KreuStil Jetese

Udhëtim në Lichnos, ëndërr, apo i vërtetë?

Udhëtim në Lichnos,  ëndërr, apo i vërtetë?

Nga Eda Bano 

-“Çfarë është ajo që më çudit shumë, më fut në mendime, dhe nganjëherë më bën madje të qesh me vete?”
Është fakti që sa herë ndodhem në ndonjë plazh kudo në botë, më kujtohet pikërisht “ai tjetri”, ai plazhi i gjirit të vogël grek, plazhi i Lichnos!

Udhëtim në Lichnos,  ëndërr, apo i vërtetë?

D.m.th kulmi ka qenë teksa futesha në detin e Karaibeve, kridhesha në ato ujëra të atyre ishujve me rërë të bardhë mbushur me palma, ku të buçiste në vesh, historitë e xhirimeve të sa e sa filmave dhe midis tyre “Piratet e Karaibeve“, dhe unë, ndërsa përshkoja detin e notoja në ato ujëra, mendoja “I mirë ky deti, por ama s’ka si ai i Lichnos!”. Dhe atje pastaj buzëqeshja, që çne të më kujtohej plazhi e deti i Lichnos aq larg gjeografikisht që ndodhesha! Por ja pra, kështu qenka mendja! Të çon nganjëherë atje ku as ti me logjiken me të fortë, nuk do shkoje dot.
Ja ku mbërrijmë në Lichnos!

Udhëtim në Lichnos,  ëndërr, apo i vërtetë?

‘Lichnos beach’ është një plazh vetëm 4 km larg qytetit të bukur gati me verior të Greqisë, Pargës. Parga nga ana e saj është vetëm 108 km larg Sarandës, bëhet me makinë për vetëm 2 orë. Por duhet të parashikosh 3 orë, sepse duhet marrë parasysh ndonjë vonesë në pikën doganore të Qafe Botit, që për hir të së vërtetës mund të jetë ndër pikat doganore më me pak fluks, me doganierët më të mirë e më paqësore, sipas mendimit tim, duke parë se si sillen aty me të gjithë shqiptarët që hyjnë e dalin në kufi.

Udhëtim në Lichnos,  ëndërr, apo i vërtetë?

Udhëtim në Lichnos,  ëndërr, apo i vërtetë?

Tri orëve rrugë duhet t’i shtosh faktin që ora greke është një orë para nga ora shqiptare, kështu që, nëse nga Saranda nisesh në 6 të mëngjesit, duhet të planifikosh mbërritjen në Parga rreth orës 10:00 të mëngjesit. Nuk ka qytet më të bukur se Parga!

Udhëtim në Lichnos,  ëndërr, apo i vërtetë?

Jo se ka diçka të jashtëzakonshme: tipik grek, me det, me reliev, me rrugë të ngushta shtruar me gurë, shtëpi të bardha, lyer dyert e dritaret me blu, dyqane suveniresh në të dy krahët, dhe lokale anash detit ku natën shtrohen rrugica lecke e vihen shandane me drita e kërcehet zorba greke, jo vetëm nëpër lokale, por edhe jashtë tyre.

Udhëtim në Lichnos,  ëndërr, apo i vërtetë?

Rrugica kryesore, e ngushtë e me dyqane, të çon deri lart në kalanë e qytetit nga ku sheh Pargën në pëllëmbë të dorës. Nga Parga, në sheshin kryesor të qytetit që vijon e futet në det, nisen disa lloj varkash e anijesh të ndryshme nëpër ishuj, dhe njëra syresh të shpie në Lichnos për 12 euro personi. Pasi bën një udhëtim të shkurtër e panoramik rreth 25 minuta, të shfaqet pas shkëmbinjve, gjiri i vogël piktoresk me detin e dëshiruar. Aty ka disa plazhe private, por edhe hapësira të lira për pushuesit me çadrat e tyre.

Udhëtim në Lichnos,  ëndërr, apo i vërtetë?

Gjithashtu ka edhe një zonë me çadra kampingu, ku rrinë njerëz që kanë zgjedhur t’i kalojnë pushimet në kamping, që personalisht me duket një aventurë e çmendur dhe shumë e këndshme. Vetëm 15 euro kushton çadra me shezllonet me sfungjer të trashë, dhe kjo është një zgjidhje shumë e mirë kur do rrish gjithë ditën! Më pas, vetëm kur futem të lahem në detin e Pargës, e kuptoj arsyen se përse kudo ku jam kredhur, deteve e oqeaneve kudo në botë, më ka ardhur në mendje pikërisht ky det! Nuk e di çfarë e bën të veçantë atë! Kthjelltësia, ngjyra, shkëlqimi, pastërtia, thellësia, temperatura… Por asnjëherë nuk më ka zhgënjyer! Gjithmonë i kam dhënë të drejtë atyre zonave të padukshme të trurit tim, se përse ai e ka bërë këtë ndarje!

Udhëtim në Lichnos,  ëndërr, apo i vërtetë?

Udhëtim në Lichnos,  ëndërr, apo i vërtetë?

Plazhistët përreth janë të kombësive të ndryshme. Kështu ndodh rëndom kohët e fundit, kudo: gjen zezakë muskulozë të lyhen me krem dielli, siç gjen “fileto pule“ (tipa bardhoshe) nga vendet skandinave apo Anglia, gjen shqiptarë që duken si grekë, dhe anasjelltas, ashtu sikundër sheh sllavë, ukrainas e rusë. Një xhiro me biçikletë uji në dy shpellat shumë afër gjirit, një drekë me peshk të freskët, me sallatë greke e birrë të ftohtë, një frape me akull, ashtu siç grekët dinë ta bëjnë, e në fund sërish kthimi panoramik me varkë për në Parga, është kapaku i një dite të mrekullueshme të kaluar e ku tjetër, veçse në ‘Lichnos beach’, plazhi me detin e ëndrrave të mia!

Udhëtim në Lichnos,  ëndërr, apo i vërtetë?

Udhëtim në Lichnos,  ëndërr, apo i vërtetë?

Shënim: Sigurisht që në Lichnos mund të shkohet edhe me makine, 4 km pa mbërritur në Parga. Aty ka parkime të organizuara, siç ka edhe hotele e restorante shumë të mira dhe me çmime të arsyeshme.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF