KreuStil Jetese

Një rrugëtim me veten në mbi 6000 metra

Një rrugëtim me veten në mbi 6000 metra

Nga Ana Hyseni 

Udhëtimet janë një nga pasionet më mëdha të miat. Përveç dëshirës për të njohur dhe eksploruar vende, histori, kultura dhe tradita të botës, ato i shoh si një ballafaqim me veten dhe dalje nga zona e komfortit. Një nga vendet që kam përzemër dhe e kam vizituar 3 herë deri tani, është Nepali. Për mua ngelet nië vend, që më ka dhënë mundësinë, të përballem dhe njoh veten më mirë, të reflektoj për jetën dhe synimet e mia, dhe ku më se shumti, kam zbuluar dhe pasionin për alpinizmin.

Aty kam bërë trekun e famshëm 14-ditor në zonën e Anapurnes, Three Passes Trek - një trek 2-javor që kalon nga 3 qafa malesh me lartësi mbi 5000 metra, kam ngjitur malin Island Peak dhe Lobuche Peak mbi 6000 metra. Aventura ime e fundit ishte ngjitja e malit Ama Dablam, me lartësi 6812 metra, një nga malet më sfidues të Himalajeve dhe nië synim i rëndësishëm për shumë alpinistë, që dëshirojnë të sfidojnë veten me ngjitjet e majave mbi 8000 metra. 

Një rrugëtim me veten në mbi 6000 metra

Ngjitja e Ama Dablam konsiderohet si nië arritje shumë e madhe për çdo alpinist, për shkak të teknicitetit dhe eskpozimit që ai ka; madje konsiderohet si një mal teknikisht më i vështirë, sesa çatia e botës, Everesti.  Për mua ngelet nië nga malet më ikonike në botë, dhe ende sot e kam të vështirë ta besoj që ja dola të arrija majën e atij mali, pas gjithë sfidave më së shumti mendore që kalova rrugës. Ekspedita e Ama Dablam zgjati 3 javë. Pjesa e parë e ekspeditës ishte ecje deri në kampin bazë të malit, në lartësinë 4700 metra. Ecjen deri në këtë pikë e bëra vetëm dhe zgjati 9 ditë. Në kampin bazë takova guidën që do të më shoqëronte në ngjitjen e malit.

Një rrugëtim me veten në mbi 6000 metra

Në ekspedita të tilla është shumë e rëndësishme të bëhet një aklimatizim i mirë, për të mësuar trupin gradualisht me mungesën e oksigjenit dhe evituar sëmundjen e lartësisë apo hipoksinë akute. Çdo person reagon në mënyra të ndryshme me lartësinë dhe mungesën e oksigjenit, dhe është e këshillueshme që gjithsecili të bëjë rotacione, nga njëri kamp në tjetrin. Kampi bazë është si shtëpia, është qëndrimi bazë gjatë ekspeditës, dhe aty kalojmë pjesën më të madhe të kohës. Gjatë qëndrimit disaditor aty, pata fatin të takoja shumë alpinistë të tjerë, secili në stade të ndryshme të ekspeditës. Të gjithë ne që nuk e kishim bërë ende ngjitjen, prisnim me padurim personat që ktheheshin nga mali, për të patur kthimin e tyre të eksperiencës. 

Një rrugëtim me veten në mbi 6000 metra

Mbaj mend që guida ime më përsëriste sa herë që të mos dëgjoja çfarë thuhej, të përqendrohesha në rrugëtimin tim, për të mos humbur përqendrimin dhe mos u impaktuar nga eksperiencat e alpinistë të tjerë. Aty u përballa me raste nga më të ndryshmet, histori që më prekën dhe thyen emocionalisht dhe mendërisht.  Pashë shumë evakuime me helikopter nga mali të alpinistëve të plagosur, persona të cilët patën gangrenë në gishtat e duarve, për shkak të humbjes së qarkullimit të gjakut. Por u përballa dhe me alpinistë më të eksperimentuar, sesa unë që nuk e kishin arritur majën. Duke u përballur me histori të tilla çdo ditë, mendërisht unë u copëtova dhe nuk mu duk vetja e denjë për të bërë këtë ekspeditë. 

Por për respekt të malit dhe gjithë sakrificave që kisha bërë për të qenë aty, vendosa të vazhdoja ngjitjen edhe pse isha e bindur, që nuk do të rezultonte me sukses. Ngjitjet për në majë ose ‘’Summit push’’ nisën rreth orës 11:00 të darkës nga Campi 2 i malit dhe pjesa e parë e ngjitjes bëhet në errësirë, e ndriçuar nga drita e yjeve dhe llamba frontale. Gjatë ngjitjes përdoren këpucë specifike për një lartësi të tillë, për të evituar dëmtimin e këmbëve nga i ftohti. Ngjitja konsiston në seksione climbing në shkëmb dhe në akull, duke përdorur crampons/ktheterza. Mali është shumë i thepisur dhe vertikal, dhe çdo lëvizje me rritjen e lartësisë bëhet më e vështirë. 

Një rrugëtim me veten në mbi 6000 metra

Kjo është dita më sfiduese dhe e rrezikshme e gjithë ekspeditës. Alpinistët ballafaqohen me temperaturat e ulëta, me mungesën e oksigjenit, me lodhjen mendore dhe fizike, me humbjen e përqendrimit dhe rrjedhimisht në gjykimin e dobët në marrjen e vendimeve. Gjykimi i dobët për shkak të lodhjes, mund të çojë në aksidente fatale, siç mund të jetë harresa e kapjes së lirarit të sigurisë. Përpos përballjes me gjithë vështirësitë e një ekspeditë të tillë, unë nuk u dorëzova dhe arrita majën e Ama Dablam, më 7 nëntor 2023, ne oren 11:00, ku me krenari ngrita edhe flamurin tonë.

Udhëtimi im drejt majave këtë vit do të vazhdojë me ngjitjen e malit Kilimanjaro në Tanzani, për të vazhduar me malin Denali në Alaska dhe malin Elbrus në Rusi. Një projekt aq sa personal por dhe kombëtar, në përfaqësimin e femrës shqiptare në alpinizëm në majat e botës.  

Një rrugëtim me veten në mbi 6000 metra

Uroj që rrugëtimi im drejt majave të larta, të jetë inspirim dhe shtysë sidomos për femrat, për të përndjekur pasionet e tyre.

 

 

Bordo No.64
Nëntor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF