KreuCelebrity

Intervistë ekskluzive/ Jeta e re e Gigliola Haverikut!

Intervistë ekskluzive/  Jeta e re e Gigliola Haverikut!

Gigliola prej 4 muajsh është bërë mami e një vajze, të cilës i është dedikuar plotësisht. Në një bisedë me “Bordo”, Gigliola flet për këtë eksperiencë të re në jetën e saj, vështirësitë e të papriturat me të cilat është përballur, përfshi periudhën e depresionit postpartum. Partneri i saj, erdhi e zbukuroi jetën e këngëtares në një moment që ajo nuk ishte gati për të krijuar lidhje, me shumë durim rrëmbeu zemrën e saj dhe sot ata janë një familje e lumtur prej 3-anëtarësh. Se si u njohën, se si e fitoi zemrën e saj dhe se si e menaxhojnë romancën tani që kanë të voglën e tyre, të gjitha këto Gigliola i ndan pa dorashka me gjithë lexuesit e “Bordo”..

Çfarë ka njohur te vetja Gigliola, që prej momentit që është bërë nënë?

Nuk e dija që kisha kaq shumë durim, isha kaq shumë e përgjegjshme dhe kam një forcë shumë të madhe, në fakt.

Më thuaj një situatë për të cilën u gjende e papërgatitur, kur erdhi Isabele në jetë?

Nuk isha e përgatitur, që e gjithë vëmendja do të ishte te vajza. E dija këtë gjë dhe është shumë e natyrshme që të ndodhi, por gjithsesi u ndjeja pak keq, që po e humbja pak identitetin tim. Shihja që edhe njerëzit të largohen pak. Unë akoma jam duke pritur atë shoqërinë, që mezi prisnin që të lindte Isabel, dhe akoma nuk kanë ardhur ta shohin.

Intervistë ekskluzive/  Jeta e re e Gigliola Haverikut!

Si po sillet deri tani Isabel, i ka torturuar sado pak mamin dhe babin?

Isabele është shumë e mbarë. Që në fillim, ne kemi fjetur të paktën 4 deri në 5 orë rresht. Ajo ka ato oraret e veta, e ka krijuar pavarësinë e saj që në fillim. Madje tani fle dhe 7 orë rresht dhe jemi shumë në rregull.

Si ka qenë periudha pas lindjes, në lidhje me depresionin postpartum?

Pas lindjes, kam patur shumë probleme. Duke filluar që nga pjesa që unë pata operacion çezarian, dhe nuk flitet shumë për dhimbjet dhe koha që të duhet për t’u rikuperuar. Mendohet që është rruga më e lehtë, ndërkohë që nuk është kështu. Kalova një trishtim të pakuptuar, një gjendje vetmie, edhe pse i kisha të gjithë njerëzit e mi afër. Nejse, kaloi.

Çfarë të ndihmoi për ta kaluar këtë gjendje?

Më ndihmuan ta kaloj familjarët, mami, babi dhe kryesisht bashkëshorti im, që ka qenë aty në çdo hap të postpartum dhe është padyshim.

A ka diçka nga fëmijëria jote që do të doje, që edhe vajza jote ta kalojë?

Ndjesinë e të paturit një familje të bashkuar. Unë nuk mbaj mend një moment ose një periudhë, që nuk kam patur mamin dhe babin afër meje. Kanë qenë shumë të pranishëm, gjatë gjithë fëmijërisë sime.

Bashkëshortin, ke zgjedhur të mos ta ndash në rrjete sociale. Zgjedhje e jotja apo e tij?

Zgjedhja e tij në fakt. Në fillim padyshim që ishte një zgjedhje e imja, por ai nuk është tip që ka qejf të dalë në televizor ose të bëhet publik, dhe unë ia kam respektuar këtë gjë.

Si jeni njohur?

Ne jemi njohur në një festë private te shtëpia e shoqes sonë, Livia.

Si ta fitoi zemrën?

Ai në fakt ma fitoi zemrën, duke qenë vetvetja. Është munduar shumë në fakt sepse unë kam qenë në një periudhë që nuk doja lidhje, nuk doja fare të nisja diçka të re. Ai pati shumë durim dhe ja ku jemi sot me një bebe. Është një njeri shumë i qetë, shumë i përkushtuar, gatuan shumë mirë, mundohet shumë të jetë i mirëkuptueshëm.

Tani që jeni bërë prindër, e keni lënë mënjanë veten për hir të fëmijës apo keni mundur të gjeni kohë për romancë?

Jo deri tani e kemi lënë, që një herë në javë të dalim në date. Gjë të cilën e kemi respektuar, me dy kalime të vogla. Pra, në përgjithësi e gjejmë kohën për njëri-tjetrin, ose mundohemi të paktën.

Arratisje në çift pa vajzën keni bërë apo është ende shpejt?

Ende shumë shpejt, sepse vajza është ende e lidhur pas meje prej gjirit.

Është data 1 Maj 2010, ku është dhe çfarë po bën Gigliola?

Gigliola është duke u përgatitur për provimet e maturës, duke zgjedhur fustanin e mbrëmjes së maturës, sapo ka njohur dashurinë e saj të parë dhe ka vendosur që studimet do t’i bëjë për psikologji në Tiranë.

Çfarë do t’i thoshe Gigliolës, atëherë në atë kohë?

Do t’i thosha që gjithë çelësi është te të dashurit e vetvetes, te të pranuarit e vetvetes. Të kisha pak më shumë besim te vetja dhe çdo gjë do të ishte më mirë. Do të shmangia ca net me lotë, ca hidhërime, trishtime që më kanë ardhur më pas.

Nëse do të dëgjonte vajza tani, çfarë mesazhi do t’i jepje?

Do t’i thosha që dija është gjëja më e rëndësishme, dija është liri. Edhe nëse gjërat mund të shkojnë keq në jetë, pasi është çështje fati, në qoftë se ke këtë, do ta gjesh gjithmonë një zgjidhje, do të gjesh gjithmonë një mënyrë për t’ia dalë.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF