KreuStil Jetese

Sugjerime librash nga Bordo/ 5 titujt e muajit!

Sugjerime librash nga Bordo/ 5 titujt e muajit!

Libraria e Teheranit

Autori: Marjan Kamali - Çmimi: 1300 lekë

“Më tako në sheshin ‘Sepah’, të mërkurën, në orën 12:00”. Me këto fjalë Bahmani i kërkoi Rojës të takoheshin për të finalizuar dashurinë e tyre, e cila lindi mes librave në një librari në Teheranin e viteve 1950. Roja zbulon se sa shumë dhemb dashuria kur fati ka plane të tjera për ty. Bahmani nuk shkoi kurrë në takim dhe e la Rojën vetëm mes të trazirave të një grushti shteti, që do të shënjonte jetën e saj dhe të ardhmen e Iranit. Pas 60 vjetësh në Amerikë, aty ku Roja ka ndërtuar jetën e saj, ajo vendos të përballet me të vërtetën tronditëse...!

Mbase duhet të flasësh me dikë

Autori: Lori Gottlieb – Çmimi: 1500 lekë

Një libër revolucionar në çiltërsinë e tij, i cili ofron një udhëtim thellësisht personal, por edhe universal, në zemrat dhe mendjet tona. Një terapiste e cila eksploron ambientet e brendshme të jetës së pacientëve të saj, ku me një urtësi dhe humor befasues, na fton në botën e saj si mjeke dhe si paciente, duke ekzaminuar të vërtetat dhe trillimet që ne i themi vetes dhe të tjerëve, teksa lëkundemi mbi litarin e hollë ndërmjet dashurisë dhe dëshirës, kuptimit dhe vdekshmërisë, fajit dhe shpagimit, terrorit dhe kurajës, shpresës dhe ndryshimit.

Pacienti i gabuar

Autori: Jane Shemilt – Çmimi: 1200 lekë

Rejçëlli një mjeke e respektuar, ka çdo gjë në kontroll në jetën e saj, derisa çdo gjë kthehet përmbys, kur një pacient i ri ia beh në klinikë. Ai është Luka, një piktor francez i martuar me një amerikane, të cilët sapo janë shpërngulur në lagjen e pasur ku jeton Rejçëll. Tërheqja e tyre është e menjëhershme dhe etika profesionale e Rejçëllit përplaset me pasionin e rizgjuar, duke nisur një aventurë e cila nuk e lejon të shohë ç’po ndodh përreth. Raporti me bashkëshortin është ftohur, ndaj çfarë çmimi duhet të paguajë ajo për dashurinë.

Pëshpërimat e tua

Autori: Catherine Cowles – Çmimi: 1300 lekë

Wren dhe Holt janë dy të rinj të dashuruar, por një ngjarje tragjike ndryshon gjithçka, jo vetëm për ata të dy, por për gjithë qytetin. Por në momentin që Wren ka nevojë për Holt, ai largohet nga qyteti. Tani 10 vjet më vonë Holt kthehet në qytet, ku mëson se sa njerëz ka lënduar ikja e tij vite më parë. I dëshpëruar, ai përpiqet për t'i rregulluar gjërat dhe kur e sheh përsëri Wren, e kupton që ajo është ende e vetmja grua që ka dashur në jetën e tij. Por si mund të fitojë ai besimin e Wren, pa sqaruar fillimisht, arsyet e vërteta që e lënduan atë?

Dieta e pasionit

Autore: Nancy Barone – Çmimi: 1200 lekë

Erika ndihet shumë e rënduar, por kjo nuk ka lidhje me kilet e tepërta që po mundohet të heqë. Në pamje të parë, ajo përcjell një imazh mbresëlënës, grua në karrierë, bashkëshorte ideale, nënë e jashtëzakonshme. Por, në mendjen e saj, ajo ëndërron sesi të heqë qafe të shoqin, i cili rreket ta zëvendësojë me një modele. Papritur Erika kupton se duhet ta ndryshojë rrënjësisht jetën e saj. Të nisë një dietë masakruese? Të bëjë operacione për zvogëlimin e stomakut apo rruga e vërtetë drejt lumturisë është të çlirohet krejtësisht prej tij?

Takohemi te liqeni

Autori: Carley Fortrune – Çmimi: 1400 lekë

Fern ka çuar dëm 10 vite të jetës së saj duke menduar për Uillin, me të cilin kaloi një ditë-natë kur ishte 20 vjeçe. Ata bënë një marrëveshje për t'u takuar një vit më vonë. Ferni u shfaq. Uilli nuk e bëri. Në moshën 32-vjeçare, Ferni kthehet për të drejtuar resortin e familjes, i cili po falimenton. Për habinë e saj, ndihma vjen nga Uilli, i cili shfaqet me një valixhe me para. Por, a mund t'i besojë ajo atij? Ai nuk ngjan aspak me djaloshin që takoi vite më parë. Uilli fsheh diçka, Ferni nuk është e sigurt nëse dëshiron të dijë se për çfarë bëhet fjalë.

 

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF