Ndër bisedat e shpeshta që kam patur me Einxhël, kur ka qenë në “Big Brother Vip Albania 1”, ishte dëshira për të patur një fëmijë. Ndaj kur pashë lajmin se ajo ishte bërë mama, u gëzova, Einxhël dhe Dagz kishin arritur të realizonin dëshirën e tyre, të bëheshin prindër dhe të kishin familjen e tyre të re. Ndodh shpesh që shumë vajza ndryshojnë gjatë ose pas shtatzënisë, por Einxhël duket njësoj: një pamje dhe trup të hatashëm, edhe pse tani në vend të parë për çdo gjë është Trev, ajo nuk ka lënë pas dore veten, madje më duket se tani ka një hir bukurie krejt ndryshe. Në këtë intervistë për “Bordo Kids”, vajza e njohur e ekranit dhe bashkëshorti i saj Dagz, flasim për jetën e tyre të re, detyrat si prindër, përballjet e befasishme me emocione që nuk i kishin njohur më parë, si dhe projektet e ardhshme që i presin në ekran, të gjitha të shoqëruara me një editorial për ballinën e revistës, e cila si çdo qershor vjen me edicionin special dedikuar fëmijëve dhe familjes.
Nga vajza e ekranit, që e rrëmbente vëmendjen, Einxhël tani një mami e qetë, a është e vërtetë kjo?
Mendoj se vazhdoj të rrëmbej vëmendje, madje dyfish tashmë (qesh). Mëmësia më ka mësuar të përballoj disa situata më qetësisht. Gjithashtu më ka mësuar të lë të shkojnë situatat e panevojshme në jetën time, për të cilat nuk kam kohë apo energji për të çuar dëm, sepse situata ime aktuale më ezauron në mënyrën më të mirë të mundshme, kohën dhe energjinë time!
Çfarë ka ndryshuar më shumë ndjesia e mëmësisë tek Einxhël?
Ka ndryshuar ndjeshmërinë, e cila jo se më ka munguar më parë, por e kam ruajtur shumë veten për t’u dukur e fortë, pa e ekspozuar atë pjesë timen. E kur u bëke nënë, forca vjen në forma të ndryshme dhe tashmë bëhem emocionale, shumë më shpejt dhe nuk ngurroj të shfaq këtë anë time.
Shumë vajza para se të bëhen nëna ndjekin kurse, ti e bërë një të tillë apo të mjaftoi intuita?
Unë si nënë jam pak paradoksale…, sepse pavarësisht se më pëlqen të jem e informuar dhe e përgatitur për gjithçka, sërish ato informacione i kombinoj me intuitën time. Kështu ka ndodhur gjatë gjithë periudhës së shtatzanisë dhe pas. Nuk kam ndjekur kurse, por çfarë kam lexuar dhe përshtatur me intuitë, besoj është bërë mjaftueshëm për të dhënë unë kurse (qesh)!
E megjithatë disa mama thonë se realiteti, nuk i ngjan aspak librave të mëmësisë…
Nuk i ngjan në shumicën e kohës sepse as fëmijët, as nënat dhe as eksperiencat e secilës, nuk janë të njëjta. Sigurisht, librat me baza mjeksore i përafrohen realitetit për sa i përket pjesës shëndetësore, por asaj psikologjike apo emocionale, vështirë t’ia gjesh gjithmonë përgjigjet në libra.
Momenti kur ndërrove bebelinën e parë si ishte, a e kujton?
Për shkak të krahut tim të dëmtuar, të gjithë rreth meje u munduan ta bënin këtë pjesë, deri kur një moment isha vetëm në shtëpi unë dhe Trev…! Aty mora situatën në kontroll dhe nisa procesin, i cili ka zgjatur plot 30 minuta! E kam filmuar dhe kur e shoh sot, emocionohem me bisedën që bëja me djalin, ndërkohë që e ndërroja. Ndoshta ato momente më është dukur një sfidë, por sot është një kujtim i bukur, bebelina e parë!
Jam kurioz të di, si i keni ndarë detyrat për mirërritjen e Trevit, kush bën, çfarë?
Meqë po thosha më lart se vështirësitë që kisha me bebelinën, ai është një sektor ku shkëlqen Dagz dhe e bën shumë shpejt si proces. Netët pagjumë dhe roje i bëj unë, ndërsa ai zgjohet, përgatit qumështin apo pastrimin e biberonëve sa herë mundet. Gjithashtu, përgatitjen e mëngjesit e ka gjithmonë ai dhe vënien në gjumë unë. Jemi munduar të gjejmë një balancë në hapësirën kohore që Dagz ndodhet në shtëpi.
Cili nga të dy zgjohet më shpesh natën?
Që të zgjohesh nga gjumi, si fillim duhet të flesh (qesh)! Kështu që Dagz zgjohet më shpesh, sepse unë jam pothuajse zgjuar shumicën e natës, edhe pse Trev tanimë bën një gjumë të gjatë, por instinkti i nënës ndoshta është ai që më lë njërin sy hapur, gjatë gjithë natës.
Ai momenti i dhëmbit të parë si ishte, kush e pa i pari nga të dy? Apo e pa dikush tjetër nga familja?
Kaluam disa net të këqija me temperaturë dhe plot panik, duke menduar se ishte sëmurë. Derisa zbuluam që mund të ishte dhembi shkaku dhe atë dhëmbin e parë e pritëm aq me padurim, dhe rrinim e ruanim çdo ditë. Ndërkohë kunata me burrin e saj, i cili është shumë i lidhur me Trev, vijnë të luajnë me të dhe ai nis të kafshojë gishtin e tij. Aty u vu re që i kish dalë dhëmbi i parë!
Çfarë dhurate i bëri Trevit, ai që i pa dhëmbin?
Ai me hallën e Trev i bëjnë aq shpesh dhurata, sa duket sikur çdo muaj i zbulojnë nga një dhemb. Por e kemi lënë kur të rritet dhe pak Trev, të zgjedhin diçka flori që ta ketë kujtim.
Trevi kujt i ngjan më shumë, ty apo Dagz?
Kjo është një “luftë” e madhe familjare dhe shoqërore, sepse ka shumë këndvështrime. Por kemi rënë dakord që kryesisht nga pamja është kopja e babit dhe nga karakteri kopja e mamit. Megjithatë, duket një miks, që ka marrë më të mirat e të dyve!
Cila ka qenë fjala e parë që thënë Trev, kam bindjen Dagz, ngaqë është më i shkurtër?
Ke një bindje të gabuar, sepse unë e kam dëgjuar kur ishte 5-muajsh teksa qante thoshte “mamaa” dhe kam nisur ta regjistroj me “voice record” sepse kam qenë duke shkruar me Dagz, dhe aty ka thënë “maa-baaa” (qesh). Mesa duket Trev e kuptoi që duhet ta mbante mirë me të dy e të na bënte qefin njëkohësisht! Por fjala që ka thënë tamam për t’iu drejtuar dikujt - dhe ai dikushi është Dagz - ka qenë fjala “beb”, sepse unë Dagz-in në përditshmëri kështu e thërras me përkëdheli, dhe Trev ka menduar atëherë se ai është emri i tij.
Dagz si është si babi, a mund të na bësh një përkufizim?
Dagz është një baba shumë i qetë, por dhe kërkues për rritjen dhe edukimin e Trev. Të gjithë kanë menduar që ai do ta përkëdhelte për çdo gjë, por në fakt është një figurë që ka autoritet te Trev. E kam lakmi që i trajton situatat dramatike më qetë dhe pa përhapur panik, duke më qetësuar kështu edhe mua. Sidomos në rastet kur është sëmurë, Dagz është shtylla ime kryesore, sepse unë sëmurem psikologjikisht menjëherë dhe e përjetoj shumë gjendjen e djalit. Ndërsa ai merr situatat nën kontroll dhe procedon me gjërat praktike.
Trevi lindi në Tiranë, por jeton në Prishtinë, a ndihet konfuz mes dy dialekteve të prindërve?
Kjo është një pjesë tepër interesante, sepse ne jemi vendosur në Prishtinë kur Trev ishte 7-muajsh dhe njerëzit rreth tij, instinktivisht i flisnin me një dialekt të Shqipërisë, duke menduar se do t’i kuptonte më mirë ai. Por jo, nuk mendoj se është konfuz pasi dhe kur i them “makina” apo kur i thonë “kerri”, ai të sjell të njëjtin objekt.
Trev ka një faqe Instagrami, zgjodhët ta bëni publik, ndryshe nga disa që i nuk i ekspozojnë fëmijët, pse?
Në fakt nuk e kam ekspozuar Trev për 1 vit dhe kisha menduar që do të zgjaste më shumë, por u bë tepër e sikletshme dhe e lodhshme, sepse njerëzit kishin dëshirë të bënin foto me të, apo kur dilnim nuk mund ta ruaja dot larg syve apo kamerave. Prandaj vendosëm ta ndajmë me të gjithë dhe arsyeja që i hapa profilin e tij ishte që Instagrami im, të mbetej i imi kur mund të ndaj punët e mia dhe kujtimet e bukura të tij të ishin në profilin e tij.
Si reagon djali kur ju sheh të dy në ekran?
Në fakt më shpesh sheh Dagz-in, duke qenë se i pëlqen projektet e tij muzikore dhe sa herë ja vë këngët kënaqet kur sheh babin e vet dhe e thërret...
Kam vënë re që pas lindjes, pamja jote ka qenë në top formë, a ka ndonjë sekret?
E vërteta është që mora mjaftueshëm kilogramë pas lindjes dhe për një periudhë si dhashë vetes stres, duke e ditur që motivi i tyre ishte ardhja në jetë e një mrekullie si Trev. Por me kalimin e kohës, nisa të reduktoj disa vakte të tepërta dhe sigurisht stresi i mëmësisë është një sekret, që e dinë shumë mama dhe që funksionon për dobësim.
Kujtoj orët e gjata të seancave të bukurisë në BBVIP, cilat janë ato që i ndjek akoma me besnikëri, edhe tani që je mami?
Kjo në fakt ka qenë një pjesë që e kam patur shumë merak gjithmonë, madje ende sot rutinën e fytyrës e kam të shenjtë. Ndoshta nuk e bëj strikte çdo natë, por pastrimi i lëkurës para se të fle është një domosdoshmëri për mua. E nëse dikur në BBVIP, Dagz më priste ta mbaroja këtë proces për të fjetur të dy, tani më pret bashkë me djalin dhe pastaj shtrihem ta vë në gjumë djalin. Mëmësia është vërtet një “punë me kohë të plotë”, por për mua ka mbetur tepër e rëndësishme, pjesa e kujdesit ndaj vetes dhe mundohem të mos e lë kurrë plotësisht veten pas dore.
Pas një periudhe mungese në ekran, cilat janë projektet e rikthimit në televizion?
Po, kam një plan rikthimi në ekran që po e mendoj së fundmi më seriozisht, pasi mora mjaftueshëm kohën që kisha nevojë, për të jetuar këtë eksperiencë të mrekullueshme, si mëmësia. Në kokën time, por edhe në dosjen time të projekteve janë shumë të shkruara e të pashkruara, por po shoh me qetësi çfarë është projekti që jo vetëm do të më bënte të ndjehesha mirë, por dhe të nevojshme në ekran, sepse nuk do të doja kurrë, që prezenca ime të ishte thjesht sa për prezencë. Kam nevojë të bëj diçka që më plotëson profesionalisht, por edhe justifikon sakrificën e kohës që do marr prej djalit, për t’ia dhënë ekranit dhe publikut!