Në filmin “The Room Next Door”, aktorja sjell një rol që plot emocione të forta, një dimension tejet njerëzor krah Tilda Swinton, përmes këndvështrimit të jashtëzakonshëm regjisorial të Petro Almadovar.
Aktorja Julianne Moore është një nga femrat më me stil në planet, por ama gjithmonë e ka një problem. Edhe pse ka parakaluar në pasarelat Chanel dhe Tom Ford, apo në rreshtin e parë të koleksioneve të Bottega Veneta dhe Dior, dilema e saj e vetme janë këpucët. Sepse është gjithnjë në kërkim të modeli sa më të rehatshëm, edhe nëse ato nuk janë në modë. “Lumturia ime më e madhe është të vesh një palë këpucë jo thjesht të këndshme, por të rehatshme, ndaj edhe nuk kam qejf të eci në eventet me tapet të kuq. Kjo është arsyeja që pasi kërkoj modelin që dua, përfundoj me palë atlete të shëmtuara, por të rehatshme”. Fituesja e çmimit Oskar me gati katër dekada përvojë në industrinë e filmit, preferon një stil bohemian, sepse ndoshta kështu beson se aspekti feminil te një grua shfaqet më natyral.
Së fundmi, ajo ka qenë pjesë e projektit “The Room Next Door”, filmi i parë në gjuhën angleze i regjisorit spanjoll Pedro Almodóvar, ku Moore luan përkrah aktores Tilda Swinton. Swinton luan Martën, një grua e diagnostikuar me kancer, e cila ka vendosur që më mirë të marrë një pilulë eutanazie sesa të përballet me më shumë trajtime; ndërsa Moore luan Ingridin, shoqja e ngushtë Martës, e cila ka kërkuar të jetë pranë saj në ditët e fundit të jetës. “Ajo që është e mrekullueshme në film është kjo miqësi femërore, e cila jep shumë dimensione, sidomos kur sheh gra në filma. Mendoj se si për mua ashtu edhe për Tildën, ishte vërtet prekëse”, thekson aktorja. Sigurisht në këndvështrimin e Almodovarit, dialogët janë dramatike, por nga ana tjetër pikëllimi dhe shqetësimi i dy grave, reflektohet edhe në portretet e tyre. “Unë theva këmbën dhe u deshën gjashtë javë të dhimbshme për t'u shëruar, imagjino dhimbjen që jep lajmi i të qenit i pashpresë. Më pëlqeu mërzia dhe nervozizmi i personazheve, shpesh me një dëshirë që e çon Martën drejt vdekjes, sepse është e vështirë të përballesh me sëmundjen dhe dhimbjen, ndaj ideja sesi Pedro e eksploronte këtë shqetësim më intrigoi”.
Të dyja aktorët nuk ishin takuar asnjëherë në sheshxhirim, por Moore thotë se e kishte admiruar punën e Swinton dhe shpresonte që një projekt t'i bashkonte ata. Realiteti ishte edhe më i mirë nga sa mund ta imagjinonte. “Ajo ishte e disponueshme, vërtet kurioze; është një interpretuese e përkushtuar. Ka një sens të madh humori dhe është një aktore jashtëzakonisht e bukur”, thotë Moore. Nga ana tjetër puna me Almodóvar ishte gjithashtu një ëndërr për Moore. Kurrë nuk e kishte menduar se do ta kishte mundësinë, pasi të gjithë filmat e tij të mëparshëm kishin qenë në spanjisht. "Ishte një surprizë e madhe kur hapa emailin tim në mëngjes dhe pashë ftesën nga Pedro", thotë ajo. E të mendosh, ajo konsiderohet në IMDB, si aktorja e cila ka luajtur në filmat e regjisorëve të mëdhenj, si Steven Spielberg, Paul Thomas Anderson, Ridley Scott, vëllezërit Coen, Todd Haynes apo Julie Taymor.
Ajo nuk e fsheh se gëzimi më i madh në karrierën e saj është mundësia për të provuar role të ndryshme, duke provuar të hyjë nën lëkurën e personazheve të paimagjinueshëm, nga ato që shumë aktore do të ishin menduar gjatë për të vendosur, ose do t’i kishin refuzuar direkt. Jo më kot në një retrospektivë karriere me Vanity Fair, ajo e krahasoi marrjen e roleve në aktrim si prova e të ngrënit të ëmbëlsirave: kur i hani ato, ju po kaloni një kohë të mirë dhe më pas kur mbaroni, mendoni për një tjetër ëmbëlsirë. “Kur e mora në dorë skenarin dhe nisa ta lexoj, thashë: Ai dëshiron që unë ta bëj këtë? Sepse ishte kaq i bukur, argëtues, e njëkohësisht kaq e mahnitshme. Një rol me kaq emocion rrallë të vjen në jetë.
E duket se filmi që tani ka hyrë në garë për dy çmime Oscar, padyshim që e impenjon aktoren më shumë të mendojë parakalimin mbi tapetin e kuq: ndryshe nga daljet e saj të mëparshme: e veshur me një fustan ngjyrë ari nga Bottega Veneta në Venecia dhe me një fustan Valentino me perçina në argjend që zgjidhni për çmimet Governors; tani është momenti të piketojë një tjetër veshje dramatike, nga ato që ajo ka zgjedhur më të shumtat e herëve. “Mendoj se kam një marrëdhënie qesharake me modën: më pëlqen shumë moda në jetën reale, por nuk më pëlqen të tërheq vëmendjen ndaj vetes nëpër evente”, thotë ajo. Ndoshta fakti që gjithnjë ka preferuar të blindojë fort jetën e saj private përballë kuriozitetit të medias, ky lloj ekspozimi, qoftë edhe në ngjarjet e kinemasë, shpesh e bën aktoren të ndihet në siklet, ndaj jo më kot e quan si një formë e panevojshme për të tërhequr vëmendje.
Ajo preferon të kalojë pjesën tjetër të kohës, duke shëtitur ose bërë not me bashkëshortin e saj, regjisorin Bart Freundlich. Julianne Moore shënon në karrierën e saj si aktore dhjetëra tituj filmash, ka dy fëmijë dhe një Oscar, por ende gjen kohë për t'i dhënë përparësi martesës së saj. A u martua me Freundlich në vitin 2003 pasi u takuan në 1996 dhe sollën në jetë dy fëmijët e tyre, Caleb dhe Liv. Kur e pyet se cili është sekreti i martesës së tyre, ajo ka vetëm një përgjigje: ne e bëjmë ende njëri-tjetrin të qeshnim. "E vetmja gjë që mund të them për një martesë të lumtur është se të dy duhet së pari të dëshirojnë vërtet të martohen, pastaj për ta mbajtur thjesht duhet investuar në aspektin njerëzor. Nëse një martesë nuk ka të qeshura, ajo është e destinuar të vdesë".



















