Beyoncé bëri bujë të madhe në pjesën e parë të ndeshjes NFL mes Houston Texans dhe Baltimore Ravens, por këtë herë, vëmendjen iu desh ta ndante me vajzën e saj, Blue Ivy Carter. Në moshën 12-vjeçare, Blue Ivy jo vetëm mori pjesë përkrah mamasë së saj, por e kaloi atë në gjatësi, gjë që u vu re menjëherë nga fansat e artistes.
Eventi, që u mbajt në ditën e Krishtlindjeve, shënoi daljen e parë publike të këngëtares që nga skandali i bashkëshortit të saj Jay-Z. I akuzuar në një padi civile për sulm seksual së bashku me Sean "Diddy" Combs, Jay-Z mungoi në shfaqje. Beyoncé dhe Blue Ivy dolën në skenën e stadiumit NRG të Houston të veshur me veshje “western” tërësisht të bardha. Blue Ivy kishte rolin e kërcimtares në këngën "Texas Hold 'Em", që e mbylli në mënyrë spektakolare performancën 15-minutëshe të arstites.
Blue Ivy, e cila do të festojë ditëlindjen e saj të 13-të më 7 janar, është bërë shumë shpejt “kryefjalë” e internetit. Fansat vunë në dukje se sa shumë është rritur ajo dhe sa mirë ka arritur t`i përgjigjet të ëmës në skenë. Vajza e madhe e çiftit Knoëles-Carter nuk është e pamësuar në fakt me vëmendjen. Ajo ka kërcyer më parë në turneun botëror "Renaissance", i cili fitoi mbi 579.8 milionë dollarë. Megjithatë, dalja e saj në spektaklin e NFL ishte një moment i veçantë, pasi ishte hera e parë që Blue merrte pjesë në një event të tillë me nënën e saj, pa qenë i pranishëm dhe i ati. Fotot dhe videot e Beyoncé dhe Blue Ivy janë bërë virale duke u pëlqyer nga miliona fansa. Shumë vetë vunë re se sa e këndshme dhe e sigurt dukej Blue Ivy në skenë, duke krijuar një ekip të përsosur me nënën e saj.