KreuCelebrity

“Anulloje martesën ose nuk vjen te Shqipëria!”, zbulohet prapaskena si Silvinjo e la jashtë Enea Mihajn!

Një tjetër episod i pazakontë ka dalë në dritë lidhur me trajnerin Silvinjo dhe mënyrën sesi ai po menaxhon skuadrën. Në ndeshjet e fundit, bëri bujë vendimi për të lënë jashtë mbrojtësin Enea Mihaj. Por çfarë qëndron pas këtij përjashtimi? Gazetari Altin Sulce ka zbuluar detajet e këtij rasti. Sipas tij, Silvinjo i kishte kërkuar Mihajt që të paraqitej tre ditë para grumbullimit në Tiranë. Ndërkohë, Enea Mihaj kishte planifikuar martesën e tij për të dielën, ndërsa grumbullimi i ekipit kombëtar ishte caktuar për të hënën.

Mbrojtësi kishte kërkuar edhe leje nga trajneri për këtë arsye, por Silvinjo e kishte refuzuar kërkesën. Ky qëndrim është i habitshëm, jo vetëm sepse martesa është një ngjarje me rëndësi të veçantë, dhe në këtë rast nuk do të humbte shumë ditë stërvitje, por edhe për faktin që Mihaj është ndër lojtarët më pak të preferuar në pozicionin e qendërmbrojtësit dhe nuk është përdorur shpesh.

Sulce tha: “Kam informacion se Mihaj nuk u grumbullua sepse Silvinjo i kërkoi që të paraqitej tre ditë përpara datës së grumbullimit. Ekipi do të mblidhej të hënën, ndërsa Mihaj kishte martesën të dielën. Trajneri nuk pranoi ta lejonte dhe i kërkoi të shtynte dasmën, ndërkohë që grumbullimi ishte i detyrueshëm të hënën. Mihaj kishte kërkuar leje për martesën, por Silvinjo kërkoi që ai të vinte më përpara.”