Sven-Göran Eriksson, ish-trajneri i njohur i Anglisë dhe Lacios, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare. Eriksson zbuloi në janar të vitit 2024 se ai ishte diagnostikuar me kancer në pankreas dhe se i kishte ngelur vetëm një vit jetë.
Vdekja e Eriksson u konfirmua nga Bo Gustavsson, agjenti i ish-trajnerit të Lazios në Suedi, përmes agjentit të tij në Mbretërinë e Bashkuar, Dean Eldredge i Oporto Sports. Karriera e Eriksson zgjati më shumë se katër dekada, duke filluar në Suedi me Degerfors IF përpara se të merrte drejtimin e IFK Göteborg.
Së fundmi në një dokumentar për jetën e tij “Amazon Prime Video”, 76-vjeçari ka dhënë një mesazh prekës, duke theksuar se jeta është e shkurtër dhe të gjithë duhet ta jetojnë atë duke u përqendruar në momentet e bukura.
“Kam patur një jetë të mirë. Mendoj se të gjithë jemi të frikësuar nga dita kur vdesim, por jeta ka të bëjë gjithashtu me vdekjen. Duhet të mësosh ta pranosh ashtu siç është. Shpresoj se do të më mbani mend si një djalë pozitiv që u përpoq të bëjë gjithçka që mund të bënte. Mos kini keqardhje, buzëqeshni. Faleminderit për gjithçka, trajnerë, lojtarë, tifozë, ka qenë fantastike. Kujdesuni për veten dhe kujdesuni për jetën tuaj. Dhe jetojeni atë.
Ai që ka thënë se jeta është shumë e shkurtër, ka pasur të drejtë. Kujtoni gjithmonë momentet e mira në jetë. Është e trishtueshme, por është edhe e bukur.
Që kur zbulova se kam kancer, kam udhëtuar në të gjithë Suedinë, Anglinë, Italinë dhe Portugalinë. Jam përlotur shumë herë, kur kam parë dashamirësinë e njerëzve ndaj meje. Zakonisht njerëzit flasin mirë për ata që janë të vdekur. Unë jam me fat, sepse ata flasin mirë për mua, sa jam ende gjallë”, deklaroi Eriksson.



















