Agron Llakaj dhe bashkëshortja e ndjerë Kostandina do të festonin sot 40-vjetorin e martesës. Në këtë ditë të shënuar aktori i ka dedikuar dy fjalë të ndjera,
“Sot do festonim 40-vjetorin e martesës, Kostandina ime. (Gon’Nina) sakrifikuam, vuajtëm, fituam, por Ti si marathonomaku, pas lajmit të fitores, ike. Festo me engjëjt, zemër.”
Pak ditë më parë, në 2-mujorin e ikjes së bashkëshortes nga jeta, aktori rrëfeu mes rreshtash dhimbjen e madhe, “Sot 2 muaj pa Ty!???? Kalojnë ditët dhe sërish mbetem i pushtuar nga mungesa jote Kostandina... dhe jetën e shikoj krejt ndryshe. Sa i pakuptimtë ky fati ynë?!
Shtyj një ditë, një javë...,sot 2 muaj...,ushqej mendimin se do më kthehesh sërish dhe s’di..., eci rrugës dhe më duket se përpara do më shfaqesh Ti, ke qenë në punë, në bankë a diku.. eci nga liqeni dhe hapat që vijnë mbrapa nga kushdo me ngjajnë me ritmin e hapave të tua…,sa herë instiktivisht kthej kokën…,ul ritmin të të pres.., dhe sërish vetëm. Ulem të vendi ynë në kafenë dhe porosis gjithmonë dy, dy gjysma kafe dhe një shishe ujë...
Në shtëpi çdo lëvizje e hapje e mbyllje dere...,më rrëqeth të gjithin.., mos po vjen ti?!
'Të kam sjellë dy bluza, provoi cila të rri më mirë?!; Më mungon e qeshura jote...,malli me shqyen për zërin tënd në telefon; he mo Agron?! Pusho pak, mos rri pa ngrënë..., të të pres apo vonon?!'
E ditët shtyjnë njëra-tjetrën e hëna me diellin vazhdojnë ndërrojnë vendet..., unë jo...,të pres Ty. E si Hachiko jam shndërruar në pritje, në pritje deri në amshim.., nuk kam një vend ku Ty të të pres, në çdo vend më mungon Ti.????”, ka shkruar ai.



















