Arti vizual shqiptar ka një tjetër pasuri në trashëgiminë e tij. Piktori i njohur Orion Shima mirëpret të gjithë dashamirësit e artit të tij, por edhe ata që duan të kalojnë disa orë ndryshe nga e përditshmja, në ekspozitën më të re, të cilën Shima e ka quajtur ‘BRIO’.
Në një postim në rrjetet e tij sociale, piktori që nëpërmjet punëve të tij i pëlqen t’i largohet së përditshmes, metropolit e zhurmës, e ka cilësuar këtë cikël punimesh si ekspozita më ambicioze e karrierës së tij. Një cilësim që për hir të së vërtetës të josh dhe të ndjell për ta parë këtë ekspozitë. Një ndërthurje e magjishme ngjyrash që vallëzojnë me njëra tjetrën, ftojnë të gjithë artdashësit të apasionuar pas pikturës dhe muzikës, për të kundruar dhe ndjerë jo vetëm artin e mrekullueshëm vizual të piktorit Shima, por dhe muzikën e atyre pikturave. Kësaj here pikturat e Orion Shima kanë edhe tinguj.
Duke nisur nga data e sotme 1 Mars e për 12 ditë me radhë, ekspozita BRIO, do të jetë e hapur në Galerinë FAB për këdo që kërkon t’i arratiset për pak orë së përditshmes së rëndomtë. BRIO sapo ka hapur perden për publikun e saj.