KreuCelebrity

Iva Mera: Pse e lashë ekranin për të jetuar në fshat!

Iva Mera: Pse e lashë ekranin për të jetuar në fshat!

Iva Mera ka dhënë një intervistë të bukur për kanalin e YouTube të revistës “Bordo”, teksa ka hapur dyert e Bujtinës Mera, një oazë qetësie dhe relaksi për këdo që zgjedh që të kalojë një drekë apo një darkë në ‘shtëpinë’ e tyre.

Iva Mera: Pse e lashë ekranin për të jetuar në fshat!

Gjatë intervistës, Iva zbulon se si hoqi dorë nga ekrani e gazetaria dhe u zhvendos në Petrelën e bukur, aty ku para 8 vitesh familja Mera ngriti një biznes të vogël familjar, i cili përgjatë viteve është kthyer në një destinacion të preferuar për të gjithë.

Sa vite ke këtu?

Ne u bëmë 8 vite familjarisht që jetojmë dhe punojmë në Petrelë.

Çfarë ju solli në Petrelë, çfarë të motivoi të lije qendrën e Tiranës dhe të vije këtu? 

Fillimisht ka qenë dëshira e prindërve të mi, të cilët ndoshta ishin lodhur me zhurmën dhe kakofoninë e kryeqytetit, të Tiranës. Ata nuk e kishin parashikuar të bënin një gjë kaq të madhe. Kishin menduar një biznes të vogël familjar dhe në një farë mënyre të ndryshonin mënyrën e jetesës, të jetonin në fshat. Bujtinën e kemi hapur më shumë për ta pasur një guest house minimal, ku mendonim që mund të prisnim një ose dy tavolina në ditë. Mami im të kujdesej për ushqimin, unë të prisja klientët, edhe babi t’i priste dhe t’i përcillte me natyrën e tij dashamirëse dhe popullore që tashmë e njohim. Por mesa duket, Petrela para 8 vitesh kishte nevojë për një biznes të tillë, sepse ne e pamë etjen e klientëve për të qenë pjesë në çdo fundjavë në këtë vend, këtu te bujtina. 

A e bën diferencën çfarë ndryshimesh vë re, nga para 8 vitesh edhe tani në Petrelë? Ka ndryshuar infrastruktura, facilitetet, njerëzit kur vijnë vizitojnë dhe vende të tjera këtu përreth?

Tani ajo që më ka bërë shumë përshtypje, ndryshe nga fshatrat e tjerë, e shihja Petrelën që gjithmonë ishte një fshat në të cilin dukej sikur gjithmonë kishte një vëmendje. Për shembull nga viti ’90, unë mendoj një gjë shumë e mirë që është bërë për Petrelën është sistemi energjik i Petrelës. Më përpara ne vuanim për drita, për ne të paktën, ka qenë një dhimbje shumë e madhe kur ti lokalin ose biznesin tënd e kishe të mbushur me të huaj apo me klientë që kishim zgjedhur bujtinën tënde për të bërë evente, dhe në një moment të caktuar ti nuk kishe drita. Çdo vit e më shumë hapen sipërmarrje të tilla në fshatin e Petrelës dhe unë jam shumë e lumtur për këtë. Sepse sa më shumë të ketë, aq më shumë zhvillim ka fshati i Petrelës. Jam e bindur që ne shohim një ndryshim shumë të madh nga viti në vit, sepse sot pavarësisht se Petrelën mund ta quajmë fshat, që për mua vetëm fshat nuk i takon të quhet. Por normalisht emërtimin e ka të tillë. Mendoj se i ka të gjitha kushtet e nevojshme jo vetëm për të jetuar, por dhe për të ngritur një biznes të mirë dhe pastaj pse jo për ta bërë mënyrë jetese këtë sipërmarrje. 

Është kthyer në trend tani që njerëzit vijnë nga qendra e Tiranës drejt periferisë për të konsumuar ushqimin, për të kaluar disa orë. Apo është vërtetë ushqimi, zona, ajri këtu që i tërheq, i sjell? 

Unë mendoj që çdo vit e më shumë Tirana është e ngarkuar, për ata të cilët banojnë. Pra është një ambient stresues le ta quajmë, gjë që ndodh kudo në të gjithë kryeqytetet e botës. Është një vend i cili ka shumë lëvizje, shumë zhurmë etj. Kështu që normalisht të gjithë banorët e kryeqytetit vendosin që fundjavën e tyre ta kalojnë jashtë kakofonisë së kryeqytetit apo qyteteve të tjera të mëdha. Shumë nga klientët më thonë se mjafton që të shohësh këtë gjelbërim edhe sikur të mos konsumosh asgjë jemi relaksuar. Saqë shumë herë më pëlqen se më thonë Iva ule muzikën, sepse muzikë më të bukur se sa çka natyra nuk e krahasojmë dot. Dhe pse jo Petrela duke qenë se ka një mundësi dhe është një fshat i cili është shumë afër Tiranës, ku në një farë mënyre ti vjen edhe kalon drekën por mund të shkosh menjëherë të kthehesh në shtëpi. Pra jo domosdoshmërish të largohesh për 2-3 ditë, sepse është afër, infrastruktura është shumë e mirë, kushtet janë shumë të mira.

Si e gjejnë turistët e huaj këtë vendin këtu?

Nga bisedat që kam pasur me ato kam përshtypjen nga platformat online, por disa priren dhe nga revieë dhe normalisht unë mendoj që një pikë shumë e rëndësishme që ne na ka ndikuar në Petrelë është ZipLine. Është e pamundur që unë të kem të ulur këtu turistë të cilët nuk e kanë provuar eksperiencën e ZipLine. Pra për mua ishte një nga gjërat më kyçe që është bërë për Petrelën dhe më pas bazohet që ka qenë Kalaja e Petrelës, patjetër që ka qenë një atraksion turistik është e kot mos ta themi. Por ama Zip Line ka goditur shumë të huajt këto 2 vitet e fundit. Vjet kemi pasur shumë polakë, kurse këtë vit kemi pasur shumë nga Holanda, pafund, holandezë të paktën deri tani pothuajse çdo 2 ditë kemi turist hollandez. 

Janë kureshtarë, të pyesin për kulturën, historinë e vendit apo vetëm konsumojnë ushqimin e tyre?

Po patjetër, ka që dëshirojnë shumë të dinë, pyesin. Shumë interes kanë në lidhje me klimën, pyesin nëse ka ndonjë gjë rreth kalasë të cilën duhet ta shohin apo duhet ta vizitojnë. Më pyesin për shtëpitë e vjetra, më pyesin për historinë time këtu. Pse unë jam këtu, më pyesin për emrin Bujtina Mera, shumë herë edhe i shpjegoj turistëve pse e kam mbiemrin Mera dhe kush është babai im. Dhe pse këtu ka kaq shumë punë. 

Cila është mënyra që keni ju këtu, cila është menuja tradicionale edhe mbase ajo pjata që porosisin ose konsumohet më shumë?

E gjithë menuja e bujtinës është menu shqiptare, është menu e jona. Unë nuk kam zgjedhur vetëm një lloj menuje, për shembull menu dibrane meqë unë jam dibrane, ose menu tiranase. Unë kam bërë një miksim të gjërave më të mira që ka zona ime, me gjërat më të mira që ka Petrela, me gjërat më të mira që mund të ketë Korça dhe kam bërë një miksim ushqimi tradicional. Menuja nuk është shumë e larmishme. Unë mendoj që kemi zgjedhur menunë e duhur sepse ato pak gjëra që janë mbajmë fort cilësinë dhe produktet të jenë natyrale, të mira. Jo industriale, sepse mendoj që njerëzit kanë kohë 6 ditët e javë, 5 ditët e javës të konsumojnë gjëra të tilla. Fshatit i takon dhe detyra jonë është që të japim gjëra fshati. Ne dimë të gatuajmë, jemi shumë të mirë në kuzhinë, jemi të pastër në kuzhinë, po flas për Shqipërinë në tërësi. Kështu që mendoj që një pikë kyçe për ne është edhe ushqimi dhe menuja shqiptare që ne kemi. Jam shumë e lumtur që në tërësi në të gjithë zonën e Petrelës në përgjithësi është kuzhinë tradicionale. Në të gjitha restorantet dhe sipërmarrjet e tilla.

Iva, ty vetë çfarë të mungon nga Tirana? Ti ke qenë në profesion gazetare, ke qenë në një punë shumë të mirë, ke pasur axhendën shumë të ngarkuar me takime, me njerëz. Çfarë të solli këtu dhe nuk të mungon më? Dhe çfarë nuk të sjell më atje?

Ndonjëherë më mungon zhurma, do thuash pse të mungon, më mungon sepse njeriu aq sa ka nevojë për qetësi, ka nevojë edhe për pak zhurmë, energji. Mua më mban bujtina, sepse më mban gjatë gjithë kohës të ingranuar dhe në një farë mënyre mallin e shumë miqve dhe njerëzve, shkëputjen që të jep të jetosh në periferi, unë arrij që ta heq sepse janë ata që vijnë këtu edhe më takojnë. Por nëse nuk do të ishte bujtina, aty do të doja që ta shihja Ivën e vërtetë nëse do të rrija realisht 100% këtu dhe nuk do të zbrisja në Tiranë. Prezenca ime këtu ishte në momentin dhe në fazën më të bukur të jetës time, ku unë u bëra nënë e 2 çunave dhe objektivi nuk ishte më Iva, televizioni, karriera, ishte rritja e fëmijëve të mi. Nëse do të kisha mundësi të kthehesha dhe njëherë mbrapa duke i parë të gjitha gjërat siç po i shoh sot, me shumë kënaqësi do të zgjidhja sërish të vija në Petrelë. Mendoj që është gjëja më e mirë që i kam bërë gjithë jetës sime për këtë zgjedhje. Është zgjedhja më e mirë dhe më e shëndetshme si në aspektin fizik, ashtu edhe mendërisht. 

Iva, shumë faleminderit që na prite sot. Ne u kënaqëm shumë nga i gjithë vendi këtu dhe sa bukur është që të punosh çdo ditë në këtë vend. Nuk e ndjen fare që po punon. 

Në fund të ditës ka lodhjet e veta, por kur merr mbrapsht energji pozitive nga klientët, të cilët kur largohen thonë ëaë sa mirë këtu dhe u kënaqëm. Mendoj që është një lodhje e cila të paktën kthehet në energji pozitive për ta nisur sërish ditën tjetër. Unë dëshiroj që t’ju falënderoj, sepse këto janë programe të cilat në një farë mënyre, nuk është çështja vetëm për Ivën. Janë programe të cilat japin mesazhe pak më masive për të gjitha ato Iva të cilat ndoshta e kanë një ëndërr për të zhvilluar diçka jashtë Tirane, dhe e marrin me frikë marrjen e një iniciative të tillë. Dhe njëkohësisht për t’i treguar të tjerëve që ndoshta mund të largohen 2-3 ditë nga zhurma dhe stresi i kryeqytetit apo qytetit të tyre. Si dhe për të na treguar neve që të gjithë lodhjen tonë, që kemi dhe sakrificën le ta quaj deri diku na e dini dhe e dimë që e dini që ekzistojmë. 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF