Valbona Mhilli ka dhënë së fundmi në intervistë për kanalin e YouTube të revistës “Bordo” dhe ka folur për herë të parë për largimin e saj nga RTSH. Largim, i cili u diskutua shumë në media për shkak se erdhi pasi moderatorët e emisionit të mëngjesit Valbona Mhilli dhe Ermal Qorri lexuan me vështirësi fjalët “Holokaust” dhe “Auschwitz”.
E pyetur në lidhje me këtë situatë, Valbona Mhilli u shpreh se largimi i saj ishte për arsye politike dhe jo për shkak të gafës që ata bënë.
“Largimi im dhe i Ermalit nga ai projekt erdhi i papritur, unë kam marrë kohën e duhur dhe të mjaftueshme, nuk kam reaguar deri në këto momente dhe kjo intervistë nuk është për qëllim për të reaguar. Meqenëse jemi bashkë sot si dy mikesha po e konsumojmë këtë kafe dhe po e ndajmë paksa. Unë kam pushuar kam marrë kohën time, nuk kam reaguar, jam prononcuar vetëm në një status timin në Instagram, aty ku unë kam kërkuar një ndjesë publike dhe kam thënë që le të jetë linçimi im mediatik në televizionet shqiptare.
Dhe padiskutim ata të cilët e hedhin gurin të parët janë ata të cilët gjithmonë mëkatojnë më shumë. Megjithatë largimi im dhe i Ermalit, të paktën unë flas për veten time nga hulumtimet e mia, nga kontaktet e mia dhe nga koha e të arsyetuarit dhe bisedimet që kam patur. Më vjen shumë keq dhe ndihem shumë e pikëlluar sepse sërish në këtë vit ky largim ka qenë dirigjim politik.
Edhe të flasim në këtë kohë edhe të jesh e pushuar nga puna për dirigjim politik, kjo më bën të ndihem keq. Edhe pse unë më parë nga eksperiencat e mia televizive jam në vitin e 9-të kanë qenë gjithmonë media të cilat cilësohen ose hamendësohen që janë media të majta. Unë i falënderoj shumë sepse gjithmonë më kanë vlerësuar për atë çka unë di të bëj, për atë çka unë kam investuar që në moshë të vogël fare. Kanë vlerësuar profesionalizmin tim dhe më kanë dhënë një dorë të madhe, ama në këtë rast në shtet dirigjimi politik ishte i paevitueshëm”.