Policia e Shtetit ka njoftuar mëngjesin e kësaj të mërkure, planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes miqësore të futbollit mes Shqipërisë dhe Izraelit. Ndeshje e cila do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, plani i masave parashikon detyrat që do të kryejnë të gjitha strukturat e Policisë. Për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit dhe për të menaxhuar fluksin e lëvizjes në kryeqytet, do të vendosen kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore pranë stadiumit.
Rrugët që do të jenë të bllokuara, duke filluar nga ora 16:00, datë 03.06.2026, deri në përfundim të ndeshjes:
•Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food “Laguna”, pranë urës së ish-hotel Dajtit;
•Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
•Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;
•Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së;
•Rruga “Themistokli Gërmenji”, në fillim të rrugës;
•Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
•Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, korridor hyrjeje për në parkimin e caktuar vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja;
•Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;
•Te sheshi “Willson”, devijohet lëvizja në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes.
Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për lëvizjen e mjeteve.
Policia ka bërë të ditur se do të ushtrojë kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve në hyrje të stadiumit, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara, përfshirë banderolat me përmbajtje raciste, fishekzjarrët, flakadanët, lëndët piroteknike, monedhat metalike, çadrat, çakmakët, karikues celularësh, mjete/produkte për përdorim kozmetik dhe sende të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
Për shkak të fluksit të pritshëm të tifozëve, qytetarëve u kërkohet të paraqiten në hyrjet e stadiumit duke filluar nga ora 18:00, për të shmangur vonesat dhe rrezikun e humbjes së mundësisë për të hyrë në impiant.
