tënde këto kohë?

Në fakt unë gjithë këtë kohë kam qenë duke punuar me veten, duke hulumtuar në muzikë, duke mësuar të tjerë dhe veten. Jam duke punuar mbi disa materiale të reja (e di, e kam thënë prej kohësh, por kësaj here duket se jemi afër). Gjithashtu i jam rikthyer mësimdhënies, që është një nga gjërat që më pëlqen e më bën të lumtur. Kam bërë shumë gjëra në fakt dhe kam plane e projekte plot për këtë vit. Kryqëzojmë gishtat (dhe shumë punë) dhe shpresoj që të realizohen.

Ndryshe nga një pjesë e mirë e kolegëve të tu, ti ende nuk ke rënë pre e komercializmit. A mund të ndodhë ndonjëherë?

“Never say never” (Kurrë mos thuaj kurrë), prandaj kësaj nuk mund t’i përgjigjem me siguri, por duke njohur veten nuk mendoj se do të lëviz shumë nga ajo që më bën të lumtur.

Cilat janë këngët që dëgjon më shpesh në makinë?

Oh, janë shumë! Mua më pëlqen muzika e bukur. Sigurisht e orientuar nga jazz – R&B – funky – soul – blues, por kjo nuk e përjashton pasurimin e ‘playlistës’ me këngë komerciale dhe të kohës. Muzikën në makinë gjithmonë e zgjedhim në bazë të udhëtimit dhe ka ditë që jemi më “agresivë” midis punk-rock, grunge… Dhe ka ditë pastaj që jemi shumë më ‘soft’ midis gjithë atyre të përmendura në fillim.

Që kur je shfaqur për herë të parë në publik në vitin 2004 në “Ethet e së premtes” dallove jo vetëm për përzgjedhjen e këngëve që zgjidhje për të performuar, por edhe në ‘look’, veshje… Çfarë ka ndikuar në formimin tënd si artiste?

Ka ndikuar shumë muzika që dëgjoja. Ka ndikuar shumë gjithashtu shkolla që kam bërë. Unë kam studiuar piano dhe më ka ndihmuar shumë ta shoh jetën ndryshe, me ngjyra, me ritme të ndryshme dhe ‘look-u’ im ka qenë shprehje e asaj çfarë unë ndjeja. Më ka pëlqyer gjithmonë të eksperimentoj dhe sot nuk kam mëdyshje se çfarë ngjyre flokësh më shkon, apo çfarë stil veshje, sepse i kam provuar të gjitha (qesh).

Çfarë muzike dëgjoje kur ishe fëmijë?

Dëgjoja çfarë më vinte nga jashtë. Dajat e mi jetonin në Greqi dhe ishin burimi i vetëm i informacionit të muzikës së huaj në shtëpi. Kishim kasetën e Michael Jackson, ku edhe mundohesha të kërceja si ai. Babi më solli më vonë kasetën e Bryan Adams mbaj mend… Kam qenë super fan e ‘Back Street Boys’ #forlife. Në moshën 13-vjeçare zbulova Lauryn Hill dhe jeta ime mori një tjetër kuptim. Sigurisht kam dëgjuar edhe këngëtarët shqiptarë si Aurela Gaçe, Aleksandër Gjoka, Elton Deda dhe gjithë gjeneratën e superstareve të viteve ‘90.

Si e kujton adoleshencën? A ka një ngjarje, një kujtim (i bukur ose jo) që të ka ndikuar në formimin tënd?

E mbaj mend si një adoleshencë të bukur, të mbushur plot me muzikë, sfida, konkurse, skena të mëdha e të vogla. Nga ana tjetër, edhe shumë mbështetje e ngrohtësi familjare, dhe pushime të mbushura plot me aventura. Për shembull, unë në moshën 16-vjeçare kam qenë pjesë e “Ethe-ve” dhe ajo eksperiencë ende mbetet si një nga kujtimet që kujtoj buzagaz.

Duket se i ke marrë gjithçka karrierës në muzikë; nga këngëtare, soliste në programe të suksesshme, gjyqtare në programe talent-show etj.! Çfarë mendon se ende nuk e ke marrë nga muzika?

Unë mendoj që muzika nuk ka limite e është e pashtershme në mundësitë që të jep. Kam shumë për të dhënë e thënë ende dhe për këtë jam duke punuar fort. Shpresoj që të marr atë energji të mirë që jam duke vënë unë bashkë me një grup të bukur çunash e gocash, që me dëshirë të mirë bëjmë muzikë të mirë.

Shoh një unazë me një gur diamanti në gisht. Çfarë do të thotë për ty ai aksesor? Ka qenë një propozim për martesë?

Në fakt propozimi për martesë ka ardhur para shumë kohësh, kurse unaza erdhi disa vite më vonë si dhuratë për Krishtlindje. Ne mendojmë që dashuria është më e rëndësishme se të gjitha, kështu që pak rëndësi kanë festat e mëdha apo vendosja e një firme. Një celebrim intim sigurisht që do të ndodhë.

Bordo No.64
Nëntor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF