Prindërit e 3-vjeçarit, Brian Spahiu, kanë kërkuar përjashtimin e Alma Felaj si prokurore që po heton dosjen e vdekjes së të miturit, pas kontrolleve dentare në klinikën e mjekut Roland Xhaxho.
Ata kanë patur një takim me drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës, ku i kanë paraqitur edhe dokumente ku pretendojnë se prokurorja nuk ka vepruar, megjithëse klinika “Splendent” ka qenë e pa licencuar në momentin që djali është kontrolluar.
Familjarët kanë paraqitur në Prokurori rezultatet e një inspektimi që bërë nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor menjëherë pas ngjarjes, i cili ka rezultuar se subjekti në fjalë nuk ishte i pajisur me licencë për ushtrimin e aktivitetit në shërbime mjekësore dhe stomatologjike në kohën kur ka kryer ndërhyrjen.
Referuar një dokumenti babai i të ndjerit, pretendon se ndaj klinikës është vendosur masë administrative për shkelje të ligjit përkatës. Vajza e Roland Xhaxhos, Ina Xhaxho, ka ankimuar këtë masë, por sërish është lënë në fuqi.
Kujtojmë që i vogli Brian Spahiu, i gjeti vdekjen në reanimacionin e pediatrisë në QSUT më 1 tetor, 3 ditë pas ndërhyrjes në klinikën private “Splendent”.



















