KreuBusull

Dublini dhe Irlanda, një dashuri e re!

Dublini dhe Irlanda, një dashuri e re!

Nga Eda Bano 

Nëse kërkon të shkosh në Irlandë, lexon tekstualisht: ”Nuk mjafton të kesh një vizë UK, që të shkosh në Irlandë. Vetëm nëse zotëron një pasaportë amerikane, mund të futesh pa vizë, me kushtin që nuk duhet të qëndrosh më shumë se 90 ditë”.
Pra, mundësitë e mia për të shkuar në Irlandë dhe aq më shumë në Dublin, ishin “0”.

Dublini dhe Irlanda, një dashuri e re!


Gjithsesi, si tip “aventuriere“ që jam, e mora në sy rrezikun dhe u nisa në rrugë tokësore, në një ditë gjithë shi drejt Dublinit. Po bëja prova se si t’ju përgjigjesha doganierëve në kufi! -“Kam shëtitur gjithë Evropën me makinë, nuk kam lënë shtet pa vajtur, përveç Irlandës, dhe Dublinit në veçanti”, do të thosha.
Realisht Irlandën e konsideruar si “ishull”, e kisha “prekur”; kisha ardhur nga Skocia me anije dhe kisha disa ditë që sorollatesha nëpër Irlandën e Veriut dhe Belfast, por ato janë pjesë e UK, ajo që quhet vërtetë “Irlanda”, nuk e kisha shkelur ende.

Dublini dhe Irlanda, një dashuri e re!

Dublini dhe Irlanda, një dashuri e re!


S’kisha prenotuar as hotel (nga frika se nuk më linin të hyja pa vizë, nuk doja të rrezikoja), dhe as ku të shkoja nuk dija. Madje as vizën amerikane nuk e kisha me vete, pasi ajo “fle gjumë” te pasaporta e vjetër, shumë kilometra larg Irlandës, pikërisht në shtëpi, në Shqipëri.

Dublini dhe Irlanda, një dashuri e re!

Dublini dhe Irlanda, një dashuri e re!


Koha nuk kish si të ishte më e keqe. Shi dhe vetëm shi. Nisur që në mëngjes nga rrëmuja dhe trafiku i autostradës së Belfastit, gjithçka dukej e zymtë. E ngushëlloja veten me faktin që nëse do të kërkoja diell dhe qiell të pastër, isha duke kërkuar shumë si në Irlandë që ndodhesha. Madje më pas u njoha me shprehje të tilla, shoqëruar me vizatime të stampuara nëpër bluza e çanta, si: “Festivali i shiut në Irlandë fillon më 1 janar e mbaron më 31 dhjetor”, apo “Stinët e vitit në Irlandë”: të gjitha me shi dhe një dele me çadër që laget në çdo stinë.

Dublini dhe Irlanda, një dashuri e re!

Dublini dhe Irlanda, një dashuri e re!


Gjithsesi, asnjë kufi nuk ka në rrugën nga Belfast në Dublin, kështu që frika ime u tret ashtu siç u tret shiu dalëngadalë.
E çuditshme është se sapo u futem në Dublin dhe parkuam pranë “Dublin Castle”, u hap koha e doli dielli.
Kur përballesh me Dublinin në fillim, të duket pak rrëmujë e kaos, sidomos ajo rruga e famshme “O’ Connell street”, që është edhe një ndër atraksionet në Dublin. Mirëpo pasi zbret nga makina, menjëherë të ngatërrohen këmbët dhe bie drejt e në lokal, për të ngrënë diçka apo pirë një birrë. Dhe aty fillon jetën e vërtetë të qytetit, do apo s’do! Thuhet një shprehje që, “Nuk mund të ecësh në Dublin pa ‘përplasur këmbët’ në një pub”.

Dublini dhe Irlanda, një dashuri e re!


Ti kërkon kështjella e katedrale, në fakt po, ato janë, edhe ndërtesa e Parlamentit në qendër të qytetit, edhe “Trinity College” apo Katedralja, por nëse ‘gugëllon’ për atraksionet e qytetit, e para do të dalë “Guinness Storehouse“- është rreth 3 km më larg qendrës, dhe nëse medoemos dëshiron të hysh, duhet të prenotosh më parë, sepse ndryshe mbetesh jashtë. Por s’duhet të merakoset askush: birra Guinness gjendet kudo! Mirë që nuk kanë vendosur një rubinet nëpër rrugë, që ta mbushësh gotën vetë! Është birra me të cilën vendasit krenohen dhe ndihen të lumtur, kur ti edhe e porosit! Dhe ta servirin me krenari!
Dhe ajo që më së shumti shquhet Dublini? Është jeta e natës, pubet, restorantet e shumtë, birraritë. Të rinjtë pinë jashtë të mbledhur tufa-tufa, kurse pubet brenda janë errësirë dhe zhurmojnë nga muzika ‘live’, që fillon pas orës 9:00 të darkës deri në orët e para të mëngjesit. Ka edhe pube që përveç se kërcehet brenda, ka kalimtarë që mblidhen e kërcejnë edhe jashtë tij. Bëhet një grup i madh “kërcimtarësh” si jashtë dhe brenda pubit, që në sinkron me njëri-tjetrin, krijojnë një situatë shumë gazmore. Kuptohet që muzika është shumë e bukur dhe speciale, mbizotërojnë këngëtare gold Abba, Madonna, George Michel, Laura Branigan, etj..

Dublini dhe Irlanda, një dashuri e re!

Dublini dhe Irlanda, një dashuri e re!


Një tjetër atraksion shumë i parapëlqyer është “Temple Bar“! Është i bukur, s’ke ç’i thua- një rrjet pabesh e lokalesh me birra, whisky, ku veçanërisht spikat njëri, ai me porta të kuqe e drita shumëngjyrëshe! Të gjithë vijnë ta vizitojnë e ndihen të lumtur, të bëjnë foto pranë tij.
Në dhomën e hotelit, revista dhe fletët informuese janë për ushqimet, ku të hash e të pish, lloj-lloj lokalesh e restorantesh. Pra, menjëherë kupton që ky vend gëlon nga turistë kulinare! Pra të gjithë qejflinjtë e birrës, whiskyt, barbekjuve, picave, janë mbledhur bashkë.
Gjithashtu ka etje për art. Një moment ishte bërë një radhë e madhe, para një dere të vogël prej hekuri, ku rrinte një djalë i ri që menaxhonte hyrjen, si punë roje. Radha ishte trullosëse dhe të bënte çudi. Pyeta dikë që rrinte vetëm në radhë, pse janë mbledhur gjithë këta?-“Ka një ekspozite arti!”, tha.
Në Dublin ndodhet edhe shtëpia e Oscar Wild, e kthyer në një kolegj tashmë, dhe përballë saj, te lulishtja e madhe, gjendet edhe statuja e tij.

Dublini dhe Irlanda, një dashuri e re!


Dublini përmendet edhe për dyert shumëngjyrëshe dhe shumë tipike.
Dublini është një qytet që nuk duhet lënë asnjëherë pa parë!
Me ritmin, jetën e zhurmshme, njerëzit e gëzuar, ushqimin dhe pijet, rrugët dhe rrugicat plot me drita, muzikë dhe gjallëri në çdo orë, e bën atë një ndër qytetet më unike në botë! Aty nuk mërzitesh asnjëherë, e gjen veten gjithkush! Vendasit janë të dashur e mikpritës. Shërbimet janë kudo të mira, të shpejta e të shoqëruara me buzëqeshje.
Nëse kërkon të dhëna për Dublinin, do të  lexosh që është një qytet i shtrenjtë, ku pothuajse gjithçka ka më shumë kosto në çmim të lartë, sesa vlera reale! Por mua nuk mu duk kështu! Përkundrazi.

Dublini dhe Irlanda, një dashuri e re!


Sepse kënaqësia që më fali gjithçka aty, ishte shumë më e madhe sesa kostoja që kishte!
Pasi ka gjëra në jetë që nuk kanë kosto: të ndjerit mirë, kënaqësia e shëtitjes në natyrë, shijimi i atmosferës, ajri i pastër me aromë gjethesh te rëna në tokë, muzika në sfond, artistët e rrugës (për të cilët në fakt, gjithmonë mbaj një buxhet shumë modest), veprat e artit, dhe gjithçka tjetër e kësaj forme, janë ato që më kënaqin aq shumë, por nuk ka ‘Google’ që i përkthen dot në vlerë paraje.
Më ka tërhequr jashtëzakonisht shumë ky qytet, dhe është një nga ata që dua t’i rikthehem sërish!

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF